Fier, komunistët djegin librin e Fevziut
Pas djegies në vendlindjen e personazhit kryesor, librit Enver Hoxha të Blendi Fevziut i është vënë flaka edhe nga komunistët e Fierit. Përfaqësues të Partisë Komuniste kanë vlerësuar se ky libër nuk përfaqëson asgjë tjetër, përveç propagandës së egër kundër figurës së Enver Hoxhës.
I pyetur nga Shekulli, njëri prej komunistëve, M. Lula, ka deklaruar se ajo çka përshkruhet në këtë libër nuk ka lidhje me atë që ka qenë në realitet udhëheqësi i shqiptarëve, Enver Hoxha. Është libër thjesht për të fituar para, pasi këtu është shtrembëruar realiteti.
Në këtë ngjarje kanë qenë rreth 20 komunistë fierakë, ndërsa dhjetra të tjerë, sidomos pensionistë, të cilët frekuentojn lulishten në qendër të qytetit të Fierit, vështronin nga larg djegien e librit. / Kristaq Thana
* * *
GJIROKASTËR- Pas Kosovës dhe disa qyteteve shqiptare, libri “Enver Hoxha” i gazetarit Blendi Fevziu është grisur dhe djegur edhe në vendlindjen e ish-liderit komunist. Në një tubim të organizuar përpara ish- shtëpisë së oficerëve në qytetin e Gjirokastrës, anëtarët e Partisë Komuniste e kanë cilësuar librin si një fyerje që i bëhet jo Enver Hoxhës, por Gjirokastrës dhe mbarë Shqipërisë.
“Libri është kulturë. Po duke qenë se ky libër është i mbushur me gënjeshtra e intriga e me fjalë denigruese, nuk mbetet asnjë rrugë tjetër veç asgjësimit. Nuk ka qenë vetëm kërkesa e komunistëve djegia dhe grisja e tij, por e qindra qytetarëve që e kanë kërkuar këtë akt. Fevziu vetë është i djegur dhe si i tillë ai nuk mund të vijë në Gjirokastër”, janë shprehur komunistët.
Pasi e kanë grisur dhe vënë flakën librit, tubimi është mbyllur me thirrje kushtuar veprës së Enver Hoxhës. / Entela Bani
