E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Rama: Hetoni financat e të arrestuarve

Kryeprokurorja i tërheq vëmendjen vartësve gjatë analizës së punës së Krimeve të Rënda

TIRANË- Kryeprokurorja Ina Rama i ka kërkuar dje vartësve të saj që të jenë më të kujdesshëm në hetimin e financiar të personave të akuzuar për trafiqe.

Ajo ka shfrytëzuar analizën e Krimeve të Rënda për të vlerësuar punën e bërë gjatë vitit 2008. "Ju kërkoj që ndër te tjera një rëndësi të veçantë t'i kushtoni hetimit financiar të të pandehurve të akuzuar për trafiqe të ndryshme.

Pasi është kjo pasuri e vendosur në mënyrë të paligjshme apo në kurriz të personave të tjerë si në rastet e trafikut të femrave",- tha Rama. Ndërkohë, kreu i këtij institucioni, prokurori Olsian Çela, pohoi se problemi më shqetësues është mos ekzekutimi i letër-porosive.

"Shumë nga hetimet paraqitën vështirësi për shkak të 23 letër-porosive ende të pa ekzekutuara. Ekzekutimi i tyre lidhet me perspektivën e zgjidhjes së procedimeve penale për të cilat është formuluar.

Rastet më të shpeshta që lidhen me kërkesat drejt Greqisë dhe Italisë, ku të dy këto shtete kanë të pa ekzekutuara nga nëntë letër-porosi. Gjatë vitit 2008 janë ekzekutuar vetëm gjashtë letër-porosi, nga të cilat vetëm dy nga Greqia dhe asnjë nga shteti Italian.

Kjo shifër është shumë e ulët, nëse i referohemi numrit të atyre ende të pa ekzekutuara dhe nevojës së ndihmës juridike për faktet kriminale të konsumuara jashtë territorit të shtetit shqiptar",- theksoi Çela.

Gjithashtu, në analizën vjetore prokurori Çela renditi edhe dosjet e hetuara gjatë vitit 2008, që sipas tij, kapin shifrën e rreth 243 procedimeve penale, nga të cilat 106 të mbartura që nga vitet e mëparshme dhe 141 dosje të regjistruara vetëm gjatë vitit 2008. F.Vezaj

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›