Një fiksion i vërtetë

Romani, të cilin autori e cilëson si fiksion të vërtetë strukturohet në tri pjesë me nga gjashtë rrëfime, përfshirë edhe tregime të cilat funksionojnë si minirrëfime fusnotash.
Në vend të prologut ka për titull In mortum, pasojnë tri pjesët e librit si Talianka dhe dy dashuri me rrëfimet Marshi i vdekjes së lehtë, Talianka dhe dy dashuri, Talianka dhe cubnia, Ardhja e papritur e Perrisë, Zjarri magjik, Dhjetë udhëzime dashnije. Ndërsa, në pjesën e dytë me titull Talianka dhe librat përfshihen po ashtu gjashtë rrëfime si Groposja, Kumbulla e ferrit, Thana e gjarpinjve, Arra e breshanës, E premtja e zezë, Shtëpia e braktisur dhe, në pjesën e tretë të titulluar Talianka dhe rrëfime të tjera, përmblidhen rrëfimet Talianka, Minat dhe Maria, Një parabolë në Kishë, Zona e minuar, një Flashback në rrëfyestore, Kthimi dhe për epilog ka epitekstin Post Mortum.
Sipas studiuesit Ag Apolloni, romani Talianka i Agron Y. Gashit është një rrëfim fluid i përbërë nga dy linja narrative: historike dhe erotike. Rrëfimi ndërtohet nga inserte të ndryshme të një harku kohor nga pushtimi i Shqipërisë nga Italia e deri te koha e pasluftës në Kosovë, një invencioni ideo-tematik ky i realizuar nëpërmjet teknikave të avancuara të rrëfimit letrar, prandaj edhe dominon sasia e informacionit.
Sipas Apollonit, romani Talianka, i ndërtuar sipas paradigmës postmoderne, është një roman që e konsolidon modelin, duke operuar me rrëfime në formë paranteze, digresioni e kolazhi. Në të praktikohen shumë teknika për të krijuar pluralizmin diskursiv, larminë tematike, peshën ideore dhe mozaikun formal. Si i tillë, romani Talianka i Agron Y. Gashit është një vepër mjeshtërore që e pasuron letërsinë bashkëkohore shqiptare.
Ndërsa, studiuesi dhe prozatori Gëzim Aliu në mes të tjerash thotë se “romani Talianka përmes rrëfimit të rrjedhshëm paraqet ndërlikimet e tradicionales me modernen, historikes dhe bashkëkohores, lokales dhe botërores. Rrëfehet jeta e një personazhi të jashtëzakonshëm dhe njëkohësisht të zakonshëm.
Ky libër në të vërtetë, në prozën bashkëkohore shqiptare, e posaçërisht prozën shqipe të Kosovës, paraqet rrëfimin e parë pa komplekse për ngjarje që autori i tekstit i ka përjetuar vetë dhe kryesisht i ka dëgjuar nga dëshmitari që edhe është personazhi kryesor i veprës së tij”.
Romanin e botoi shtëpia botuese OM, Prishtinë, 2012.