Guantanamo, Berisha: Pranojmë të burgosur, por jo ujgurë
Shqipëria jep garancinë në takimin e djeshëm të zhvilluar mes ambasadorit amerikan Xhon Uidhers, të dërguarit të posaçëm, Daniel Fried, kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit të Brendshëm, Lulëzim Basha.
TIRANË - Shqipëria do të jetë në listën e atyre vendeve që do të presë të dënuar nga burgu famëkeq i Guantanamos.
Kryeministri Sali Berisha ka konfirmuar dje lajmin, pas takimit të zhvilluar për këtë çështje me ambasadorin amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers, të ngarkuarin e posaçëm për këtë çështje, ambasadorin Daniel Fried, si dhe ministrin e Brendshëm, Lulëzim Basha.
Edhe pse numri i vendeve, që kanë refuzuar të pranojnë të dënuar nuk është i vogël, Shqipëria pritet të radhitet krah vendeve, që do të tregohet e gatshme për një gjë të tillë, ndërkohë që vetëm dy ditë më parë, në Itali u transferuan dy të burgosurit e parë pas premtimit të bërë në muajin Qershor nga kryeministri italian, Silvio Berluskoni, Presidentit Amerikan, Barak Obama.
Nga ana e tij, Kryeministri Berisha deklaroi se ky qëndrim i qeverisë shqiptare bazohet në një çështje shumë të rëndësishme, që ka të bëjë, sipas tij, më të drejtat e njeriut. Por, kreu i ekzekutivit ka sqaruar se përpos gatishmërisë së vendit tonë, për shkak të marrëdhënieve të mira me Kinën, Shqipëria nuk do të pranojnë ujgurë.
"Ju e dini se në takimin që unë kam pasur në janar me Sekretaren e Shtetit Klinton, unë kam shprehur gatishmërinë e Shqipërisë për t'iu përgjigjur pozitivisht një kërkese të qeverisë së Shteteve të Bashkuara për të marrë të tjerë ish të burgosur nga burgu i Guantanamos.
Qëndrimi im bazohet tërësisht në një çështje të drejtash të njeriut. Ju e dini se kam qenë në opozitë dhe më vonë kryeministër kur kam kërkuar mbylljen e atij burgu, i bindur se ai u bë simbol i saj që Shtetet e Bashkuara nuk janë.
Natyrisht, kam deklaruar se nuk mund të jenë ujgurë, sepse, për arsye tashmë të njohura, unë jam transparent, i hapur, marrëdhëniet me Kinën kanë për Shqipërinë një rëndësi të veçantë. Kina është një vend mik, ndaj dhe nuk mund të komplikohet. U qartësua çdo gjë në rastin e parë dhe ajo nuk do të ndodhte në rastin e dytë.
E thashë është një çështje e të drejtave të njeriut, por është edhe një çështje tjetër se, kur një vend mik dhe një mik i madh, siç janë Shtetet e Bashkuara, ka një problem ligjor të brendshëm për dërgimin e tyre në territor, natyrisht, është në detyrimin moral të një vendi tjetër mik të kontribuojë në zgjidhjen e tij. Në këtë kontest, janë një seri vendesh që po kontribuojnë. Shqipëria nuk mund të mos kontribuojë", - tha dje kryeministri Berisha.
Lajmin për mundësinë e transferimit të burgosurve nga burgu i Guantanamos në Shqipëri e ka konfirmuar dje edhe Ambasada Amerikane në Tiranë. Të pyetur nga "Shekulli" për takimin e djeshëm, burimet zyrtare të ambasadës thanë: "I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Guantanamon u takua me kryeministrin Berisha, si pjesë e diskutimeve të tij në vazhdim me udhëheqës në Evropë dhe botë lidhur me rivendosjen e të burgosurve të Guantanamos.
Diskutimet e ambasadorit janë pjesë e një procesi që mbështetet nga BE-ja. Jemi mirënjohës për gatishmërinë e Shqipërisë dhe vendeve të tjera për të diskutuar me ne mundësitë për rivendosje të të burgosurve me qëllim përmbushjen e përkushtimit të presidentit Obama për të mbyllur burgun e Guantanamos".