Një film ndryshe

Filmi flet për një person (Luanin) që vuan nga sëmundja e kancerit, por i cili, në vend se të dorëzohet, e lufton atë. Ai kancerin në këtë rast e sheh si një person me emrin Tomor.
Lufta mes Luanit e Tomorit është e ftohtë dhe e egër.
Në film luajnë aktorët Selatin Ademi, Mirsad Ferati dhe Bashkim Ramadani.
Filmi është financuar dhe prodhuar nga kompania Envinion, në regji të Çlirim Uskanës. Është ky një film i shkurtër, por me buxhet të lartë, i xhiruar me kamerë 35 milimetërshe dhe nga një ekip profesionist.
Ndryshe, producenti dhe regjisori i filmit mundohet që të prodhojë filma që për synim nuk kanë vetëm luftën - ashtu siç është bërë trend.
“Shumica e filmave t5ë xhiruar në këto dhjetë vitet e fundit janë orientuar vetëm rreth luftës në Kosovë, edhe pse ne kemi me qindra tema tjera dhe interesante, të cilat nuk po trajtohen. Filmat tanë kryesisht trajtojnë vuajtje dhe urrejtje, dhe paraqesin anën më të keqe të jetës. Unë po mundohem që t’i kap këto problemet tjera. Ato ndoshta i ka vetëm ndonjë individ i caktuar, megjithëse, nga ana tjetër, me to mund të përballet çdokush. Këtë lloje temash i servoj me një dozë humori të zi”, shprehet Uskana.
Edhe pse filmi “Dhurata e Zotit” ka pasur një buxhet të mjaftueshëm për realizim në nivelin e arritur, Uksana është i bindur se edhe me një buxhet shumë të vogël mund të bëhet një film shumë i mirë, sepse primare është ideja, e pastaj vjen teknologjia.
Sipas Uksanës, gjatë fundvitit pritet të fillojnë xhirimet e filmit të ardhshëm. Filmi i ardhshëm do të jetë i zhanrit komedi, dhe do të trajtojë “urinë e njerëzve për të fituar sa më shumë para, për një kohë shumë të shkurtër”, sqaron Uksana.