Zoti Xhevdet! Përse nuk duhet të kandidoni për të tretën herë
Ju nuk duhet të kandidoni për të tretën herë sepse nuk thoni të vërtetën kur pohoni se kandidoni për të dytën herë. Ju kujtoj se keni qënë kryetar i QKK-së më 1996-1997 si dhe në vitit 2005-2009.
Ju nuk duhet të kandidoni sepse keni harxhuar buxhetin duke ndjekur një politikë të mbrapshtë në fushën e kinematografisë.
Ju nuk duhet të kandidoni sepse financoni me shuma të konsiderueshme festivale, në vend që të financoni projekte për realizim filmash shqiptarë.
Ju nuk duhet të kandidoni sepse financoni studentë të Akademisë që nuk janë diplomuar dhe jo kineastë të rinj të diplomuar siç thotë ligji për kinematografinë.
Ju nuk duhet të kandidoni sepse mburreni kur thoni që keni dyfishuar buxhetin e QKK-së. Buxheti jepet nga qeveria.
Ju nuk duhet të kandidoni sepse mburreni kur ja dedikoni vetes tuaj anëtarësimin në "Euroimage".
(Nuk na keni thënë se kush janë forumet e tjera ku aderojnë kineastët!)
Ju nuk duhet të mburreni me pesë premierat e filmave të rinj ku disa syresh janë trashëgimi nga veprimtaria e QKK-së para vitit 2005 kur ju nuk ishit kryetar.
Ju nuk duhet të kandidoni se mburreni me ligjin që nuk është produkt i juaj por i një grupi kineastësh që huazuan ligjin francez mbi kinematografinë.
Ju nuk duhet të kandidoni sepse mburreni me përpjekjet e producentëve dhe regjisorëve që bredhin si "lypës" nëpër botë të rritin buxhetin e filmave të tyre.
Ju nuk duhet të kandidoni sepse keni shkelur ligjin duke financuar punonjës me shuma mbi 300.000 euro të cilët njëkohësisht kryejnë edhe funksione të tjera në organet shtetërore.
Ju nuk duhet të kandidoni sepse duke qënë kryetar i QKK-së, indirekt influenconi që regjisorët e financuar nga Qendra Kombëtare që ju drejtoni, t'ju aktivizojnë me role nëpër filma.
Ju nuk duhet të kandidoni sepse mburreni me financimet e regjisorëve të huaj duke lënë pa punë kineastët vendas.
Me financimet që i bëni serbëve dhe gjermanëve ju bëni sikur harroni që këto prodhime do mbajnë vulën e anës që financon më shumë para. E pohoni vetë kur përmendni se pala serbe ka financuar me 1 milion euro.
Ju nuk duhet të kandidoni sepse mburreni që keni zhdukur piraterinë e filmit shqiptar. Për fat të keq ju nuk keni hapur asnjë proces gjyqësor ndaj këtij fenomeni që gëlon në Shqipëri.
Ju nuk duhet të kandidoni sepse talleni me filmat e vjetër shqiptarë duke i shitur për 5000 lekë një projeksion televizioneve private.
Ju nuk duhet të kandidoni sepse mburreni me një projekt që ja keni paraqitur kryeministrit dhe e keni entuziazmuar! Këtë projekt nuk e ka parë askush nga kineastët me përvojë që shkrinë jetën në ish Kinostudio.
Ju mburreni se premtoni që do rrisni buxhetin. Ju kujtoj që është premtim dhe jo realitet.
Ju nuk duhet të kandidoni sepse keni asfiksuar filmin dokumentar dhe vizatimor.
Ju nuk duhet të kandidoni sepse deri me sot nuk keni dërguar për kualifikim ose specializim asnjë kineast te ri.
Ende edhe sot nuk ka një revistë kinematografike që të financohet nga ju.
Ju nuk duhet të kandidoni sepse në fund të fundit nuk jeni kineast por një aktor i zakonshëm.
Ju nuk duhet të kandidoni sepse përdorni shkresat që ju dërgon Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sporteve që ju aprovon të vazhdoni në detyrën e kryetarit. Zoti Ministër nuk ka tagër të emërojë një Kryetar Qendre të Kinematografisë. Ai ka të drejtë t'i propozojë Kryeministrit dy kandidatura për kryetar të QKK-së.