Dënohet sulmi ndaj ambasadës britanike në Teheran

Cameron ka dënuar dështimin e autoriteteve iraniane për të mbrojtur ndërtesat britanike të martën, duke e cilësuar atë si një "turp" dhe ka thënë se qeveria e tij do të shqyrtojë parasysh se çfarë masash të ndërmerren gjatë ditëve të ardhshme.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka dënuar sulmet "me termat më të ashpër", ndërsa presidenti amerikan, Barack Obama, i ka bërë thirrje Iranit t’i detyrojë përgjegjësit e këtij sulmi të japin llogari.
Nga ana tjetër, ministria e Jashtme ruse i ka quajtur sulmet si të "papranueshme dhe që meritojnë dënim".
Zyrtarët britanikë njoftuan se gjithë personeli ishte i sigurt pas sulmeve në ambasadën britanike në Teheran dhe në një kompleks të dytë britanik, në veri të Teheranit.
Zyrat në të dyja vendet janë plaçkitur, ndërsa në ambasadë, mbështetësit iranianë kanë tërhequr poshtë flamurin britanik, e kanë djegur atë, dhe e kanë zëvendësuar me flamurin iranian. Në ndërkohë, Britania ka tërhequr personelin e saj diplomatik nga Teherani.