Një foto që flet shumë, ekonomia në pikiatë dhe një paralajmërim i fortë i FMN
Ministri ynë i Financave, i përjetshmi në atë post, është shfaqur në një nga ato mbrëmjet gala, ku shkon aristokracia e re e Shqipërisë. Si lajm është përcjellë fakti se ai është në një lidhje të re. Por ajo që na intereson më shumë është se me kë ulet në tavolinë ministri ynë i Financave. Bashkë me të është edhe një biznesmen i njohur me emrin Gimja e RedBullit, pak më tutje është Sandri i Klanit. Janë dy njerëz që kanë kapur shtetin, e sigurisht edhe Ridvanin, dhe po i çojnë financat shqiptare në pikatë. Mijëra njerëz që qëndrojnë në radhë për të paguar gjobat arbitrare të policisë janë tregues i një shteti të falimentuar, që mbledh edhe grimcat për të mbijetuar. Pasi la në detyrë Kunatin e Gimes, për të mbledhur tatimet e bizneseve të mëdha, Ridvani u detyrua ta largonte pasi e çoi atë drejtori në pikiatë. Biznesmenët rrinë me duar në xhepa e sodisin një shtet që nuk bën më tendera, që nuk ka para në arkë, që ka shkurtuar buxhetin kushedi sa herë e që nuk ka ndërmend të çojë buxhet në Kuvend siç bënte më parë Berisha kur mburrej që në qershor se kishte përgatitur draftin. Por kjo nuk i bën më përshtypje ministrit, që duket se ngopet më fjalimet e Berishës se ekonomia jonë është si ajo e Gjermanisë. Së fundmi një shuplakë e FMN mbërriti për qeverinë shqiptare. Ajo thotë se Shqipëria po përkeqëson financat publike, në një kohë që mbarë Europa po merr masa. Borxhi do i marrë frymën Shqipërisë dhe kjo për dy arsye.
Së pari Shqipëria është vendi i dytë me borxhin më të lartë në ekonomitë në zhvillim të Europës, pas Hungarisë, me diferencë të theksuar nga vendet e tjera që vijnë më pas. Së dyti, një tjetër rrezik, sipas FMN, është pesha e madhe e borxhit afatshkurtër, që ka qeveria shqiptare. Rreth 37 për qind e totalit të borxhit publik të vendit është me afat deri në 1 vit. Kjo shifër, që është mbi 4 herë më e madhe se mesatarja e rajonit e vendos qeverinë në një pozicion të vështirë dhe në nevojë të vazhdueshme për para, për të shlyer detyrimet ose për rinovimin e tyre.
Këto janë fjalë në ajër për një kryeministër të çmendur, e për një ministër të djersitur. E kanë çuar ekonominë shqiptare në fije të perit, kanë tre vjet që marrin një rritje prej 2-2.5 përqind, shumë më të vogël se ajo që u sillte shqiptarëve qeveria socialiste para vitit 2005, dhe zgërdhihen nëpër tribuna, tavolina e kafene. Kanë vite që nuk përmendin kurrë asnjë fjalë për papunësinë. Kanë kohë që nuk thonë asnjë çerek fjale për cilësinë në arsim e mjekësi. Grabisin si të babëzitur edhe atë skrap që ka mbetur derisa ta çojnë gjithçka në kolaps total. Pastaj mund tua dorëzojnë të tjerëve pushtetin qetësisht. Siç bënë në vitin 1997. Ndërsa ne do arratisemi sërish në dyert e Europës, e cila nuk do na pranojë më.