Trinomi kërcënues për eurozonën
Të gjitha parashikimet dhe deklarimet e ditëve të fundit të bëra nga drejtuesit kryesorë të institucioneve financiare ndërkombëtare (FMN) dhe të eurozonës, vazhdojnë të theksojnë se do të jetë një vit i zymtë për ekonominë globale dhe se vendet e eurozonës vështirë se do të mund të dalin nga recesioni dhe kriza e borxheve sovrane. Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde, u shpreh se bota mund të përballet me një kolaps ekonomik të ngjashëm me Depresionin e Madh të viteve 1930, nëse nuk do të merren masa të menjëhershme për të përballuar krizën e eurozonës, e cila tashmë ndodhet e kërcënuar jo vetëm nga kriza e borxheve sovrane, por edhe nga kriza e pensioneve dhe përmasat që ka marrë evazioni fiskal.
EKONOMIA GLOBALE NË ZONEN E RREZIKUT
Sipas FMN, ekonomia botërore është në një zonë të thellë rreziku. Këtë e tregon edhe fakti që ky institucion prestigjioz ka ulur parashikimet për ekonominë globale në 2012-n dhe vitin e ardhshëm. Sipas vlerësimit të FMN, kuadri i përgjithshëm ekonomik është përkeqësuar. Rritja globale është kërcënuar nga intensifikimi i krizës në eurozonë, si dhe nga dobësia në vendet e tjera. Janë këto parashikimet e FMN në raportin Ëorld Economic Outlook. Për vendet e eurozonës, FMN parashikon një vit recesioni, me një ekonomi në rënie me 0,5% për këtë vit, ndërsa për 2013-n, rritja do të jetë e moderuar me 0,8%. Gjithsesi, në raport vlerësohen hapat e rëndësishëm të ndërmarrë nga qeveritë për luftën ndaj krizës. Sipas raportit, ekonomia e Italisë dhe Spanjës do të ndikojnë në rënien më të madhe me 2,2% dhe 1,7%. Gjithashtu, parashikon një ekonomi lineare për Gjermaninë dhe Francën për 2012-n, ndërkohë që për vitin e ardhshëm do të jetë më e lartë, respektivisht me 1,5% dhe 1%. FMN shpjegon se recesioni në eurozonë do të përcaktohet nga rritja e mëtejshme e interesave të bonove qeveritare, nga manovrat e qeverive mbi konsolidimin e llogarive publike, si dhe nga efektet mbi ekonominë reale të procesit të shkrirjes nga ana e bankave. Për këtë FMN rithekson nevojën e restaurimit të besimit dhe dhënies fund të krizës në eurozonë. Përkeqësimi i shqetësimeve ekonomike rishikon gjithë ekonominë globale, raporton FMN. Ky vit për ekonominë botërore do të reduktohet në një rritje me 3,3% të PBB dhe 3,9% për vitin e ardhshëm. Për SHBA, Instituti i Uashingtonit konfirmon parashikimet për një GDP në rritje me 1,8% për 2012 dhe një ecuri pozitive me 2,2% në vitin 2013. Një frenim i lehtë parashikohet për ekonominë kineze krahasuar me vlerësimet e mëparshme, gjithsesi të lartë me 8,2% dhe 8,8% për dyvjeçarin 2012-2013. Norma të larta rritjeje vërehen në raportin e FMN mbi 7% për Indinë dhe 3% për Brazilin dhe Rusinë.
Sipas parashikimit të fundit, ekonomia e Britanisë së Madhe do të rritet me vetëm 0.6% gjatë këtij viti, ndërsa ajo gjermane do të rritet me 0.3%, ndryshe nga sa ishte parashikuar më parë.
Edhe Franca gjithashtu pritet të ketë një rritje ekonomike shumë të dobët, me vetëm 0.2 % sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar. Ekonomitë në rritje të tilla si ato në Europën Qendrore dhe Lindore, apo Azi, mund të preken nga kriza në eurozonë. Sipas FMN-së, një prej sfidave më të mëdha të ekonomisë europiane ishte rikthimi i besimit në tregjet financiare, ndërsa ekonomia botërore nevojitet të ndërmarrë hapa vendimtarë për të përmirësuar mjedisin financiar aktual.
Në këto kushte, ndërsa Fondi Monetar Ndërkombëtar po përgatitet të veprojë më fuqishëm në luftën kundër krizës së borxheve në eurozonë (FMN-ka deklaruar se ka nevojë për 500 deri 600 miliardë euro për këtë qëllim dhe se brenda dy vitesh mund të ketë nevojë madje për një bilion dollarë, në qoftë se ekonomia dobësohet edhe më shumë), në Bruksel intensiteti i punës në vazhdim të marrjes së masave për shpëtimin e euros dhe të eurozonës vazhdon të rritet. Presidentja e FMN-së, Christine Lagarde, ka bërë publike të martën planet ambicioze të këtij institucioni (FMN) për tejkalimin e kësaj gjendjeje, tashmë tejet të renduar, duke kërkuar angazhim dhe kontribut më të madh të vendeve në zhvillim, si Kina, India, Brazili, pasi, aktualisht, për këto qëllime, Fondi ka në dispozicion vetëm 380 miliardë dollarë.
