E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohet qeveria e re, mungon opozita

Kuvendi miratoi dje me 74 vota pro dhe votën kundër të Vangjel Dules qeverinë dhe programin e ri qeverisës


TIRANË- Shqipëria ka tashmë qeverinë e saj të re të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit. Pavarësisht mospjesëmarrjes së opozitës dhe të kundërshtimeve të saj për mungesë legjitimiteti, Kuvendi i ri i Shqipërisë i mbledhur në seancën e tij të tretë, ka miratuar me 74 vota pro dhe një votë kundër, atë të kreut të PBDNJ-së Vangjel Dule, qeverinë e re të mazhorancës së djathtë të kryesuar sërish nga Sali Berisha.


Gjithashtu Kuvendi në të njëjtin votim ka miratuar edhe programin politik të kësaj qeverie të prezantuar nga Berisha, në më shumë se 70 minuta fjalim.


Seanca


Ashtu siç edhe pritej seanca e djeshme e Kuvendit të Shqipërisë nuk ka sjellë asnjë surprizë, ndërsa mazhoranca e vënë në rresht ka miratuar qeverinë e saj të re.


Pavarësisht elementëve festiv që kryetarja e Kuvendit ishte munduar sërish t'i jepte sallës së Kuvendit, duke e stolisur atë me fasho të gjata me ngjyrat e flamurit tonë kombëtar si dhe me degë dafinash si simbol i mbarësisë, seanca e djeshme ka qenë kopje e dy mbledhjeve të para, ku mosprania e opozitës ka lënë sërish gjurmë.


Kështu, kanë qenë thuajse sërish të njëjtët të ftuar, përfaqësuesit e trupit diplomatik, por jo në nivelet e tyre më të lartë, drejtues të institucioneve të pavarura, si Avokati i Popullit Ermir Dobjani, kreu i gjykatës Kushtetuese Vladimir Kristo, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, apo edhe ish-nënkryetari i Kuvendit Neritan Ceka.


Ndryshimi qëndronte vetëm tek të ftuarit e lozhës ballore, ku ishin sistemuar thuajse të gjithë ish-zëvendësministrat e kabinetit qeveritar "Berisha 1", si dhe të gjithë drejtuesit e administratës publike në institucionet kryesore shtetërore.


Gjithashtu dallimin e ka bërë edhe anëtari më i ri kësaj aleance qeverisëse kreu i LSI-së Ilir Meta, i cili duke harruar se nga vinte, është ndjerë komod dje ndërsa ka zënë vend në karrigen mes kryeministrit Berisha dhe Ministrit të Brendshëm Lulëzim Basha, me të cilët nuk ka lënë rast pa shtrënguar duart dhe pa uruar për çdo fjalim apo ndërhyrje që kanë bërë në seancë.


Gjithashtu në panelin e ministrave janë vënë re dhe disa figura të tjera që janë ulur për herë të parë në të, si dy ministrat e tjerë të LSI-së Dritan Prifti dhe Petrit Vasili, ministrat e tjerë demokrat, Ferdinand Xhaferri, Spiro Ksera apo edhe Arben Imami. Ndërkohë pavarësisht se nuk janë betuar, emrat e deputetëve socialistë janë shënuar për herë të parë për këtë legjislaturë edhe në tabelat elektronike të Kuvendit.


Miratimi


Bazuar edhe në Rregulloren e Kuvendit, kryeparlamentarja Jozefina Topalli menjëherë pas çeljes së punimeve, ka ftuar kryeministrit Sali Berisha që të paraqiste para deputetëve por edhe trupit diplomatik, programin politik të qeverisë së tij të re.


Në më shumë se një orë fjalim, shefi i rikonfirmuar i ekzekutivit ka prezantuar sfidat me të cilat sipas tij do të përballet kjo qeveri dhe çdo dikaster i saj në katër vitet e ardhshme, duke filluar nga financat, pensionet, taksat, bujqësia, mjedisi, integrimi, infrastruktura, energjitika etj.


Më pas fjalën e ka marrë zëvendëskryeministri i ri dhe Ministri i jashtëm Ilir Meta, i cili pasi ka bërë një prezantim të detajuar të sfidës së tij personale në krye të këtyre dy dikastereve, i ka kthyer edhe një përgjigje të gjithë atyre kritikëve të bashkëpunimit LSI-PD, duke e quajtur atë si në interes të vendit. Pas tij, edhe ministrat e tjerë të kabinetit qeveritar kanë bërë prezantimet e shkurta të programeve politike për secilën ministri.


Megjithatë seanca e djeshme ka dalë nga shinat e rregullores, pasi në mungesë të deputetëve opozitar, homologët e tyre të djathtë, nuk kanë qenë shumë të "qartë" për sfidat dhe kapacitetet e qeverisë së re, sa nuk kanë bërë asnjë pyetje, por vetëm e kanë përshëndetur atë.


Në përfundim kryetarja e Kuvendit duke lexuar emrat e ministrave të rinj, ka ftuar deputetët që nëpërmjet votimit me elektronikë të shprehnin vullnetin e tyre për kabinetin e ri qeveritar, ku 74 prej tyre votuan pro, dhe vetëm 1 kundër.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›