E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një edicion i bereqetshëm

Rrjedha teatrore e edicionit të fundit të Festivalit Teatri Ndryshe vërtetë shënoi një bereqet artistik. Ishin nëntë shfaqje të ndryshme, të cilat, njëra pas tjetrës, kontribuuan në vazhdimin e rritjes së festivalit teatror ambiental në Podujevë.

Pas betejave të shumta, Kali nga Pellazgia po kthehej, për të sjell mesazhe të mira për njerëzit e këtij qyteti, për mërgatën dhe për mysafirët e shumtë. Interpretimi i performancës me kalë nëpër lumin Llap, nga aktori Ismet Azemi, ishte ndër mesazhet më atraktive të festivalit. Gjatë asaj nate shumë qytetarë llapjanë kishin braktisur qytetin, dhe ishin përqendruar në të dyja anët e lumit, prej nga po e ndiqnin me interesim të jashtëzakonshëm këtë performancë teatrore.

Sipas dramaturgut llapjan, Naser Shatrolli, teatri gradualisht po mishërohet me filmin, kështu që edhe trupat teatrore po e sjellin këtë vizion në imazhin e tyre.

“Secila shfaqje ka thënë diçka origjinale. Mbase, pjesa dërmuese e tyre kanë sjell një bereqet të konsiderueshëm teatror. Rumania, për shembull, me shfaqjen ‘The Water of Havel’, të autorit Matei Visniec, me regji të Vadas Lasszlo’s, dhe të luajtur mjeshtërisht nga aktorët Romul Morutna dhe Irina Melnic, ka sjellë diçka që ndryshon nga rutina ditore”, thekson Shatrolli, derisa lavdëron edhe trupën e Teatrit Metropol (nga Tirana) dhe shfaqjen “Karnavalet Korçës”, të Spiro Çomorës, në regji të Elma Dorezit, dhe me aktrim të Devis Mukës, Ima Gjoncit, Marsela Lenës, Klodian Hoxhës, Lorenc Kajës, Jonida Çungës e Oriana Camës.

Hiç më keq nuk u prezantua as Tetari Dodona, me shfaqjen “Çifti i Hapur”, të Dario Fo dhe Franca Rame, në regjinë të Kushtrim Koliqit, dhe me aktrim të Besart Sllamnikut dhe Edona Reshitajt.

“Ishte kjo një shfaqje serioze, moderne, e ndërtuar deri në skajin e mundshëm regjisorial e interpretativ”, sqaron Shatrolli për Express.

Teatri Kombëtar i Kosovës, me shfaqjen spektakolare të Fadil Hysajt, “Shtëpia në Ankand” ishte projekti tjetër madhor, me një kastë të zgjeruar të aktorëve, si Ard Islami, Alban Makolli, Driada Matoshi, Luan Daka, Adem Zhitopotoku, Sheqrije Buqaj, Afrim Kasapolli, Zeta Gimolli Vedat Haxhislami, Shpëtim Kastrati, Kremtim Krasniqi, Igballe Qena etj.

Natyrisht, ishin edhe shfaqjet tjera që, secila në mënyrën e vetë, bartën elemente atraktive e me peshë në kuadër të kësaj garniture artistike. Mitrovica, me dramën e Ridvan Dibrës, “Na të Birt e Shekullit të ri” dramë e Ridvan Dibrës, dhe me regji të Ben Apollonit, u luajt nga Mirsad Ferati dhe Leonora Hasani; Peja erdhi me shfaqjen e Eric Emmanuel Schmitt “Variacione Enigmatike”, me regji të Behar Zenelajt dhe me aktrim të Sylejman Lokajt, Nimon Muçajt, Rudina Zharës...; Prizreni, me “Një Letër e Humbur”, të autorit Ion Luca Caragia, me regji të Agim Selimit, dhe me aktorët Fetah Paçarizi, Xhevdet Doda, Alban Krasniqi, Ernest Malazogu, Afrim Muçaj, Zana Duraku, Alban Çela, Alban Morina; dhe Tetova, me “Me Grusht Tehut të Thikës”, të Sulejman Rushitit, ishin shfaqjet për të cilat publiku tashmë dha verdiktin më të mirë, për punën dhe rrjedhën e platformës së tyre artistike.

“Këto teatro tashmë e kanë në duar epitetin e teatrove profesioniste. Mendoj se festivali gradualisht po merr ngjyrat e tij, po ndërton imazhin e tij autorial, dhe po përcjell mesazhe të forta në raport me rrjedhën dhe dinamikën teatrore.

Ky festival pjesërisht po zhvillohet në ambiente të hapura, gjë që e bënë edhe më të veçantë. Kjo, për faktin se na e përkujton gjenezën e kësaj fushe arti, dhe jep mesazhe se maskat nuk janë gjithmonë ato që zëvendësojnë fjalën, veprimin real në tokë, në gurë, në ujë ose në natyrë. Pra, aty ku lisi lëshon rrënjët e veta”, shprehet Shatrolli, derisa përshkruan përshtypjet e tij nga festivali.

Meqë edhe mërgata ishte në shënjestër të programit, ansambli i valleve dhe këngëve “Rexhep Mitrovica”, me një koreografi të ndërtuar jashtëzakonisht mirë nga koreografi vendor, Haki Mulliqi, bëri që publiku të mishërohej me rrjedhën e vetë festivalit Teatri Ndryshe. Paralelisht, punëtoria dhe ligjërata mbi teatrin dhe rrjedhën e dramaturgjisë amerikane në rrethanat kontemporane karshi teatrit evropian, gjegjësisht për rrjedhat ballkanike dhe për promovimin e dramës shqipe, e profesorit universitar nga SHBA, dr. David McTier, dhe pesë dramat e autorit shqiptar, Haqif Mulliqi, ishin dy ngjarje tjera që shënuan një mozaik përmbajtjesor.

Gjithsesi, në këtë mes, nuk duhet harruar as premtimi i nikoqirit festivalit, kryetarit të Podujevës, që, brenda një viti, në Podujevë do të funksionalizohet teatri profesionist i qytetit.

“Gjithsesi, mendoj se edhe vetë struktura e kësaj ngjarjeje artistike, duke filluar që nga drejtori artistik, Agron Gërguri, dhe duke vazhduar me gjithë të tjerët që morën pjesë në organizim, bënë që festivali sivjet të reflektojë imazhin e asaj që quhet Teatër Ndryshe”, përfundon Shatrolli.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›