Një 'Mein Kampf' britanik

Meqenëse në Gjermani kjo vepër nuk është ndaluar zyrtarisht, pronar i të drejtave autoriale është Qeveria e Bavaraisë, e cila vazhdon ta kundërshtojë botimin e këtij pamfleti voluminoz të Hitlerit, madje duke paralajmëruar edhe ndërmarrjen e hapave ligjorë kundër një ideje të tillë.
Por, sipas javores gjermane ‘Der Spiegel’, pas më shumë se gjysmë shekulli gjermanët do të kenë rastin që në raftet dhe në vitrinat e librarive dhe të kioskave të tyre së shpejti të përballen edhe me librin famëkeq “Mein Kampf” të Adolf Hitlerit, në të cilin diktatori i ardhshëm gjerman prezanton detajisht politikën e tij raciste dhe kriminale.
Ndryshe, librin Hitleri e shkroi derisa ishte në burg, gjatë gjysmës së parë të viteve të njëzeta të shekullit të kaluar. Asokohe ai po vuante dënimin për shkak të dështimit të “puçit të Munihut”.
Në disa qindra faqe të librit, teksti i të cilit diku-diku është tejet konfuz dhe i shkruar keq, Hitleri ka kombinuar jetëshkrimin e tij me shpalosjen e ideologjisë naziste, në qendrën e së cilës ishte (dhe vazhdon të mbetet) antisemitizmi.