E Diel, 1 Nëntor 2026

Një fitore dhe goli i 14 kënaqin Skelën ndaj Andorrës

Synimi Kapiteni parashikon një sfidë të vështirë ndaj modestëve që mbrohet me shumë forca

Ndaj Malit të Zi, një dëmtim i mohoi të drejtën për të qenë pjesë e fitores të rëndësishme. Por Ervin Skela, kapiteni i Kombëtares, aktualisht pa skuadër, do të jetë i gatshëm ndaj Andorrës, ku përveç fitores së kuqezinjve ai do të synojë edhe një gol personal. Me 13 gola të realizuar, Skela është shënuesi i dytë më i mirë i Kombëtares, pas Alban Bushit (14), por nëse Bushi nuk thirret prej kohësh, Skela është ende aktiv dhe ka ende shumë shanse të bëhet golashënuesi më i mirë i Shqipërisë. “Do të gëzoja shumë nëse do të shënoja edhe golin e 14. Golin tim do t’ia dedikoja djalit dhe gjithë fëmijëve që festojnë (dje). Një fitore do të ishte një kënaqësi për të gjithë tifozët”, shprehet Skela në konferencën për shtyp. Goli i tij i fundit në Kombëtare ishte pikërisht në fitoren 1-0 ndaj Irlandës së Veriut. Për sa i përket përballjes me modestët e Andorrës, kapiteni nënvizon se “në radhë të parë shpresoj të fitojmë. Duke parë edhe rezultatet e fundit të Andorrës, ku Anglia u ka shënuar gol pas minutës së 70, them se do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Kundërshtarët dinë të mbrohen shumë mirë dhe mendoj se do ta kemi të vështirë të realizojmë golin e parë. Duhet të motivohemi që në minutën e parë dhe të krijojmë atë besim edhe te tifozët, që ne duam ta fitojmë ndeshjen”. Një tjetër mendim i fantazistit shkon për trajnerin dhe grupin aktual të futbollistëve. “U bë një vit që po punojmë me trajnerin e ri, pohon Skela. Ai ka një ide shumë të qartë për ecurinë në këto eliminatore të Kampionatit Europian. Kemi krijuar një grup shumë të mirë, kemi afruar dhe shumë lojtarë të rinj, të cilët janë djem të shkëlqyer. Gjithë grupi është bindur në atë çfarë do të kërkojë në këtë edicion. Në këto ndeshje miqësore që kemi zhvilluar deri tani kemi arritur rezultate pozitive dhe duhet të ruajmë vazhdimësinë”. Bakajn e shikon si një pasardhës në rolin e tij. Në aspektin personal, synimi i tij është të gjejë një ekip sa më shpejtë të jetë e mundur. Kotbuzi është një kapitull i mbyllur, Frankfurti është një nostalgji. Gjithsesi për momentin nuk ka asnjë ofertë dhe dëshira e tij është të vazhdojë në Gjermani, për të mirën e karrierës, por edhe të familjes së tij.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›