E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një feminizëm afgan

Të qenit një grua e edukuar, profesionale, në Afganistan, nuk ka mundur të jetë e lehtë në cilëndo kohë gjatë dekadave të fundit. Tash vonë u takova me një grup të zyrtareve qeveritare, të dërguara në Washington nga ana e USAID-së dhe Këshilli i grave i SHBA-Afganistanit. Njëra prej tyre, gjatë viteve të talebanëve, e kishte udhëhequr një shkollë nëntokësore në shtëpinë e saj për qëllimin kriminel të edukimit të vajzave. Një tjetër e kishte ndërtuar një program për zhvillimin e komunitetit, duke punësuar 25 mijë gra afgane para se të vendosej nën vrojtim të afërt nga talebanët. Shtëpia e saj u plaçkit dhe fëmijët e saj u kërcënuan me kidnapim.

Afganistani është një shtet ku gratë kanë bërë përparim të rëndësishëm, por vetëm kur krahasohet me një të kaluar që në tërësi ishte shtypëse. Tani ka afro 2 milionë vajza në shkolla, kur para gjashtë viteve vetëm një milion njerëz shkonin në shkolla. Gratë të cilat i takova, tani luajnë rol të madh publik në edukim, punë publike dhe agrikulturë, gjëra të paparamenduara nën talebanët. Sidoqoftë, Afganistani është gjithashtu një komb në të cilin acidi u gjuhet vajzave në fytyrë, gjersa shkojnë në shkollë dhe policet femra dhe zyrtaret publike janë cak për vrasje. Talebanët dhe ekstremistët e huaj duket se tregojnë interesim të madh, llojin e interesit, të cilin Frojdi do të mund ta shpjegonte në ngacmimin, shtypjen dhe poshtërimin e femrave.

Dhe qëndrimet patriarkale nuk janë të kufizuara vetëm nëpër skajet e këtij shteti. Ligji shiit për familje, tash vonë i miratuar nga parlamenti afgan dhe i nënshkruar nga presidenti Hamid Karzai, e legalizoi dhunimin martesor dhe kufizoi udhëtimin e femrave (Nën presionin shtëpiak dhe ndërkombëtar, Ligji është duke u rishikuar). Afganistani mbetet njëri nga vendet më të vështira në botë për të qenë femër. Një reagim i mllefit dhe militantizmit do të ishte i kuptueshëm. Por gratë afgane me të cilat u takova, kanë një qasje tjetër. Të gjitha së bashku, ato argumentojnë se "edukimi" është përgjigja më e rëndësishme. Me edukim, ato nuk nënkuptojnë vetëm shkrim e këndim. "Njerëzit duhet të edukohen në vlerat e vetë religjionit tonë," thotë Rahela Hashim Sidiqi, një këshilltare e lartë në Komisionin për shërbime civile të Afganistanit. "Ata kanë nevojë të mësojnë nga shtetet e tjera islamike, si Indonezia dhe Bangladeshi. Edhe nëpër shtetet arabe, edukimi

nuk është një gjë e cila iu mohohet". Sfida kryesore, thotë Sidiqi, është "mungesa e edukimit për vetë islamin, posaçërisht nëpër rajone rurale, ku kultura dhe islami

janë të përziera. Njerëzit nuk e shohin dallimin në mes traditës dhe religjionit". Këto gra flasin për mësimet e Kuranit për të drejtat e pronave dhe respektit për gra si burim i reformës progresive përbrenda kulturës afgane. Ato flasin me respekt të posaçëm për Khadijah, gruan e Muhamedit, e cila, thonë ato, ka qenë e edukuar dhe ka udhëhequr një biznes, gjersa ka qenë e martuar me profetin. Dhe i identifikojnë një varg të imamëve afganë, të cilët i mbrojnë këto pikëpamje. "Ata janë çelësi," thotë Sidiqi. "Ne kemi nevojë për një qasje pozitive". Qartazi, ky është një tjetër lloj i feminizmit. Në vend se të marrin një koncept individual të të drejtave, këto gra po argumentojnë për respekt dhe mbrojtje legale nga përbrenda traditës së tyre religjioze. Ato nuk kërkojnë të përmbysin një rend kulturor, por ta zgjerojnë dhe ta humanizojnë. "Nëse të mbash shami tregon respekt," thotë Sidiqi, "unë e mbaj shaminë." "Ne i respektojmë njerëzit e tjerë, dhe ne presim respekt." Kjo qasje konservative ndaj ndryshimit shoqëror mund të jetë e vetmja qasje, e cila funksionon në një shoqëri tejet tradicionale. Të drejtat e grave afgane nuk shihen gjithmonë si pjesë e përparme e interesave amerikane. Disa "realistp" të politikës së jashtme duken të hapur ndaj marrëveshjeve me grupe islamike në Afganistan, të cilat

do të sakrifikonin të drejtat e njeriut vetëm për hir të stabilitetit. Disa konservativë duket se e shohin tërë ndërtimin e kombit si një inxhinieri sociale, përtej mundësisë sonë dhe përtej brengosjes sonë. Këto gra e japin një kundërshtim praktik. Ato cekin se rindërtimi i Afganistanit nuk do të ndodhë pa diturinë dhe aftësitë e 52 përqind të popullatës. Ato besojnë se gratë në Afganistan e kanë përparësinë politike e të qenit të panjollosura nga luftërat dhe korrupsioni i së kaluarës; se e paraqesin një mundësi për politikën e Afganistanit që të nisë nga e para. Dhe kanë parë, sipas Sidiqit, "që gratë gjithmonë po luftojnë për sundimin e ligjit, sepse gratë dhe fëmijët lëndohen më së shumti kur nuk ka sundim të ligjit". Pse duhet Amerika, në mes të një lufte që kushton shumë, të brengoset për të drejtat e grave afgane? Sepse Afganistani, pa pjesëmarrjen e Afganistanit, do të mbetet një shtet i dështuar dhe i rrezikshëm. Dhe ekziston edhe një arsye tjetër, sepse

tradhtimi i guximit gjithmonë ka rëndësi dhe gjithmonë i çnderon ata të cilët e bëjnë. Dinjiteti i grave nuk është e vetmja arsye pse Amerika lufton në Afganistan, por është një arsye tejet e mirë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›