E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një disk me arie klasike nga Inva Mula

Ëndrra e bukur e Inva Mulës
"Inva Mula - Il Bel Sogno", Botimet Virgin Classics. Sapo është hedhur në qarkullim kjo CD me repertor frëng dhe italian, të regjistruara me Orkestrën Filarmonike të Zagrebit (Zagreb Philharmonic Orchestra), nën drejtimin e Ivo Lipanovic-it.


Sopranoja shqiptare sapo ka hapur sezonin 2009-'10 të Operës së Parisit me rolin kryesor në "Mireille", operë tragjike e shek. të XIX kompozuar nga Charles Gounod, histori e shkruar nga poeti i provansës, nobelisti Frederik Mistral. Një dashuri e papërmbushur midis Mirelës, një vajzë e pasur dhe Vinsentit, një djalë i varfër.


Deri më 14 tetor, Mula këndon historinë e Mirelës në Palais Garnier, një vepër që rrallë vihet në skenë, e zgjedhur për simbolikë nga Nicolas Jowl, njëherësh regjisor, për të inauguruar mandatin e tij në krye të Operës së Parisit. Pikërisht tek kjo operë Mula e ka filluar karrierën si koriste para se të bëhej "diva".


Albumi "Il bel sogno" hapet me dy arie nga "Mireille": "Trahir Vincent" dhe "Voici la vaste". Sërish nga Gounod-ja, prej operës "Faust", ajo këndon ariet "Il etait un roi de Thule.. Ah! je ris" dhe "Il ne revient pas". Nga Massenet arien "Adieu, notre petite table" nga opera "Manon" dhe "Dis moi que je suis belle" nga "Thais".
Kaq është repertori frëng, për këto dhe për të tjera jashtë këtij albumi, Inva Mula është cilësuar "një nga më të mirat soprano "frënge" të ditëve të sotme."


Puccini zë vend kryesor me ariet "Chi il bel sogno di Doretta" aria e Magdës nga opera "La Rondine", arie që i ka dhënë emrin albumit të Mulës; dy arie nga "La Boheme", "Si, mi chiamano Mimi" dhe "Donde lieta usci", dhe nga opera buffa "Gianni Schicchi" arien e mrekullueshme "O mio babbino caro".


Dhe në fund Verdi jo arie nga tjetër opera se "La traviata": "Addio del passato" dhe "È strano! è strano!...Ah! fors è lui".
Janë të gjithë personazhe femërorë, të cilave Mula u jep ndjeshmëri të zjarrtë dhe dinjitetin e plagosur të heroinave të sakrifikuara.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›