Si e shpëtuam Xhevahir Spahiun nga miniera
Keqkuptimi i fjalimit të ish-diktatorit dhe dënimet.
Deponimi në gjyq i Fadil Paçramit: Ja lista e artistëve që paraqesin shfaqje të huaja.
Mjaftonte një fjalë e diktatorit, që gjithë burokratët dhe servilët ta zmadhonin, duke e shndërruar në një shkak tragjedie. Të tilla situata poeti Xhevahir Spahiu duket se nuk ka pasur pak. Në monografinë e promovuar vetëm pak ditë më parë, Sfidat e poetit, të shkrimtarit dhe studiuesit Nuri Dragoj, përshkruhen disa syresh. Njëra, që i solli dhe pasoja të njëpasnjëshme, lidhej me një fjalim të Enver Hoxhës në vitin 1977, ku ai thoshte se Xhevahir Spahiu ishte ndikuar nga Sartri, i cili ishte një maoist. Kaq mjaftoi që poetin ta veçonin, të zhvilloheshin mbledhje njëra pas tjetrës dhe në përfundim, erdhi si pasojë largimi nga gazeta Zëri i Popullit, heqja e së drejtës për botim dhe dërgimi në minierën e Valiasit. Do të duhej një ndërhyrje e Enver Hoxhës, që pas dy vjetësh atë ta rikthenin sërish. Ndërkohë, emri i Spahiut ishte lakuar edhe nëpër seanca hetimore. Ish-ministri i Kulturës e kishte lakuar shumë herë emrin e tij, si poet hermetist dhe që prezantonte shfaqje të huaja, bashkë me artistë të tjerë, si Ali Oseku, Moikom Zeqo, Fatos Arapi etj. Më tej, për këtë tregon Nuri Dragoj në monografinë e tij Sfidat e poetit.
Një deponim në zyrat sekrete të Hetuesisë
Xhevahirin e sulmonin njerëzit e regjimit, por edhe kundërshtarët e regjimit. I tillë ishte rasti i deponimeve të Fadil Paçramit në Hetuesi. Natyrisht kjo bëhej për dy arsye. E para, Fadil Paçrami ishte prangosur dhe mbi deklarimet e tij të shkruara, mund të shtohej çdo gjë që donte Sigurimi i Shtetit. E dyta, Ministria e Brendshme i përdorte shpesh këto forma: njerëzit që shpalleshin armiq pyeteshin qëllimisht për figura të larta të letërsisë, në mënyrë që të krijohej një njollë më e gjerë mbi këta të fundit. Sepse, kur pohoheshin akuza ndaj të tjerëve nga një i pandehur, që quhet armik, merreshin tërësisht në konsideratë nga regjimi monist. Ishte koha kur poeti Xhevahir Spahiu ishte në prag të mbijetesës, i paragjykuar dhe i kërcënuar nga hijet e regjimit. Kjo bie në sy edhe në këtë relacion sekret të formuluar në zyrat e Hetuesisë komuniste dhe të miratuar nga zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Feçorr Shehu, një nga figurat më të zellshme të prerjes së kokave në radhët e elitës shqiptare. Një pjesë e konsiderueshme e deponimeve të këtij relacioni të grupit hetimor janë konsiderata të Fadil Paçramit, thënë gjatë seancave të hetuesisë ndaj tij, sipas procesverbalit të mbajtur nga ekspertët e sajimit dhe fabrikimit të mëkateve dhe delikteve. Pjesa tjetër, sidomos ajo midis rreshtave, tregon zellin me të cilin këta ustallarë të sprovuar të së keqes, vënë në lëvizje ingranazhet vrasëse, nën të cilat mund të binte gjithkush që shmangej sadopak nga Vijat e bardha…
Miratohet Sekret
Zv/ministër i Punëve të Brendshme Ekz. Nr.1
Feçorr Shehu, Tiranë, 1.06.1977
Relacion
Mbi të implikuarin Xhevahir Spahiu

Kopertina e librit Sfidat e poetit
Xhevahir Myrteza Spahiu, i datëlindjes 1945, lindur në Skrapar e me banim në Tiranë, anëtar partie, me arsim të lartë, martuar, me punë korrespondent i Zërit të Popullit.
