Një ditë, Muriqi do të jetë kampion
Kelo Betankurt Marçano, trajner i Elvir Muriqit, beson se boksieri kosovar i ka të gjitha mundësitë dhe potencialin të shpallet kampion bote në kategorinë gjysmë të rëndë në versionin IBF. Trajneri, që në karrierën e tij ka stërvitur edhe mjaft boksierë të famshëm, ka folur për punën me 30-vjeçarin, që njihet ndryshe si “Kosovo Kid”. Për “kosovaboxing.org”, Marçano deklaroi: “Kam punuar me shumë boksierë dhe secili ka qenë i veçantë. Te Muriqi kam pasur shumë besim, që prej fillimeve të karrierës së tij. E dua si vëllain tim të vogël dhe mendoj se Elviri ka shumë potencial. Mund të bëhet kampion i botës, unë garantoj për këtë. Tashmë, ai zotëron eksperiencë të jashtëzakonshme në ring dhe punon shumë për të arritur objektivat. Thjesht duhet të presë rastin. Shumë shpejt ëndrra e tij do të bëhet realitet. Kosova për herë të parë do të ketë kampionin e saj të botës”. Në janar të vitit 2007, Muriqi kishte shansin të fitonte brezin e kampionit të IBF-së, por u mposht mes polemikave nga Antonio Tarver.
#