Uidhers paralajmëron: “Jam i pastër, ka edhe fakte të tjera”
Ambasada Amerikane në Shqipëri ka reaguar dje me një deklaratë të shkurtër në emër të ambasadorit Uidhers. Në fund të kësaj deklarata nënkuptohet se ambasadori amerikan Uidhers është i bindur se do të “shpërbëjë” të gjitha pretendimet e deritanishme, duke u bazuar në zbardhjen e të gjitha fakteve lidhur me çështjen. “Siç ka thënë publikisht shumë herë, ambasadori beson në mënyrë të palëkundshme që një shqyrtim i drejtë i fakteve do të çojë, në fund, tek e vërteta. Ai e përdor këtë parim në mënyrë të barabartë si ndaj vetes, ashtu edhe ndaj të tjerëve, me dijen absolute që faktet mbi këtë çështje, të paraqitura plotësisht, do të shpërbëjnë cilindo dhe çdo pretendim të ngritur kundër tij, stafit të tij, apo qeverisë së tij”, - shkruhet në deklaratë. Ky reagim lë të kuptohet se sipas kësaj ambasade, po futen në sitë të gjitha pretendimet e raportit “Uaksman”, nga ku më pas dhe përgjigjja e ambasadës dhe vetë ambasadorit do të artikulohen në mënyrën më të qartë të mundshme. “Ambasadori Uidhers është në dijeni të pretendimeve të paraqitura në letrën e 23 qershorit nga përfaqësuesi i Kongresit Henri Uaksman drejtuar sekretares së Shtetit, Rajs. Ai po studion përmbajtjen e letrës dhe sapo ta ketë mbaruar këtë, do të përgatisë një përgënjeshtrim të plotë të çfarëdo pretendimi kundër Ambasadës së SHBA-ve apo atij vetë”, - shkruhet në deklaratë.
Dosja, “AEY” bleu të paktën 100 milionë fishekë
Dokumentet nga Shqipëria tregojnë se “AEY” bleu më shumë se 100 milionë fishekë kinezë, që kishin qenë magazinuar prej dekadash në ish-depot e Luftës së Ftohtë. Fishekët ishin prodhuar jo më vonë se viti 1960. Diveroli atëherë rregulloi që ato të ripaketoheshin në kuti kartoni, shumë prej të cilave ishin të çara ose të dekompozuara pas transportit në zonat e luftës. Lloje të ndryshme të municioneve ishin përzierë. Në disa prej arkave municionet ishin të papastra dhe të ndryshkura. Kërkesa e re e Ushtrisë Amerikane specifikon që municioni nuk duhet të jetë me pak se 20 vjet i vjetër, në paketim të qëndrueshëm dhe në kushte të përshtatshme. "Secila paketë do të përmbajë të njëjtin tip municioni", - përcakton Ushtria Amerikane. Sipas këtyre rregullave, materiali duhet të jetë i lirë nga papastërtitë dhe nga infektuesit e tjerë, të cilët do të kontribuonin në shkatërrimin e tij ose do të kërkonte të pastroheshin nga klienti përpara përdorimit. Një tjetër pikëpyetje në lidhje me këtë çështje është se si mundi Efraim Diveroli të merrte kontrata federale në moshën 19-vjeçare dhe si mundi të vazhdonte të qëndronte në biznes kaq gjatë. Një vit më parë zyra e firmës “AEY” ishte kontrolluar nga agjentët federalë dhe kompjuterët së bashku me regjistrat e firmës u konfiskuan. Por autoritetet kontraktuese të Ushtrisë vazhduan të punonin me të.
25 Qershor 2008