Një e çarë në nihilizmin e Edi Ramës
Është folur shumë për nihilizmin e E. Ramës, duke u mbështetur në propagandën e tij të një retorike të përsëritur me të njëjtin fjalor të varfër, nëpër mediet e tij në të cilat flet tërë gjestikulacione, për të mbuluar mungesën e argumenteve. Por nihilizmi i vet tërësor për sukseset e tij imagjinare dhe për mohimin e të gjitha arritjeve të forcës politike kundërshtare,- tanimë në pushtet të sigurt, - gjendet në faqe të pambarueshme në “Kurbanin” e tij, vepër e cila duket se nuk është lexuar prej kreut e në fund, për mungesë durimi. Dy janë shkaqet kryesore: Fjalë të pakuptueshme, tërësisht jashtë standardit, të parafabrikuara prej tij, si në kovaçhane. Së dyti, fraza kilometrike, në të cilat ngatërrohen mes tyre kryefjalët, kallëzuesit dhe elementet e tjera sintaksore dhe si pasojë, doemos, mendimi e humbet tërësisht qartësinë. Le të lexohet në f. 107, periudha që përmban 34 rreshta, që të bindet cilido lexues. Që të jem konkret, në fjalët e sajuara nga autori, mund të përmenden vetëm disa: Tiranizuar. Ka lidhje me Tiranën, apo me tiraninë? (f. 427). Alienuar (111). Burime të aksesueshme (350). Mëkatarë gojëpashmagje (22). Hipokriziak (22) Ka lidhje me hipokrizën? Jo. Duhet kuptuar në kontekst: pasion hipokriziak dashka të thotë pasion hipokrit! S’ka e s’do të ketë fjalor që t’i zbërthejë fjalët e sajuara të tij. Aferë kuçedrike (152). Duhet të përqendrohesh thellë që të kuptosh se e ka fjalën për afera kuçedrash! I shtrembëron fjalët subjektivisht: Vandalizuar (65), indeferentizuar (378). Çdo të thotë me atë “të reja dollandërdisuara? (70), e të tjera e të tjera.
Hiperbolat në këtë libër ta bien në majë të hundës. Për lexuesin e zakonshëm po themi se hiperbolat nuk janë figura tepër të zmadhuara, por edhe tepër të zvogëluara. Ta thashë 100 herë e ti s’po më kupton. Por edhe më jep një pikë ujë (për pak ujë).
Ndër të parat janë mrekullitë që ka bërë në rrugët e në bojërat “pallatizuese” ( f.107. S’mund të thuhet dot “e pallateve!”) . Të çmend, si të ishte një Narciz e shkuar tij, me ato autolëvdatat e bojatisjeve me ngjyra të zeza sterrë, apo shigjetat shtrembanike! Arkitekti dhe esteti Petraq Kolevica e ka telendisur publikisht, por Rama kënaqet me vetveten!
Para se të vemi te rrugët, ajo “pallatizuese” më nxit që t’u drejtohem gjuhëtarëve, që nuk kanë guxuar të shfaqen publikisht përpara këtij “bastardizimi” gjuhësor, që Rama s’do ta kishte për gjë ta shprehte atë fjalë me sajesën e tij “kaopilizím”! Ndërsa mund të shkruhej fare mirë “zvetënim”. I ndieri Ardian Klosi ka bërë mirë që s’e ka vënë emrin e tij në “Kurbanin” e zvetënuar fund e kreje, as si recensent, as si korrektor, as si redaktor. Nuk mund ta mbaronte jetën me një sakrilegj të tillë! Ky nuk është vetëm mendimi im. Dhe nuk besoj që t’i dalë njeri në mbrojtje Ramës, në pikëpamje gjuhësore! Shkurt, as në këtë apologji të tijën me një titull që e ka flijuar atë vetë për të gjitha të pavërtetat e tij.
Dhe tani vijmë te rrugët. Ato po i nxjerrin bathët tani, kur z. Lulzim Basha po bën rrugë pas rrugësh, që i nxjerrin blof mburrjet e autorit të “Kurbanit” që edhe rrugën kryesore, atë përqark ministrive, e kishte lënë gropa-gropa. E dinë amortizatorët e makinave se ç’kanë hequr! Tani po na dalin rrugët njëra pas tjetrës, brenda qytetit të Tiranës, që janë lënë për ibret. Kujt duhet t’i besojmë: “Kurbanit”, apo kamerave që po e përgënjeshtrojnë “Kurbanin”? Megjithatë z. Lulzim Basha qetësisht dhe pa mburrje po bën atë që duhej të kishte bërë Edi Rama. Sa për lavdinë që i jep vetes në atë “Kurbanin” e tij, kuptohet se ato janë gdhendur jo në të vërtetën, por janë shkruar në rërë. Mjafton vetëm një fllad i lehtë, që t’i fshijë, si autolëvdata që i merr era.
Saimir Tahiri vajti në Kombinat për të vëzhguar një rrugë që po rikonstruktohet nga Bashkia e z. Lulzim Basha. Por Tahiri vajti për lesh dhe u kthye i rruar e i kruar, siç thuhet në popull. Në njësinë bashkiake Nr. 6 të Kombinatit, u takua me banorë të rr. “Hamdi Cenomeri”. Atje u ndodh përpara një të papriture të hidhur ose përpara një fakti të kryer, siç thuhet në gjuhë të huaj. Sepse Saimiri vajti të nxitë një protestë të kallëpit që tanimë është shndërruar në një ritual . Veçse e ndjeu edhe vetë se i kishte ngecur sharra në gozhdë! Në rrugën Cenoimeri” punimet kishin filluar prej kohësh për rehabilitimin e saj. Atje, madjé mori edhe një lajm të hidhur: se kjo është njëra prej disa dhjetëra rrugëve që po i nënshtrohen rikonstruksionit, sipas një projekti të miratuar nga Këshilli Bashkiak. Rrugët do të inspektohen nga kryebashkiaku L. Basha. Atje Tahiri mësoi se rruga që kishte parë ishte e braktisur, si shumë të tjera në Tiranë, nga kryetari i tij, që mburrej se e kishte bërë Tiranën qytet modern, me rrugët për bukurí! Një gazetë që nuk magjepset lehtësisht nga hiperbolat e Ramës, kishte shkruar me këtë rast: “E rrallë, Tahiri në Kombinat sulmon Ramën dhe lavdëron Bashën!” I gjendur përpara kësaj të papriture, Saimir Tahiri tha edhe një fjalë gudulisëse në dobi të Ramës: “Ka ikur koha kur qytetarët mund të kënaqen vetëm me asfalt!”. Harroi të thoshte se si do të kënaqeshin pa asfalt! – siç na kishte kënaqur Edi, me lugë të zbrazët... Saimiri shpresoi të ishte e vërtetë që rruga ka filluar të bëhet përgjysmë! Por u përgënjeshtrua edhe në atë që tha se do të bëheshin vetëm 900 metra dhe pjesa tjetër do të lihej pa bërë! Sa për fjalët - që s’kishte nevojë t’i thoshte Tahiri, - se “rrugët duhej të përfshinin kanalizimet përkatëse si edhe punimet infrastrukturore” , dikush nga të pranishmit paskësh ngritur zërin: “Hajde baba, të të tregoj arat!”. T’i kishte bërë rrugët kryetari i hershëm i Bashkisë me kriteret që shfaqi Tahiri, ato nuk do të katandiseshin në atë gjendje për t’u vajtuar me oi! Sesi po i bën kryetari i tanishëm i Bashkisë, po i shohin të gjithë njerëzit në emisionet televizive!