E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një e dhënë e re për flamurin e Princ Vidit

Flamuri që ruhet në fondin etnografik të Qendrës së Studimeve Albanologjike, është flamuri i jahtit të Princ Vidit


Në gazetën "Shekulli" të datës 5 shtator 2004 kam botuar shkrimin "Vilhelm Wied, armët e fjetura të Princit", ku tregoja për flamurin origjinal të Princ Vidit dhe historinë e rizbulimit të tij në arkivat tona mbas një harrese gjashtëdhjetë vjeçare.
Ndër të tjera shkruaja:


"Ekzistojnë të gjitha mundësitë që flamuri të jetë përgatitur në Gjermani. Flamuri ka përmasat 156X140 cm, pra gati katror. Copa është një pëlhurë e hollë dhe e leshtë, e ngjyer me të kuq.

Thuajse në të gjithë sipërfaqen e tij, nga të dyja anët, është stampuar një shqiponjë e zezë dy krerëshe, aspak e ngjashme me shqiponjën e flamurit tonë. Ka ndryshim në krahë, në kthetra, e sidomos në dy krerët, tepër të vegjël për atë madhësi shqiponje. Në gjoksin e saj dallohet shqyti i verdhë dhe një pallua blu. shtë ky një shartim i simboleve shqiptare me ato të familjes Fon Wied".

"Flamurit i mungon një pjesë e tërë nga e djathta e tij. Dikush i ka qepur me makinë një pëlhurë të kuqe të mëndafshtë, që është sa gjysma e flamurit, e mbi të ka modeluar me copë të zezë flatrat e shqiponjës, që i mungojnë pjesërisht. Nuk dihet nëse ky dëmtim i ka ardhur flamurit pas ikjes së Princ Vidit".

I bërë kurioz për këtë dëmtim të flamurit dhe restaurimin dosido, herë pas here jam munduar të gjej shkakun e vërtetë. Kam vëzhguar shumë flamuj që valaviten, nëpër shtylla, e kudo, për të parë se çfarë ndodh me ta dhe vetëm rastësisht, duke udhëtuar me vapor në linjën Korfuz-Igumenicë pashë flamurin e anijes që valavitej si i tërbuar.

Pjesa e tij, që është në të kundërt të vendit ku kalon litari, ishte shqyer si në rastin e flamurit të Princ Vidit. Pastaj vëzhgova, e vëzhgova shumë raste të tjerë dhe bëra krahasimet edhe me flamujt që valaviten në shtylla në tokë.


Dëmtimi i flamujve ndodh në pjesën që valavitet më shumë dhe më me forcë dhe kjo ndodh nga një erë e fuqishme, e vazhduar, që mund të fryjë vetëm në det. Në rastin tonë konkret kjo nuk mund të ndodhte, aq më tepër që periudha e qëndrimit të Princ Vidit në Shqipëri ishte mars-shtator, në një sezon pa erëra të fuqishme, që do të shkaktonin dëmtimin deri në shkatarrim të flamurit.


Kështu, duke u nisur nga mënyra e dëmtimit, mund të themi, se flamuri që ruhet në fondin etnografik të Qendrës së Studimeve Albanologjike, është flamuri i jahtit të Princ Vidit.

Dhe ky konstatim është një e dhënë më tepër që plotëson dosjen muzeale të këtij objekti historik.
Kush e ka "restauruar", duke i bërë një përforcim? Hë për hë kemi vetëm hamendësime.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›