Trajneri Kuzhe: Pa goleadë, kënaqem edhe me lojë të mirë
Pa fitores me Malin e Zi, Josip Kuzhe pret një tjetër rezultat pozitiv nga përfaqësuesja shqiptare përballë Andorrës. Megjithatë, trajneri nuk e nënvlerëson kundërshtarin që do të zbresë sot në orën 20.00 në “Qemal Stafa” përballë kuqezinjve. Ai thekson se do të kënaqej me një fitore të arritur me lojë të mirë, mbi të gjitha në fazën ofensive, edhe nëse Shqipëria nuk do të dhurojë goleadë.
Shqipëria paraqitet në këtë miqësore pa katër titullarë. Mendoni se kjo mund të ndikojë përballë Andorrës?
Mungesa e katër lojtarëve (Cana, Bogdani, Curri e Dallku) është mjaft e rëndësishme për ekipin tonë, megjithëse në eliminatoret e ardhshme do të kemi 23 elementë në dispozicion. Por, këto mungesa bëjnë që kundër Andorrës të luajnë pak a shumë të gjithë ata që kemi grumbulluar. Mbi të gjitha ky do të jetë një test për lojtarët që nuk kanë luajtur. Unë kam besim te të gjithë; mund të them se Shqipëria nuk do të zhgënjejë.
Me çfarë formacioni do ta nisni ndeshjen?
Në portë do të luajë Hidi, më pas në mbrojtje janë Vangjeli, Agolli, Lila e Vrapi. Në mesfushë janë Duro, Hyka, Bulku, Skela, Salihi dhe Kapllani në sulm.
Po paraqitni 11-shen më të mirë që ka mbetur nga ky grumbullim?
Pas fitores me Malin e Zi, rezultati pozitiv edhe kundër Andorrës është i rëndësishëm, sepse kjo të ndihmon për të ruajtur një atmosferë të mirë brenda skuadrës. Jam i bindur se kemi potencialin për të fituar edhe në miqësoren e radhës dhe të vazhdojmë ecurinë e mirë. Synimi ynë është të bëjmë më të mirën me lojtarët në dispozicion.
Lila në Podgoricë u aktivizua si shkatërrues, tashmë spostohet në qendër të mbrojtjes, ndërsa në të vërtetë ai është një mbrojtës krahu. Kuzhe, ku e sheh më mirë në përfaqësuese?
Lila ka luajtur shumë mirë në miqësoren me Malin e Zi dhe pas asaj ndeshjeje, mund të them se ai ishte fitorja më e madhe në miqësoren e parë. Tashmë kam një tjetër futbollist, për të cilin mund të them se i besoj 100 për qind. Por, miqësorja në Podgoricë nga takimi me Andorrën kanë specifika të ndryshme: në sfidën e parë duhej të ishim të kujdesshëm në mbrojtje, ndërsa tashmë duhet të rrezikojmë më shumë. Gjithsesi, jam i kënaqur për faktin se Lila është një lojtar që mund të luajë si në ndeshjet kur mbrohemi, ashtu edhe në ato kur duhet të sulmojmë.
Po kundër Andorrës, preferoni të fitoni ndeshjen apo lojtarë të tjerë të vlefshëm?
Të dyja! Janë mjaft të rëndësishme. Dua rezultat, por edhe lojtarë për të ardhmen e Kombëtares. Do të më pëlqente që pas Andorrës të thosha: E fituam edhe një tjetër lojtar.
A jeni i vetëdijshëm për presionin e opinionit nëse Shqipëria nuk fiton?
Kjo nuk është një sfidë e lehtë, ashtu si mund të mendojë dikush. është më se normale që opinioni pret fitoren, pasi ne jemi skuadra më e fortë. Nëse nuk ia arrijmë, problemi më i madh është për trajnerin. Në futboll mund të ndodhë gjithçka, por ne po përgatitemi në mënyrë profesionale dhe jemi shumë të motivuar. Në këtë ndeshje duhet të jemi shumë të kujdesshëm: kam dëshirë të fitojmë. Por, edhe nëse nuk fitojmë me 3 apo 4 gola diferencë, përsëri do të isha i kënaqur nëse skuadra do të paraqiste një nivel të mirë loje, mbi të gjitha në fazën sulmuese. Personalisht do të mjaftohesha edhe me kaq.
Përpara startit të eliminatoreve, ju mbetet edhe një miqësore për të luajtur. A keni ndonjë preferencë?
Para takimit me Rumaninë dëshiroj edhe një tjetër miqësore jashtë fushe, me një skuadër që luan në mënyrë të ngjashme me kundërshtarët tanë. Megjithatë, pas një viti pune me Kombëtaren, e kam një ide të qartë për lojtarët, skuadrën dhe mënyrën e lojës. Në gusht dua thjesht të testoj idetë e mia. Pavarësisht rezultatit në miqësoren e fundit, nëse paraqesim nivel të kënaqshëm loje, kam besim se do të luajmë mirë edhe kundër rumunëve.
çfarë mendimi keni për Rumaninë?
Shqipëria ka fituar siguri në mbrojtje, por duhet të shohim edhe nga sulmi për të marrë sa më shumë pikë. Ua kam thënë lojtarëve: me Rumaninë duhet të mos lejojmë hapësira mbrapa dhe në të njëjtën kohë të arrijmë të shfaqemi të rrezikshëm në sulm. Përveç rumunëve, të cilët besoj se do t’i vëzhgojmë edhe një herë në gusht, jemi munduar të ndjekim edhe Bosnjën apo Bjellorusinë, kundërshtarët e tetorit në grup.
#