Një argument pse duhet bojkotuar Berisha!
Shkrimtar
Kam ndjekur me vëmendje shkrimet e fundit të botuesit të gazetës Tema, zotit Mero Baze, për diarrenë patologjiko-politike të Berishës, pas tërheqjes së tij në bunkerin e opozitës.
Problemi që shtron z.Baze është serioz. Nëse ky njeri duhet lënë të llomotisë e të shtojë pikët politike në favor të qeverisë së re e Ramës, për shkak të idiotizmave që shkruan, apo të bojkotohet mediatikisht.
Unë mendoj se duhet vendosur kjo e fundit.
Embargoja mediatike është e domosdoshme sepse, për fat të keq, ka një 30 përqindësh që votoi PD-në në zgjedhjet e fundit, e cila po kënaqet me hakmarrjen banale të liderit tropojan, madje mendon që Ramës e koalicionit të tij po i has sharra në gozhdë qysh pa pushtuar Këshillin e Ministrave.
Aq i madh mund të jetë ky entuziazëm nga të pëgërat e Berishës, sa këta njerëz me të drejtë mund të kenë harruar të fshijnë brekët nga diarreja e 23 qershorit dhe, ashtu, me erën e rëndë të fjalëve të liderit historik, të nxiten të vrapojnë nëpër bulevarde.
21 janari nuk ishte një eksperiencë vetëm e PS dhe e Ramës. Askush nuk duhet të harrojë vitin 1998 kur arkivoli me trupin e të ndjerit Azem Hajdari përplasej ne derën e jashtme të kryeministrisë, as tanket në rrugë, as ndonjë vrasje pas shpine.
Ka ardhur koha që plaku të lihet në dreqninë (shejtnine) e vet, siç do të perifrazoja Migjenin.
Sepse shashkat politike Facebook-iane të Berishës nuk janë aq dëshirë për të bërë opozitë me pozitën (e cila ende nuk është mandatuar), por për të krijuar lajme për vete.
Njeriu që ftonte gazetarët e televizionet në çdo mbledhje të Këshillit të Ministrave sa për të regjistruar vetëm fjalimet e tij, batutat, apo buzëqeshjet ironike, dhe pastaj u mbyllte derën për debatet reale gazetarëve, më shumë se për transparencë, këtë e bënte për të rritur praninë e tij në media. Askush nuk e harron faktin se figura e tij duhej të shfaqej së paku tre herë në ditë në TV-të e qeverisë e të opozitës dhe, pavarësisht ndonjë germe analize, ai mbetej atje si njeriu i familjes.
Kjo është arsyeja përse edhe sot e gjithë ditën ai vazhdon të prodhojë lajme, ndonëse nuk është më as kryetar i PD-së, madje as kryeministër nuk është sepse gjithmonë thotë se kjo mbledhje qeverie do të jetë e fundit e, përsëri, ai i sjell të shkretët ish-ministra nga vilat aristokratike të ndërtuara me paratë e popullit shqiptar, ku bëjnë pushime gjithë mendime dhe i mbledh në një sallë ku nuk flitet për asgjë.
Aq të mërzitura janë fytyrat e tyre në këto mbledhje të kota, sa kjo shihet qartë jo vetëm në pamjet e televizioneve, por edhe nga buzëqeshja anormale e ish-kryeministrit.
Të gjitha këto të çojnë në konkluzionin se Berisha si politikan duhet bojkotuar me gjithsej, nuk duhet konsideruar lajm asnjë pordhë e tij në Facebookun personal, ndërsa asnjë gazetë a televizion serioz nuk duhet të merret më me portretin e tij.
Nëse ish-kryetari i PD Fier kërkon t’i lihet vend Lulzim Bashës për të folur në emër të PD, kjo duhet marrë tepër seriozisht dhe aspak me humor, madje as si anti-berishizëm.
Fshirja përfundimtare e kësaj figure groteske nga fushat mediatike do të sillte një qetësim të opinionit publik shqiptar, duhet ta lejojë vetë PD-në të reflektojë për humbjen katastrofike, pse jo, edhe për riorganizimin e ringritjen e saj. Sa mund të ndikojnë këto fjalë te televizionet e gazetat e vendit, kjo është e pasigurt. Por unë jam një zë që duhet konsideruar, ndonëse Facebook-u im nuk përben lajme sensasional për televizionet.
