E Diel, 1 Nëntor 2026

Të gjitha partitë e qendrës demokrate të globit mbështesin fitoren e Berishës në zgjedhjet e ardhshme

23-09-2012 / Gazeta 55

Përfaqësues të mbi 150 partive të qendrës demokrate, nga të katër anët e globit, kanë mbështetur dje në Romë fitoren e Berishës edhe për një mandat tjetër qeverisës, pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Kryeministri Berisha, deklaroi gjatë fjalës së tij, se PD-ja do ta ketë një mandat të ri, falë angazhimit dhe besimit ndaj lirisë dhe vlerave

Kryeministri Sali Berisha mori pjese në punimet e Ndërkombëtares së Demokratëve të Qendrës, që u zhvillua në Romë, në ambientet e Parlamentit Italian. Në këtë takim, ndërsa Kryeministri Sali Berisha, u shpreh për një mandat të ri të PD-së në zgjedhjet e ardhshme, falë angazhimit të palëkundur dhe besim të fortë të treguar ndaj lirisë dhe  vlerave, të gjitha partitë e qendrës demokrate të globit mbështetën fitoren e Kryeministri shqiptar.
Në takimin që u drejtua nga Presidenti i Internacionales së Demokratëve të Qendrës, zoti Pier Ferdinando Casini, morën pjesë liderë politikë nga vendet anëtare, ndër të cilët kryeministrat e Spanjës, Irlandës, Hungarisë dhe Greqisë.
Në fokus të eventit ishte rëndësia e ndërtimit të konsensusit dhe qëndrimit të përbashkët mes të gjitha partive politike, anëtare të Ndërkombëtares së Demokratëve të Qendrës, në kuadrin e momenteve të vështira që po kalon Evropa, Afrika e Veriut, Lindja e Mesme dhe rajonet e tjera të botës.
Kryeministri Berisha iu drejtua punimeve të këtij eventi me një fjalë, ku vuri theksin në kthimin tek liritë si rruga më e mirë për daljen nga kriza që ka përfshirë Evropën dhe botën.
Kryeministri Berisha u shpreh se vlerat e lirisë, demokracisë dhe tregut, që janë konsoliduar në Shqipëri, janë në themel të zhvillimit të saj të jashtëzakonshëm në 20 vjet, që nga rrëzimi i diktaturës komuniste dhe përballimit me sukses të krizës ekonomike botërore.
Kryeministri shprehu mirënjohjen për CDI, e cila prej rënies së perdes së hekurt ishte për Shqipërinë një aleat, partner i madh, që e ndihmoi të përqafojë rrugën e tregut të lirë dhe demokracisë.
“Jam krenar që ju drejtohem sot, sepse ky është një vit i veçantë për vendin tim, viti i 100 vjetorit të pavarësisë sonë. Pavarësia e Shqipërisë u shpall 100 vite më parë, por ai ishte gjithashtu një vit vendimesh të tmerrshme për ndarjen më të padrejtë të territoreve shqiptare, që i shkaktuan një humbje të madhe vendit tim: vështirësi, diktaturë, pushtime, tha Kryeministri, duke shtuar se falë ndihmës së partnerëve ndërkombëtarë, sot Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s, shqiptarët janë të lirë, Shqipëria është një vend i lirë, që punon shumë për të ardhmen e tij”. “Rastësisht, në këtë vit të 100 vjetorit të pavarësisë, Shqipëria kryeson institucionin më të vjetër demokratik në Europë, Këshillin e Europës. Ne si kryesues kemi zgjedhur një objektiv, adoptimin e motos ‘Të bashkuar në diversitet’. E kemi zgjedhur këtë moto sepse nëse e shikoni kombin shqiptar, ai është një vend multifetar, është një vend marrëdhëniesh të shkëlqyera fetare, një vend që respekton plotësisht besimet fetare. Asnjëherë në historinë e vendit, nuk ka pasur incidentin më të vogël fetar. Të gjithë themeluesit e rilindjes sonë ishin në të njëjtën kohë udhëheqës fetarë, por mund të lexoni që kurrë nuk mund të identifikoni fenë të cilës i përkisnin. Kështu do të bëjmë më të mirën tonë. Në muajt që do të vijnë, në Tiranë do të zhvillohet një Samit i 41 krerë shtetesh, për të debatuar mbi dialogun ndërfetar dhe tolerancën fetare”, tha Kryeministri Berisha.
