Një artikull i vitit 1945 dhe e sotmja
FËMIJËT E RRUGËS
Rrëfimi më poshtë nuk është i imi. Është i dikujt tjetër, emrin e vërtetë të të cilit unë nuk e di. Por ndonëse autori mbetet anonim, panorama e qytetit të tij, është edhe imja:
“… I shohim përditë. Në çdo hap që bëjmë na dalin përpara fëmijë të vegjël, këmbëzbathur, të nxirë nga dielli, e nga të palarët. - Cigare, zotni! - Llotarija! Pasnesër hiqet … llotarija! … -
Ata vijnë tek ne e na luten, jo sikur na shesin diçka por sikur kërkojnë lëmoshë. Na luten se nga leku ynë varet jeta e tyre. Nëpër rrugë ne shohim një pjesë të kësaj jete dhe kjo na është bërë aq e zakonshme sa nuk na le përshtypje të veçantë.
Kur ne u blejmë diçka kujtojmë se i kënaqim, se e bëmë detyrën kundrejt tyre. Por nuk është kështu. Na përket t’i themi “ndal” forcës së vrazhdë që shtyn fatin e tyre. Në ndërgjegjen tonë, në qoftë se është me të vërtetë ndërgjegje njeriu, do të ndjejmë jehonën e një zëri që kërkon shpëtim: “Cigare, zotni, cigare …”. Sa dhimbje e madhe në një krijesë të vogël!
Të paktë janë ata që u falin diçka. Disa s’begenisin as t’u hedhin një vështrim, disa i përzenë me shqelma. Të tjerë kënaqen duke i tallur... Shitësa... Lypësa. Po kush janë këta fëmijë? Si rrojnë? Ka ndër ta edhe rrugaçë, ka edhe “kryetarë” familje. (shpesh nga djersa e tyre mbahen shumë frymë). Janë fëmijë që duhet të ndodheshin në bankat e shkollës…
Kush është fajtori? Sot nuk është koha për t’ia hedhur fajin njërit ose tjetrit. Fajin e kemi nga pak që të gjithë. Në disa raste fajin e kanë drejt për drejt prindërit: i lenë fëmijët e tyre të mbeten në injorancë, ashtu si kanë jetuar ata vetë. Kjo gjë ndodh në qytete e në fshatra; ka shumë fëmijë që prindërit, duke shkuar mbas havazit të mukës “më mirë një vezë sot se një pulë mot”, i dërgojnë me bagëti o me punë të ndryshme, duke i larguar nga shkolla. Sidoqoftë nuk mjafton të bëjmë vetëm konstatime. Sot është koha për të vepruar...”.
Rrëfimi më lart, “Nëpër rrugë”, është botuar më 3 qershor të vitit 1945 në gazetën “Rinia.” Autori quhej “Spartaku” e jetonte në kohë të tjera. Sot, 63 vjet më vonë, rrëfimi i tij mbetet çuditërisht po aq aktual sa gjithë studimet e OJQ-ve të marra së bashku.
Ende nuk e dimë sa fëmijë “punojnë” në Shqipëri. Imazhi që kemi, përgjithësisht, është ai i grupeve të vogla të organizuara tek Blloku, të cilët prej vitesh janë bërë pjesë e jetës së përditshme në kryeqytet. Siç ngrihen pallatet, rriten edhe ata.
Shkaqet që i nxjerrin fëmijët në rrugë ose në “punë” janë të shumta e të ndërthurura. Edhe zgjidhjet janë të vështira. Por sfida më e madhe ndoshta nuk qëndron tek mungesa e zgjidhjeve, por tek injorimi i problemit, normalizimi shoqëror i mosmbrojtjes së fëmijëve. Skenat e jetës së vështirë të fëmijëve nëpër rrugë përbëjnë një realitet të egër që u shfaqet të gjithëve: të pasur e të varfër, të rinj e të vjetër, të djathtë e të majtë. Nuk është problem politik; është problem shqiptar.
Në një vend me vështirësi të thella, fati i ca qindra fëmijëve mund të duket moralizëm i tepruar, madje edhe predikim irritues. Por Kushtetuta e këtij vendi garanton mbrojtjen e fëmijëve. Cila shoqëri ka arritur të ndërtojë institucione dhe mirëqenie, duke lënë fëmijët e saj të pambrojtur?