E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një duet për piano e violinë në TKOB

Fation Hoxholli

Një duet për piano e violinë do të luhet sot në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Do të interpretohen pjesë nga Brahms, Ysaye, Wieniawski e Paganini. Bëhet fjalë për një koncert të violinistit Fation Hoxholli dhe pianistes së njohur Merita Rexha Tërshana. Hoxholli u diplomua në vitin 2003 në Akademinë e Arteve. Në të njëjtin vit transferohet në Itali për të frekuentuar shkollën profesionale të muzikës Alto Perfezionamento Musicale në Saluzzo. Këtu fillojnë bashkëpunimet me Orkestrën Simfonike të Savonas dhe United Europe Chamber Orchestra të Milanos, shpesh në rolin e violinës së parë. Është vlerësuar me shumë çmime ndërkombëtare. Violina e tij ka luajtur në orkestrën e La Scala-s, Teatro Regio në Torino etj. Shoqërohet nga pianistja dhe pedagogia Merita Rexha Tërshana, fituese e shumë çmimeve, një nga artistet më të angazhuara në skenën muzikore. Ka dhënë koncerte jo vetëm në Shqipëri, por edhe në skena të huaja, ndërkohë që repertori i saj është shumë i pasur dhe përfshin nga baroku, deri te muzika bashkëkohore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›