‘Flaka’ e përjetshme
Gjatë akademisë përkujtimore, të emërtuar “Tri Dekada Lirie”, kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, theksoi se “Flaka u themelua për të paktën dy arsye të mëdha: për ta kujtuar e nderuar përherë aktin sublim të rënies heroike të Kadri Zekës, Jusuf e Bardhosh Gërvallës, Rexhep Malës e Nuhi Berishës, në janarët e viteve 1982 dhe 1984, si dhe për ta mbajtur ndezur e për ta rritur idenë dhe përcaktimin e qartë dhe këmbëngulës së popullit të Kosovës për çlirim”.
Sipas Mustafës, Flaka e Janarit i ka arritur që të dy këto dy misione me sukses, ndërkohë që vazhdon të jetojë e të rritet, si një homazh i madh kulturor kushtuar të gjithë dëshmorëve të kombit, pa dallim.
Sipas të parit të komunës së Gjilanit, shteti i mirëfilltë paraqet garancinë e vetme të fuqishme e të përhershme për të tashmen dhe të ardhmen e qytetarit, sepse të gjithë i trajton si të barabartë dhe krijon hapësirë të bollshme për të gjithë, që edhe ka qenë esenca e idesë, luftës dhe e rënies së heronjve dhe dëshmorëve tanë.
Duke folur për aktivitetet e Flakës, Mustafa tha se për çdo vit ky Manifestim po bëhet edhe më i mirë, ku prurjet e reja origjinale kulturore ,e me kualitet janë në rritje, në katër shtyllat e saja, dhe janë reflektim i rritës dhe pjekurisë së komunës së Gjilanit, shtetit të ri të Kosovës dhe kombit shqiptar në tërësinë e tij.
Ndërkaq, derisa po kujtonte tridhjetë-vjetorin e rënies së Jusuf e Bardhosh Gërvallës e të Kadri Zekës, zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Hajredin Kuçi nënvizoi se Qeveria e Kosovës admiron punën, veprën dhe rënien heroike të këtyre heronjve, sepse rënia dhe ideja e tyre i bënë ata sublimë dhe të dallueshëm në mesin e shumë hallkave tjera të historisë sonë kombëtare.
Sipas Kuçit, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka ishin heronj jo vetëm për mënyrën tinëzare se si u vranë, por edhe për shkak të ideve dhe qëllimeve për të cilat jetuan. Zëvendëskryeministri i Kosovës gjithashtu theksoi se qëllimi i të gjithë atyre që për breza me radhë e mbajtën gjallë Flakën e Janarit - duke filluar që nga Adem Demaçi dhe të gjithë shokët e Jusuf Gërvallës, e pastaj edhe me Rexhep Malën e Nuhi Berishën, Afrim Zhitinë e Fahri Fazliun, e deri tek Adem Jashari me shokë – ishte i përbashkët, mbajtja gjallë e kësaj flake deri në lirinë e plotë.
Andaj, sipas Kuçit, jo vetëm Jusuf e Bardhosh Gërvalal e Kadri Zeka, por edhe të gjithë të tjerët, edhe tani vazhdojnë të jenë inspirim, jo vetëm si flakadanë të Flakës së Janarit, por edhe si ngrohës të mendjes e të ideve për të pasur një shtet modern, demokratik dhe të zhvilluar.
Një fjalë rasti e mbajti edhe Hydajet Hyseni, sipas të cilit ka mëse 20 vjet që ky manifestim me të drejtë quhet ‘Flaka e Janarit”, sepse kjo është një datë që në vete ngërthen dhembje, mall e krenari, por edhe një ditë nderimi e reflektimi për ata që u bënë themel i lirisë që e gëzojmë sot.
Paralelisht, me këtë rast u mbajtën edhe disa referime. Hysen Matoshi foli për veprën e Kadri Zekës. Ai, mes tjerash, pohoi se edhe vetë koncepti i Kadri Zekës ishte një koncept i tërë brezit të tij dhe i bashkëveprimtarëve të tij. Sipas Matoshit, Kadriu ishte një atdhetarë i pakompromis në rrugëtimin e tij drejt lirisë, sepse në realizimin e projektit të lirisë ai shihte përfshirjen e të gjitha potencialëve kombëtare, dhe të gjithave formave të veprimit.
Pjesë e Akademisë kushtuar Flakës ishte edhe koncerti i muzikës serioze, në të cilin nën përkujdesjen e dirigjentit Adhurim Rasimi u interpretuan disa pika muzikore të kuartetit frymor dhe disa pjesë korale.
"Flaka e Janarit" pastaj vazhdoi me ‘Panelin e Flakës’, gjegjësisht me hapjen e Ekspozitës së Arteve Pamore, dhe me shpalljen e fituesve të konkursit për këtë pjesë të manifestimit kulturor.