Kryeministri gjithashtu foli edhe mbi reagimet pas shfaqjes së filmit shumë të diskutuar “Pafajësia e myslimanëve”. “Imamët në Shqipëri ishin të pakënaqur, por ata i bënë thirrje ndjekësve të tyre, në respekt të profetit të adhuruar Muhamed, të japin gjak për fëmijët talasemikë, të sigurojnë libra falas për të rinjtë, për t’i edukuar më mirë. Imamët arritën në përfundimin se kjo është mënyra më e mirë për ta nderuar profetin. Unë besoj se kombi im mund të japë shembuj të mirë në një prej çështjeve më të ndjeshme të kësaj kohe, një tjetër mënyrë që kemi zgjedhur për të afruar vendet e pranverës arabe me Këshillin e Evropës. Besoj se procesi në vendet arabe është i pakthyeshëm. Është një proces më i vështirë se procesi ynë i daljes nga diktatura komuniste në një shoqëri të lirë, sepse ata nuk kanë shembuj, nuk kanë modelin. Modeli, në përgjithësi, është në anën tjetër të Mesdheut. Prandaj do të jetë vendimtare, jetësore që vendet e lira të afrohen me ta; që institucionet evropiane, think-tank-et e tyre, t’i ndihmojnë ata për të ndërtuar një shoqëri të lirë dhe demokraci të konsoliduar”, u shpreh Berisha. “Kryesia jonë do të merret me të rinjtë, që tashmë po bëhet çështja më e ndjeshme në kontinentin tonë. Nëse e shikoni këtë krizë do të shihni se më të prekurit prej saj janë të rinjtë. Është një krizë që po gllabëron pjesën më të rëndësishme të energjisë së shoqërisë, që është energjia e të rinjve. Le të shohim të gjithë bashkë çfarë të bëjmë më mirë për ta, si të bëjmë përpjekjet më të mëdha për punësimin e tyre, për të përmirësuar situatën e tyre”, theksoi kreu i qeverisë shqiptare.
Duke folur mbi arritjet e Shqipërisë, Kryeministri nënvizoi se, “20 vjet më parë Shqipëria ishte një nga tre vendet më të varfra në botë. Ne kishim të ardhura për frymë prej 204 dollarë amerikanë, pranë Angolës dhe Ugandës. Sot Shqipëria i përket grupit të vendeve me të ardhura të mesme, të larta. Shqipëria ende nuk është një vend i zhvilluar, por ka arritur të ketë disa indekse të ndjeshme të vendeve të zhvilluara, dhe jam shumë krenar që shumica e tyre lidhen me njeriun: vdekshmëria foshnjore një shifrore, vdekshmëria amësore një shifrore, vdekshmëria është me e ulët se në çdo vend ish-komunist; në indeksin për sa i përket banesave për 1000 banorë  kemi lënë pas 5 ose 6 vende anëtare të BE”.
Shqipëria, vijoi Kryeministri, “gjatë këtyre 20 viteve ka treguar se çfarëdo ka arritur e ka arritur  duke respektuar liritë, dhe mbi të gjitha liritë e tregut”. “Disa javë më parë një studim i institucioneve shumë serioze tregoi se vendi im për sa i përket lirive ekonomike është ngjitur nga vendi i 32-të në vendin e 12-të. Ne gjithashtu jemi një nga 10 qeveritë më të vogla në botë”, u shpreh Berisha.
Kryeministri Berisha gjithashtu foli edhe rreth zgjedhjeve të vitit 2013, duke theksuar se PD duket se do të fitojë një mandat të ri.
“Shqipëria po shkon drejt zgjedhjeve dhe ju ftoj të vini, të dërgoni vëzhgues në këto zgjedhje. Duket sikur Partia Demokratike e Shqipërisë do të ketë një mandat të ri sepse ka treguar një angazhim të palëkundur dhe besim të fortë ndaj lirisë dhe  vlerave që ndajmë së bashku”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Takimit të Demokratëve të Qendrës i drejtuan fjalime edhe kryeministri i Spanjës, ai i Irlandës, kryeministri i Hungarisë dhe ai i Greqisë. Një fjalë përshëndetëse mbajti edhe Kryeministri i Italisë, Mario Monti. Në fillim të punimeve të saj,  Demokratët e Qendrës zgjodhën organet  drejtuese.
Më herët, në kuadër të pjesëmarrjes në këtë aktivitet të rëndësishëm, me ftesë të Kryeministrit Italian, Kryeministri Berisha mori pjesë në një drekë të shtruar për nder të kryeministrave pjesëmarrës në këtë aktivitet.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›