Gjatë ndjekjes dhe zbulimit të veprimtarisë armiqësore të grupit armik, antiparti, në sektorët e artit dhe kulturës, përfaqësuar nga Fadil Paçrami, Todi Lubonja e Dashnor Maraqi, rezulton se në ngarkim të Xhevahir Spahiut kanë dalë këto materiale:
I pandehuri Fadil Paçrami, në proceset hetimore ka deponuar:
… në poezitë hermetike, të cilat në vetvete paraqisnin paqartësi, linin shumë kuptime, ishin të errëta dhe shkaktonin keqkuptime e ide të shtrembra te lexuesit; më të dhënë për këtë çështje kanë qenë Fatos Arapi, Xhevahir Spahiu. Kjo është një tendencë e njohur në botën perëndimore dhe ka marrë një zhvillim kohët e fundit në Kosovë e, si rrjedhim, në vendin tonë u fut si rezultat dhe i kontakteve tona me poetët dhe krijimtarinë e tyre në Kosovë…
…Përveç pasojave që pati në krijimtari kjo veprimtari imja, pasoja të rënda shkaktoi në ndarjen në breza të krijuesve dhe në hedhjen në luftë midis tyre. Në fakt, shenja të ndarjeve në breza ka pasur dhe para vitit 1960, por kjo ndarje u bë më e dukshme dhe me pasoja pas viteve 60, sidomos në vitet e fundit, kur unë inkurajova një ndarje të tillë. Me pikëpamjen e ndarjes së brezave ka qenë dhe Xhevahir Spahiu.
Si rezultat i kësaj ndodhën gabime të llojeve të ndryshme, kryesisht me koncepte dhe shije të ndryshme, në bazë shoqërie e njohjeje, në bazë estetike, ose interesave të tjera, deri te ato lokaliste. Shumë krijues u tërhoqën, u bënë të pakënaqur për trajtimin që u bëhej, si nga unë dhe nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, ashtu dhe nga i ashtuquajturi brezi i ri. Dy nga të rinjtë, si Ali Oseku, hidhnin edhe fjalë fyese ndaj ish-pedagogëve të tyre, duke i quajtur thjesht bojaxhi. Duke vepruar në këtë mënyrë, u inkurajuan të rinjtë me pikëpamje të shtrembra ideoartistike, të cilët u bënë propagandues të shfaqjeve të huaja në letërsinë dhe artet tona, siç ishin Xhevahir Spahiu, Fatos Arapi, Sulejman Mato, Faslli Haliti, Moikom Zeqo, Ali Oseku, Llambi Blindo, Ksenofon Dilo, Nikolla Zoraqi, Shpëtim Kushta, Kristaq Dhamo, Minush Jero e ndonjë tjetër, që smë kujtohet. Kundërshtimet dhe acarimet midis këtyre grupeve shkuan duke u trashur. Unë këtu gabova, sepse mora anën e të rinjve. Këtë e bëra për vetë pikëpamjet e vjetra që kisha në këtë drejtim, qysh kur punoja me rininë….
Nga ky deponim del qartë ideja se Xhevahirin e sulmonin jo vetëm njerëzit e regjimit, por edhe kundërshtarët e regjimit.
Disa të dhëna të tjera
Xhevahir Spahiu, kur ka qenë në Përmet, ka pasur shoqëri me Arziko Ismailin, ish-sekretare e Komitetit të Partisë, e dënuar kohët e fundit me 10 vjet privim lirie për veprimtari armiqësore. Mbas arrestimit të Arziko Ismailit, në shtëpinë e saj, gjatë kontrollit është gjetur një material për një të ashtuquajtur simpozium mbi rakinë. Në këtë material bëhet fjalë, midis të tjerave, për tema e kumtesa që përçmojnë dhe ironizojnë mësimet e klasikëve të marksizëm-leninizmit dhe zhvillimin e këtyre mësimeve në mënyrë krijuese nga partia jonë. Aty janë planifikuar tema të tilla si:
-Çkanë thënë klasikët për rakinë
-Lufta kundër ideologjisë borgjeze, që nënvleftëson rolin e rakisë në revolucion
-Rakia dhe e ardhmja e njerëzimit
-Përmeti, si pellgu më i lashtë i rakisë
-Etimologjia e fjalës raki dhe zamzane
-Arkitektura e klubeve të rakisë
-Recitim nga Omar Khajami
-Si duhet ti prodhojë gotat e rakisë fabrika e qelqit në Kavajë.
***
Arziko Ismaili, e pyetur në gjyq, ka deklaruar se ky material është përgatitur nga Xhevahir Spahiu, në zyrën e saj, kur ajo ka qenë sekretare partie.
Duke u mbështetur në materialet e mësipërme, arrijmë në konkluzionin: Për Xhevahir Spahiun të informohet partia dhe materiali të ruhet.
Përgjegjësi i grupit hetimor
Elham Gjika
Përgjegjësi i grupit operativ
Nevzat Haznedari
Inkuizicion në zyrat e ZP-së
Arshin Xhezo përshkruan ditën e ndëshkimit të poetit dhe të largimit të tij nga gazeta Zëri i Po