E Martë, 3 Nëntor 2026

Një ditë dimri në Sheqeras, amvisat përgatiten me kohë për dimrin. Burrat merren me blegtori

Sheqerasi ndodhet rreth 22 km larg nga qyteti i Korçës. Ky fshat është i pozicionuar në qendër të fushëgropës së Korçës dhe shoqërohet nga temperatura tepër të ulëta gjatë dimrit.

Në janar të vitit 1987 në këtë fshat është shënuar temperatura më e ulët gjatë dimrit duke shkuar në -26.8⁰C. Pavarësisht të ftohtit që bën në këtë fshat, banorët janë mësuar tashmë me këto temperatura ndërsa përgatiten që në verë për të përballuar muajt e dimrit. Ata merren kryesisht me blegtorinë gjatë kësaj kohe.

“Me rrugët nuk ka probleme, borëpastruesja vjen e pastron. Bën shumë ftohtë, mdezim zjarrin me dru. Ka të mirë se është qetësi dhe nuk kemi shqetësime nga zhurmat. Në Sheqeras banorët jetojnë në harmoni me njëri-tjetrin”, shprehen banorët.

Sheqerasi është një fshat i cili ka nisur të ekzistojë si qendër banimi pas tharjes së kënetës së Maliqit. Vetë emërtimi Sheqeras ka ardhur nga fakti se në këtë fshat kultivohej një sasi e madhe e Panxharit të Sheqerit në vend e cila më pas përpunohej në kombinatin e dikurshëm të Maliqit.

Në fshatin Sheqeras jetojnë rreth 2 mijë banorë.

Gazetare: G. Sali

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›