E Hënë, 2 Nëntor 2026

Një fëmijë vritet çdo ditë nga sulmet izraelite në Liban

Të paktën një fëmijë vritet çdo ditë nga operacionet ushtarake të Izraelit në Liban, thekson Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF).

Sipas të dhënave të UNICEF-it të 4 tetorit, të paktën një fëmijë humb jetën dhe dhjetë të tjerë plagosen çdo ditë në Liban për shkak të luftës.

“Mijëra fëmijë të tjerë, të cilët i mbijetuan muajve të tëra granatimeve të pamëshirshme fizikisht të padëmtuara, kanë pësuar trauma akute psikologjike nga dhuna dhe kaosi rreth tyre”, shton UNICEF në deklaratën e saj.

Agjencia shpjegon se fëmijët në të gjithë vendin po tregojnë shenja alarmante se janë të prekur emocionalisht dhe në sjellje nga lufta e vazhdueshme Izrael-Hezbollah.

“Ekipet e UNICEF-it hasën fëmijë të kapluar nga frika paralizuese dhe nivele të larta ankthi, duke përfshirë ankthin e ndarjes, frikën nga humbja, tërheqjen, agresionin dhe vështirësinë për t’u përqëndruar”, tha agjencia e OKB.

Sipas të dhënave nga Ministria libaneze e Shëndetësisë, që nga 8 tetori 2023, kur lëvizja shiite Hezbollah hapi një front me Izraelin për të mbështetur lëvizjen islamike palestineze Hamas, 166 fëmijë janë vrarë dhe 1,168 të tjerë janë plagosur në Liban. /vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›