Një ballkanas në tregun e filmit

Regjisori maqedonas Mitko Panov, prezanton në "Marubi" filmin "Lufta mbaroi" dhe takohet me studentët në grevë. Rruga plot pengesa e regjisorit dhe producentit në një treg ku dominon kinemaja e buxheteve të mëdha
Regjisori maqedonas Mitko Panov mbajti dje një master-class mbi regjinë, kërkesat e kinemasë së sotme, detyrat që i dalin përpara regjisorit të ri, me studentë të Akademisë së Filmit dhe Multimedias "Marubi".
Akademia vazhdon grevën që ka nisur që më 17 mars, por sërish i mban hapur dyert për diskutime, konsulta, prezantimin e studentëve me regjisorët që bëjnë kinema sot. Panov, një natë më parë i kishte prezantuar me filmin e tij të fundit "Lufta Mbaroi" (2009), një dramë për ngjarjet në Kosovë në vitin 1998, për shqiptarë që marrin rrugën drejt Zvicrës, pa dokumente, pa para, pa mbështetje.
Me aktorët: Enver Petrovci, Ljupco Todorovski, Blerta Syla, Myzafer Ethemi, Sheqerie Buçaj, Sulejman Lokaj, Dritëro Hame, dhe filmi ishte në gjuhën shqipe. Është një bashkëprodhim maqedonas-zviceran.
Të rinjtë që marrin dije në "Marubi" ishin kuriozë dhe i bën pyetje regjisorit edhe për idetë që nuk manifestoheshin hapur në film, për bindjen e tij rreth luftës në Kosovë, për distancën dhe afrinë me personazhet dhe përse në një moment merr kthesë jeta e tyre.
Mitko Panov ka pasur një histori vështirësish për projektin e filmit në fjalë, refuzimet për mbështetje financiare nga Zyra Federale e Kulturës (Office Federal de la Culture-OFC), si ka arritur ta çojë deri në fund prodhimin e filmit që ai e quan të censuruar, sepse i janë mbyllur rrugët e distribucionit.
Mitko Panov ka lindur në Maqedoni. Studimet e larta i ka kryer në Poloni në Shkollën e Filmit, Televizionit dhe Teatrit në Lodz, 1983-1988. Jetoi në SHBA deri më 2004 kur u shpërngul në Zvicër, ku jeton edhe sot.
Panov ka pasur edhe një karrierë të gjatë universitare në këto vite, në Departamentin e Filmit në Universitetin e Nju Jorkut (1991-1995), në Shkollën e Filmit dhe Televizionit të Mynihut katër vite më vonë. Ka dhënë mësime edhe në Akademinë e Filmit në Nju-Jork.
Në vitin 1991, Mitko Panov ka marrë "Palmën e Artë" në Festivalin e Kanës me "With Raised Hands" (1986), në kategorinë e filmit të shkurtër. Panov është regjisor i filmave: "Comrades" (2002), "The Meadow", të cilin e prezantoi dje për të pranishmit në "Marubi".
Z. Panov, në ç'gjendje është aktualisht kinemaja në Maqedoni?
Kinemaja kaloi një periudhë pauze, nga viti 2007 deri më 2009, që u thye nga ky film, i pari që u prodhua pas një kohe të gjatë. Gjatë dy viteve asgjë nuk u xhirua. Di edhe që vitin e kaluar janë xhiruar filma, pak prodhime maqedonase, e më së shumti bashkëprodhime.
Kinemaja po fillon të bëhet aktive, po zhvillohen më shumë aktivitete. Arsyeja e kësaj ndalese ka të bëjë me ndryshimin e qeverive, të administratave, ndryshime që reflektohen edhe në hapësirën e kinemasë.
Planet e Fondit Maqedonas për Filmin duken ambicioze, projekte në pritje për t'u aprovuar. Arsyeja kryesore e heshtjes së dy viteve, ishte formimi i institucionit të ri. Më parë ishte Ministria e Kulturës që drejtonte buxhetin për filmin. Ky është i pari film i financuar nga Fondi Maqedonas për Filmin, me 200.000 euro. Pjesa tjetër duhet të gjendej jashtë vendit.
A hasët vështirësi në gjetjen e këtyre fondeve?
Po. Unë jam edhe bashkëproducent i filmit. Kur fillova punën dhe gjatë kohës së zhvillimit të filmit, pata mbështetje edhe nga Fondi Zviceran (Office Federal de la Culture). Xhirimet zgjatën për tri vjet dhe unë pata kohën e mjaftueshme për të siguruar paratë.
Në produksion filmi pati më pak fat. Pati një ndryshim në administratën e Zvicrës dhe administrata e re nuk e njohu këtë projekt. Marrëveshja ishte nënshkruar, unë i kisha marrë lekët nga Maqedonia. Problemi ngelej në dorën e producentit, kështu që u bë problemi im personal. Unë derdha financat e mia për filmin, paratë e hequra mënjanë dhe shita shtëpinë.
E di që tingëllon keq, por kjo ishte gjendja. Mora përsipër përgjegjësinë, dhe nuk ndjej keqardhje për këtë. Fondi Zviceran për Filmin e kundërshtoi filmin, nuk e mbështeti financiarisht dhe nuk pranoi t'i jepte certifikatën e origjinës, që do të thotë se asnjë producent nuk e merr përsipër distribuimin e tij. Nëse një projekt nuk pëlqehet, ai nuk vjel financa.
Por të mohohet, certifikata e origjinës, këtë vetëm Zoti e di! Në njëfarë mënyre filmi është i censuruar. Edhe pse censorshpiri nuk lejohet, kjo është e njëjta gjë, filmi nuk shfaqet. Mund të shpërndahet vetëm nëpërmjet internetit. Filmi u prit shumë mirë në Festivalin Kombëtar të Filmit në Zvicër.
Është një koincidencë groteske e ngjarjeve që ndodhin në film me ato që ndodhën pas xhirimit të tij. Personazhet nuk kanë dokumente dhe u duhet të kthehen në vendin e tyre sepse nuk kanë leje qëndrimi. E njëjta gjë po ndodh edhe me filmin.
Si u pa fillimisht projekti i filmit "Lufta mbaroi"?
Fillimisht filmi i mori të gjitha votat. Kur administrata ndryshoi, të gjithë votuan kundër këtij projekti dhe mua nuk m'u thanë arsyet përse filmi nuk u votua. "Filmi nuk ia vlen të financohet", nuk është arsye. Këto mund të thuhen në kohën e xhirimit të filmit, por jo në prodhimin e tij.
Përse kinemaja ballkanase duket sikur përsëri nuk po i kapërcen kufijtë e saj?
I kemi thyer kufijtë. Në këtë rast kemi folur për një film që nuk është ekskluzivisht maqedonas. Vitin e kaluar, Fondi Maqedonas për Kulturës financoi një film irlandez, që u xhirua në Maqedoni, me një skenar për Bosnjën. Duke u bazuar në eksperiencën time personale, është e pamundur të trajtosh tema të të tjerëve.
Duhet të shkruash për veten dhe të shpresosh që subjekti yt t'i tërheqë edhe të tjerët jashtë kufijve. Problemi i integrimit nuk është vetëm problem i yni, gjithmonë ka ekzistuar dhe gjithmonë do të ekzistojë. Njerëzit e Ballkanit kanë më pak probleme integrimi se njerëzit nga Afrika, ose edhe më larg.
Në prezantim përmendët Bergmanin dhe thënien e tij "regjisori bën një film gjatë gjithë jetës". Cili është filmi juaj?
Unë jam më shumë i interesuar në temën e individit përballë shoqërisë. Unë vetë jam më tepër i interesuar në dramën personale të individit. Sidoqoftë kam dëshirë ta shoh individin në kontekstin historik. Nuk dua ta izoloj atë. Nuk dua ta shoh si ishull të izoluar.
Në ç'pozita është një regjisor si ju sot?
Është shumë e vështirë dhe jo vetëm për mua, por edhe për shumë kolegë të mi prodhimi i një filmi. Qoftë edhe propozimi i një projekti ha kohë shumë.
Në shumicat e rasteve nuk mund të bësh distribucionin. Ne jemi duke konkurruar në një treg ndërkombëtar. Në konkurrim me projekte, shumica e të cilave vijnë nga vende si Franca, Anglia ose Gjermania, Spanja, me kapacitete dhe buxhete shumë të mëdha. Ne nuk i kemi ato mundësi që të konkurrojmë me njerëz që kanë mundësi të tjera.
Në këto kohë, nuk mund ta bësh një film, veçse me kooproduksion. Ndodh shpesh se ajo që është më e rëndësishme për regjisorin shqiptar, maqedonas, serb, nuk është e rëndësishme për francezët dhe producentët gjermanë. Nuk jemi të pavarur.