Një ekspozitë e jashtëzakonshme
Ekspozita me veprat e Ibrahim Kodrës mbahet në bashkëpunim me Galerinë Kombëtare të Arteve të Shqipërisë, me Fondacionin Ibrahim Kodra nga Italia, me koleksionistin Kozma Dashi dhe me disa koleksione të tjera private.
Të pranishmëve iu drejtuan drejtori i GAK, Erzen Shkololli, dhe drejtori i GKA, Rubens Shima, i cili është dhe kurator i ekspozitës.
"Në janar të këtij viti, e ftuam z. Shimën që ekspozitën, e cila në muajin prill u hap në Galerinë Kombëtare të Tiranës, atë ta sillte edhe te ne. Ajo tani është pjesë e aktiviteteve që po organizohen nga Ministria e Kulturës për nder të 100-vjetorit të pavarësisë", sqaroi Shkololli.
"Kjo është një ekspozitë retrospektive e artistit së njohur, Ibrahim Kodra, një emër shumë i përfolur por vepra e të cilit asnjëherë nuk u studiua në bllok - në kuptimin retrospektiv didaktik të zhvillimit të karrierës së tij artistike. Për këtë arsye, një vit më parë, mora iniciativën për të shqyrtuar gjithë materialin pamor të artistit, e cila kryesisht ndodhet jashtë vendit. Nga një shqyrtim i kujdesshëm i veprave që ruan Fondacioni Kodra, në Milano, me galeri dhe koleksione të ndryshme në Milano bëra një përzgjedhje të 49 veprave të Kordës.
Ekspozita fillon me peizazhin e Tiranës, të vitit 1938, dhe mbyllet me pikturën e fundit të Kodrës, që ai e pikturoi një javë para vdekjes. Gjatë vizitës së publikut në ekspozitë, e ftoj shikuesin që ta shikojë me vëmendje ekspozitën dhe, njëkohësisht, e ftoj atë për një proces meditimi, për t’i kuptuar tonalitetet dhe informacionet që ruan vepra e Kodrës", theksoi drejtori i GKA’së, Rubens Shima.
Nga ana tjetër, sipas Shkolollit, përveç 49 veprave të përzgjedhura nga Shima, ekspozita përmban edhe katër vepra të Kodrës që janë pjesë e koleksionit të GAK.
Shkololli dhe Rubensi nënvizuan se bashkëpunime të tilla mes dy galerive do të ketë edhe viteve të ardhshme, kryesisht përmes shkëmbimit të ekspozitave, ose përmes ekspozitave që do të organizohen bashkërisht.
Për Kodrën
Ndrysh, piktori Ibrahim Kodra u lind në fshatin Ishëm, të Tiranës, në vitin 1918. Fëmijërinë e kaloi në kushte të vështira ekonomike dhe politike që mbretëronin në Shqipërinë e pas Luftës së Parë Botërore. Pasi përfundoi mësimin e përgjithshëm, në mesin e viteve të 30’a Kodra regjistroi shkollën e posa hapur të artit në Tiranë, ‘Shkolla e Vizatimit’. Më vonë, në vitin 1938, duke përfituar nga marrëdhëniet e afërta ndërmjet Mbretërisë së Shqipërisë dhe Italisë, Kodra përfitoi një bursë studimi për Akademinë e Arteve Brera, në Milano. U shpërngul në Itali dhe studioi pikturën, te profesorët Carra, Funi e Carpi. Pas përfundimit të studimeve, Kodra mbetet në Milano, ku, në kohën e mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, hap atelierin e tij. Duke filluar që nga viti 1948, Kodra bëhet pjesë e ekspozitave të rëndësishme kolektive që organizoheshin në Itali dhe në Paris. Në këto ekspozita merrte pjesë përkrah artistëve më të njohur të Evropës.
Karriera e tij artistike kulmon me pjesëmarrje në Ekspozitën e Universitetit të Parisit, në vitin 1953, ku veç tij ekspozuan edhe Picasso, Chagall, Matisse, Modigliani, etj. Prej atëherë Kodra bëhet piktor i njohur në Itali dhe më gjerë, dhe fillon me ekspozita individuale në muze e galeri të ndryshme evropiane dhe në SHBA, respektivisht në New York. (Princess Hall Gallery, 1963). Në vitin 1973, Ibrahim Kodra dekorohet nga Akademia e Arteve, Shkencave dhe Letërsisë e Francës.
Deri në fund të jetës (më 2006) jetoi dhe punoi në atelierin e tij në Milano, në sheshin Ragosta.
Kubizmi i Kodrës
Pikturat e Ibrahim Kodrës paraqesin një ndërlidhje të çuditshme të botëve; të botës së tij origjinale, e bartte nga vendlindja - me motive dhe historinë e saj, që shtypi italian shpeshherë i cilësonte si orientale - dhe skemave artistike perëndimore që ishin pjesë e avangardës së fillim-shekullit 20. Kjo përzierje e bën Kodrën një artist tejet të veçantë për periudhën kur jetoi e punoi. Sipas kritikut, Carlo Bo, megjithëse i ardhur nga një kulturë tjetër, Kodra nuk hyn në një marrëdhënie inferiore me botën dhe artin perëndimor, duke iu nënshtruar normave dhe estetikës së tij, përkundrazi duke përdorur gjuhën e avangardës (kubizmin e surealizmin) ai vetëm sa e përforcon formimin e tij të ndryshëm dhe gjuhën e tij origjinale, e cila tregon haptas lashtësinë e saj. Kështu, kubizmi i Kodrës nuk është një përpjekje për shpërbërjen e objektit, por për ribërjen e tij, duke e shndërruar pikturën në një mjet tejet preciz, në funksionin e të kuptuarit dhe të gjykuarit të artit dhe kulturës perëndimore. Krejt kjo përmes zgjedhjes së rrugës së përballjes kritike me këtë të fundit.