E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendjet mjeti i ish- administratorit të DARFO-s

Zhdukja e Belegut


Policia gjeti të parkuar pranë pallatit të Sportit "Asllan Rusi", automjetin e markës "Range Rover", e cila përdorej nga i zhdukuri Eduart Belegu


Ish- këshilltari i ministrit të Energjitikës, prej një jave rezulton i humbur, pasi nuk është kthyer në banesë. Dyshimet e policisë flasin për një rrëmbim


TIRANË- Vetëm pak ditë pas denoncimit të familjarëve të Eduart Belegut, ish-këshilltar i ministrit të Energjitikës dhe ish-administratori i kompanisë koncesionare "Darfo", gjendet autovetura e braktisur e tij e markës "Range Rover", e cila është gjetur pranë pallatit të sportit "Asllan Rusi", në kryeqytet, ndërsa policia dhe prokuroria e kanë administruar atë në cilësinë e provës.


Ajo është gjetur e parkuar përballë pallatit të sportit, ku më pas policia ka kryer këqyrjen e saj për të gjetur gjurmë të mundshme që mund të çonin atë drejt autorëve të mundshëm. Ndërkaq, që prej së premtes së kaluar,
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka marrë në duar hetimin e dosjes, për zhdukjen e Belegut e cila është klasifikuar si rrëmbim personi nga hetuesit.


Belegu, ishte prej disa muajsh nën hetim njësia e Task- Force, së prokurorisë së Elbasanit për abuzime të ndryshme në administrimin e shoqërisë DARFO. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, që sqaruan se për hetimin e kësaj çështjeje është caktuar prokurori Eugen Beçi, ndërsa dosja tashmë është regjistruar pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda.


Zhdukja e Belegut është klasifikuar nga prokuroria si "rrëmbim dhe mbajtje peng personi", dhe është kompetencë e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Sipas burimeve, bashkëshortja e Belegut, dhe i vëllai, i tij pasditen e së mërkurës së kaluar janë alarmuar kur ai nuk është kthyer në banesë.


Mos kthimi i tij në shtëpi, ka bërë që familjarët t'i drejtohen Komisariatit nr.1 duke denoncuar zhdukjen e tij, ndërsa më pas hetimin e kanë marrë në dorë oficerët e zyrës së hetimit të krimeve kundër lirisë së personit. Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore, efektivët e policisë ia kanë deleguar dosjen hetimore Prokurorisë së Krimeve të Rënda, që tashmë po vazhdon kryerjen e veprimeve të tjera hetimore e procedurale për zbardhjen e çështjes.


Mësohet nga burimet, se prokurori Beçi bashkë me hetuesin e çështjes, kanë administruar në dosje një sërë veprimesh hetimore për rastin, si atë të marrjes në pyetje të familjarëve të ngushtë të Belegut, zbardhjen e bisedave të fundit telefonike si dhe këqyrjen e makinës e cila është gjetur e parkuar përballë palestrës sportive "Asllan Rusi" në Tiranë.


Gjatë deklarimeve të familjarëve, këta të fundit kanë mohuar faktin se Belegu kishte ndonjë problem apo konflikt me njeri, fakt ky, sipas prokurorisë,që e bën të vështirë hetimin. Gjithashtu, mësohet se pritet gjatë ditëve në vazhdim zbardhja e të gjitha tabulateve telefonike si dhe lëvizja e Belegut të kryera gjatë ditës së mërkurë, kur edhe është larguar me makinën e tij të tipit "Range Rover" nga banesa për të pirë kafe në lokalet e ish-bllokut në kryeqytet.


"Nuk dihet ende se kush ka qenë personi që shtetasi Eduart Belegu ka takuar pas daljes nga banesa e tij në rrugën "Tre Vëllezërit Kondi" dhe me cilët persona është shoqëruar, pasi nuk ka asnjë të dhënë tjetër përveç faktit se makina e tij është gjetur e parkuar përballë palestrës sportive "Asllan Rusi" në Laprakë, Tiranë.

Hetohej bashkë me tre persona për abuzime me DARFO-n

Eduart Belegu po hetohej nga Prokuroria e Rrethit Elbasan, për akuzën e "vjedhjes me atë të shfrytëzimit të detyrës". Këto akuza u ngritën më 16 nëntor 2009, kur ai edhe u arrestua nga policia për t'u liruar me vendim të Gjykatës së Lartë më 10 shkurt 2010.


Ndaj Belegut ndryshoi masa e sigurisë nga "arresti me burg" në masën "detyrim për paraqitje" në prokurori një herë në javë. Sipas akuzës, ish-drejtori i kompanisë koncesionare "Darfo", Eduard Belegu kryente detyrën e këshilltarit të Ministrit të Energjetikës Dritan Prifti, kur u arrestua bashkë me Artur Belegun, Tonin Gjonajn dhe Fatos Pengun.


Të gjithë të arrestuarit më parë kishin punuar për kompanisë "Darfo", dhe akuzohen për "vjedhje" sipas procedimit me nr.169 të regjistruar në prokurori më 16 shkurt 2008. "Ish-administratori i "Darfos"-së që kishte në koncension ferrokromin në Elbasan, Eduard Belegu, bashkë me Artur Belegun, me detyrë magazinier i "Darfo"-së, Tonin Gjonaj ish-drejtorin dhe Fatos Pengun, ish-përgjegjës po në kompaninë "Darfo" në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë shfrytëzuar pozicionet e tyre të punës për të kryer shitje të konsiderueshme skrapi dhe asetesh në mënyrë të paligjshme.


Kjo ka bërë që shtetit si dhënës i koncensionit dhe pronar i aseteve të uzinës t'i shkaktohet një dëm prej 6,5 milionë eurosh gjatë periudhës 2004-2007, kohë në të cilën kanë marrë me koncesion Uzinën e Ferrokromit në ish-Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›