Një "Mjeshtër i Madh i Punës" për Sotir Cacin
Mbrëmë, në Muzeun Historik Kombëtar u nderua me titullin "Mjeshtër i Madh i Punës" përkthyesi Sotir Caci (1917-1983), i ndarë nga jeta 26 vite më parë. Caci është i njohur për lexuesin shqiptar me shqipërimet e disa nga kryeveprave botërore, ndër të cilat spikati letërsia franceze, "Shkëlqimi dhe rënia e kurtizaneve" dhe "Kushëriri Pons" të Balzakut, "Manastiri i Parmës" i Stendal, nga letërsia ruse përktheu "Lufta dhe Paqja" i Tolstoit, "Doni i qetë" i Shollohovit, "Novela" të Çehovit, "Nëna" e Gorkit, "Garda e re" e Fadejevit.
Kurse, në poezi, kontributi i tij i shqipërimeve shpërfaqet tek përmbledhja "Antologjia e poezisë franceze", ku përfshihen nga "Kënga e Rolanit", "Romani i dhelprës", tek poetë si A. de Myse, Sh. Bodler, A. de Vinji, Rembo dhe P. Elyar. Përkthimet nga poezia frnge u botuan vëllime më vete si "Antologji poetike" e V. Hygoit, "Netët" e A. de Mysesë, "Poetët e Komunës", "Poezi" të Potiesë etj.
Sotir Caci u lind më 1917 në fshatin Borovë të krahinës së Kolonjës.
Në Elbasan kreu Shkollën Normale, ishte nxënës i Aleksandër Xhuvanit. Për vite me radhë punoi mësues në fshatra. "Edhe pse në këto rrethana, mësuesi i thjeshtë, do të bënte jetën e një intelektuali, jo vetëm duke lexuar, po edhe duke krijuar.
Çelësi i suksesit të Cacit ishte përvetësimi krijues i origjinalit dhe ridhënia e tij jo vetëm me një ekuivalencë gjuhësore shqipe, por, mbi të gjitha, me komponentët e përmbajtjes dhe këto të paraqitura natyrshëm dhe bukur", shkruan në një parathënie për përkthimet e Cacit, Nasho Jorgaqi. Ceremonia e dhënies dekoratës u organizua nën kujdesin e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës.