I merr makinën të atit, adoleshenti shtyp të miturin
AKSIDENTI/ Një 13-vjeçar ka humbur jetën mbrëmjen e së mërkurës i goditur nga një automjet
PËRMET- Merr pa leje automjetin e të atit, e drejton atë pa patentë dhe me shpejtësi, duke i marrë jetën një fëmije. Adoleshenti largohet më tej nga vendi i ngjarjes, pa dhënë as ndihmën e parë, ndërsa ndalimi i tij është bërë rreth një orë më pas.
Aksidenti
Një 13- vjeçar ka humbur jetën mbrëmjen e së mërkurës, ndërsa ka qenë duke luajtur me biçikletë. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 18:00 në komunën Sukë të rrethit të Përmetit.
Burime zyrtare të policisë kanë bërë të ditur se 13- vjeçari Besmir Kasaj, banor i fshatit Sukë, nxënës në klasën e tetë, ka qenë duke lëvizur me biçikletë, ndërsa është përplasur nga një automjet. Autori i aksidentit mësohet se është një adoleshent, bashkëfshatar i 13-vjeçarit.
"Në rrugën rurale që lidh komunën Sukë me qytetin e Këlcyrës, në qendër të kësaj komune, një automjet tip "Toyota" veturë, që drejtohej nga shtetasi Blerim Meraj, 17 vjeç, lindur dhe banues në fshatin e ri Sukë, nxënës në vitin e tretë në shkollën e mesme, ka aksidentuar shtetasin Besmir Kasaj, 13 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Sukë të rrethit Përmet",- ka bërë të ditur zëdhënësi i policisë, Gentian Mullai.
Goditja ka qenë mjaft e fortë, pasi i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme fëmijës, ndërsa autori i aksidentit, menjëherë pas ngjarjes, ka braktisur automjetin dhe është larguar. Të pranishmit në vendngjarje kanë shkuar menjëherë për të dhënë ndihmën e parë, por çdo gjë ka qenë e kotë, pasi 13- vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë.
Arrestimi
Ndërkaq, policia e njoftuar për ngjarjen është vënë në kërkim të autorit dhe ka mundur ta ndalojë atë rreth një orë pas ngjarjes. Adoleshenti u gjet i fshehur në banesën e tij. Mësohet se automjeti tip "Toyota" me të cilin ndodhi aksidenti i përkiste babait të adoleshentit.
Policia ka deklaruar se makina ishte blerë vetëm pak ditë më parë dhe dokumentet ishin në proces dhe për këtë arsye mbahej i mbyllur, ndërsa adoleshenti në mbrëmje e ka marrë atë pa leje dhe është nisur në drejtim të qytetit të Këlcyrës, kur ka ndodhur aksidenti.
Ndërkaq, grupi hetimor ka konkluduar nga dëshmitë e marra në vendngjarje si dhe nga veprimet e para proceduriale dhe hetimore se shkaku paraprak i këtij aksidenti është "tejkalimi i normave të lejuara të shpejtësisë në qendër të banuar".
Aksidentet janë kthyer në një problem shqetësues në qarkun e Gjirokastrës. 22 vetë kanë humbur jetën gjatë këtij viti në këtë rajon për shkak të shkeljes së rregullave të Kodit Rrugor.