Zhvillimet për sa i përket ekonomisë në rang global do të jenë të rëndësishme edhe për SHBA-në, ku priten parashikimet nga Rezerva Federale mbi lëvizjen e normës bazë të dollarit për muajt e ardhshëm, ku sipas analistëve pritet që kreu i saj, Bernanke, të marrë një vendim për rritjen e normës bazë të monedhës.
Ndërkohë, takimet Merkel-Sarkozi-Monti dhe përpjekjet e drejtuesve më të lartë të BEsë dhe vetë eurozonës duket se po finalizojnë në Bruksel Paktin e Stabilitetit dhe vendosjen e rregullave të reja dhe më rigoroze ndaj vendeve me borxh dhe deficit të lartë dhe po riorientojnë qëndrimin e tyre për çështjen e Greqisë.
Tashmë, marrëveshja për fondin e ri të krizës së euros, ESM, është gati. Ky fond do të jetë 500 miliardë euro. ESM do të jetë më e fortë dhe më e qëndrueshme se EFSF (fondi ombrellë i deritanishëm). Dokumenti zyrtar i Paktit të Stabilitetit të eurogrupit sanksionon vendosjen e penaliteteve (gjoba) dhe kushte më të forta për ndihmat (që do të jepen nga Fondi i Shpëtimit). Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese e BE-së do të vendosë sanksione më të forta deri në një nivel prej 0,1% të PPB, për vendet që nuk do të miratojnë ligjin për barazi të llogarive publike në kushtetutat kombëtare dhe që nuk do të korrigjojnë automatikisht bilancet për të arritur objektivat. Sipas këtij dokumenti, thuhet se gjobat që do të vilen, do të derdhen në Fondin e përhershëm të shpëtimit të shteteve.
Nga ana tjetër, e drejta për të denoncuar te gjykatësit europianë një vend të padisiplinuar, do të ushtrohet si nga Komisioni Europian ashtu edhe nga një tjetër vend i eurozonës, që ka firmosur marrëveshjen.
Ky dokument përcakton gjithashtu edhe kushtet e vendosura nga ministrat europianë të Ekonomisë dhe Financave, për të përfituar nga ndërhyrja e fondit të shpëtimit, duke filluar nga 1 marsi i 2012-s. Nga ky moment, thuhet në dokumentin zyrtar të BE-së, nisja e programeve të reja të asistencës financiare përmes mekanizmit europian të shpëtimit do të kushtëzohet nga ratifikimi i traktatit të ri (të ashtuquajturit pakti i unifikimit fiskal) nga ana e vendeve të interesuara.
Gjithashtu, në këtë takim pritej që ministrat e Financave të eurozonës të miratonin marrëveshjen vullnetare të arritur nga qeveria Greke me investitorët privatë për shkëmbimin e borxhit grek, me shpresën për ta futur Greqinë në rrugën e shpëtimit nga falimentimi i shumëpërfolur. Por nuk ndodhi kështu. Dhe
KËRCËNIMI I PARË KRIZA E BORXHEVE SOVRANE
(GREQIA VAZHDON NË ZONËN E RREZIKUT TË FALIMENTIMIT)
U duk se Greqia (e zhytur aq thellë në borxhe), pas arritjes së marrëveshjes vullnetare të arritur mes qeverisë dhe investitorëve privatë për shkëmbimin e borxhit, po merrte kthesën e shumëpritur. Por në samitin e eurogrupit në Bruksel, ministrat e Financave të eurozonës (pas një diskutimi të nxehtë) kanë refuzuar ofertën e investitorëve privatë për këtë çështje, të paktën për momentin. Ata refuzuan që të pranojnë interes 4% për bonot e reja me maturim afatgjatë, që do jepen për investitorët në marrëveshjen që ul nga 160% në 120% të totalit të ekonomisë, borxhin publik të Greqisë. Investitorët të përfaqësuar nga Instituti për Financa Ndërkombëtare kërkuan një kupon të ri në 4% për bonot e reja.
Kjo është sa gjysma e interesit të bonove që zëvendësojnë. Ndërsa Greqia thotë se interesi duhet të jetë 3.5%. Mosmarrëveshja në këtë pikë ka ulur mundësinë për një shkëmbim vullnetar të borxhit dhe, si rezultat, jo vetëm që bllokojnë kredinë e re për Greqinë, por mund të ketë pasoja të rënda edhe për tregjet ndërkombëtare të fina
