Një “Silvia Konti”..., apo një hiç?!
Nga Armando Meta
Qeveria shqiptare, si kurrë më parë, është tani në qendër të vëmendjes ndërkombëtare për një seri skandalesh, të cilat e kanë eklipsuar akoma më shumë imazhin e Shqipërisë. Mbi qeverinë rëndojnë një seri akuzash, që lidhen kryesisht me trafikun e armëve, që fillon nga Tirana deri në SHBA. Kjo ka çuar në hapjen e një hetimi edhe nga Kongresi Amerikan, gjë që ka bërë që trafiku i armëve nga Shqipëria të jetë lajmi i parë në mediat ndërkombëtare. Por, nga ana tjetër, qeveria “Berisha” është edhe në qendër të vëmendjes së opinionit publik dhe atij politik, si sa i përket tragjedisë së Gërdecit, e cila erdhi si pasojë e këtij trafiku ndërkombëtarë armësh, ashtu edhe për një seri akuzash për afera korruptive, që lidhen kryesisht me rrugën “Durrës – Kukës”. Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, është pa imunitet, pasi akuzohet për korrupsion. Ish-ministrit Fatmir Mediu i është hequr imuniteti dhe është person nën hetim për tragjedinë e Gërdecit. Një “luks” i madh ky për një qeveri që për tre vjet ka dy ministra që u hiqet imuniteti me akuzën për afera korruptive. Siç vihet re, qeveria “Berisha”, deri tani, ka prodhuar punë me bollëk për Prokurorinë e Përgjithshme. Por më shumë sesa vullneti politik i qeverisë, e cila dorëzoi “me shpirt ndër dhëmbë” imunitetin e dy ministrave të saj, tani në provë është vullneti ligjor i prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, për t’i shkuar deri në fund zbardhjes së dosjeve që rëndojnë mbi qeverinë “Berisha”: dosja “Gërdeci” dhe ajo e rrugës “Durrës – Kukës”. Jemi të ndërgjegjshëm se këto dy dosje janë mjaft të komplikuara, pasi implikimi i politikës është mjaft i dukshëm. Por, nga ana tjetër, nuk është i pakët edhe materiali që provon shkallën e lartë të implikimit të qeverisjes dhe të politikës në këto dy çështje. Kjo përbën një lehtësi jo të vogël për organin e akuzës. Nga zhvillimet e deritanishme është vënë re se dosja e rrugës “Durrës – Kukës” është lënë thuajse në hije nga Prokuroria. Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, i cili është një ndër të akuzuarit kryesorë për aferën qindra milionë euro të kësaj rruge, por edhe disa zyrtarë të rangjeve të ulëta, thuajse nuk janë thirrur fare në Prokurori për të dhënë shpjegime për ligjshmërinë e kontratës që qeveria shqiptare ka firmosur me firmën amerikane që po ndërton rrugën “Durrës – Kukës”. Ndërkohë, qeveria vijon t’u marrë taksapaguesve shqiptarë para për financimin e kësaj rruge. Apatia e organit të Prokurorisë për zbardhjen e drejtësisë së akuzave mbi ministrin Basha dhe ofiqarëve të tjerë të përfshirë në këtë çështje, duket se e ka bërë të pavlefshme heqjen e imunitetit të ministrit të Jashtëm. Përballë akuzave të ngritura, duke filluar që nga kryeministri e deri te ministri Basha, deri tani kemi dëgjuar vetëm “deklarata patriotike” për ndërtimin e kësaj rruge. Shpresojmë që këto lloj deklaratash të mos e kenë impresionuar prokuroren e Përgjithshme dhe prokurorët e çështjes për të mbuluar në pluhurin e harresës dosjen me akuza për rrugën “Durrës – Kukës”. Mjaft e komplikuar paraqitet edhe zbardhja e tragjedisë së Gërdecit, duke pasur parasysh jo vetëm zbardhjen e ngjarjes, por edhe të të gjitha shkaqeve që çuan në atë tragjedi të tmerrshme. Damarët politikë që ushqyen ngjarjen e Gërdecit, që qeveria përpiqet ta minimizojë si një aksident teknologjik, janë mjaft të dukshëm. Çdo ditë zbardhen fakte dhe prova se qeveria shqiptare ka pasur dijeni për gjithçka ndodhte në Gërdec. Tashmë këto prova vijnë edhe nga seancat hetimore që po zhvillon Kongresi Amerikan për trafikun e armëve, që e ka zanafillën që nga Gërdeci. Tashmë të gjithë kemi një tablo të qartë, se aksidenti në Gërdec ishte produkt i një qeverisjeje të papërgjegjshme, si pasojë e verbimit nga ethet e pasurimit. Siç vihet re, mbi supet e brishta të prokurores së Përgjithshme rëndojnë çështje të cilat jo vetëm kanë të bëjnë me vënien e drejtësisë, por, nga ana tjetër, edhe të vendosjes përfundimisht të standardit se të qenit politikan, me ose pa imunitet, nuk të shpëton nga ndëshkimi kur shkel ligjin. Ajo duhet të provojë se heqja e imunitetit nuk është thjesht një lojë politike, ku deputetët mund të dalin pa lagur, por një përballje serioze me drejtësinë. Kryeprokurorja ka deklaruar se do t’u shkojë deri në fund hetimeve, pavarësisht niveleve që do të preken. Tashmë në provë nuk janë më qytetarët shqiptarë, të cilët më së shumti janë viktima të zullumeve të qeverisjes, por është kryeprokurorja, e cila duhet të vendosë drejtësi për zhvatjen që po u bëhet parave të taksapaguesve, si dhe për viktimat e Gërdecit, të shkaktuara nga aferat korruptive të qeverisë. Ditën që Kuvendi votoi Ina Ramën si prokurore të Përgjithshme, kryeministri Berisha e vlerësoi si “Silvia Konti”. Duke iu referuar krahasimit në fjalë, besojmë se prokurorja e Përgjithshme do të bëjë gjithçka për të çuar në bankën e të akuzuarve “Tano Karridët” që për një grusht parash po ia marrin shpirtin vendit më të varfër të Europës.
26 Qershor 2008