E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aparaturat, operacionet pa hapje të kokës

Kredia e marrë nga austriakët do të përdoret vetëm për blerjen e aparaturave bashkëkohore në Pavijonin e Neurokirurgjisë, të cilat do të bëjnë të mundur që edhe në vendin tonë operacionet të kryhen pa hapje të kokës. Njëra nga sallat do të pajiset me neuronavigator-interface, me program rezonance magnetike, skaner, C-arm, duke bërë të mundur kalkulimin preciz milimetrik virtual nga sipërfaqja e trurit në zonat ku fshihen sëmundjet e trurit, pa e prekur trurin. Në sajë të projektit endovaskular, do të bëhet i mundur trajtimi pa hapje të kokës të sëmundjeve aq delikate të enëve të gjakut, milimetrike të trurit. Në sallën tjetër do të instalohet mikroskopi operator pentero zeiss, që bën të mundur kontrollin në distancë e në kohë reale të të gjithë operacionit. Duke ngritur unitetin e radiokirurgjisë me akselerator linear (LINAC) dhe stereotaksi në Shqipëri, për herë të parë, do të bëhet i mundur trajtimi me precizion submilimetrik i lezioneve të paarritshme nga kirurgjia ose siç preferohet të thuhet më të padëmshme, pa hapje të kokës. Ky unitet do të jetë i pajisur dhe me një CT skaner i modelit të fundit me interface me akseleratorin dhe neuronavigatorin.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›