Zjarr masiv pranë “Farmacisë 10” në Tiranë, 11 persona përfundojnë në QSUT

Një zjarr i përmasave të konsiderueshme ka përfshirë një pallat pasditen e së martës (14 prill) në zonën e njohur si “Farmacia 10” në Tiranë, duke shkaktuar panik te banorët e zonës.
Sipas pamjeve nga vendngjarja, flakët kanë qenë të fuqishme dhe kanë përfshirë një pjesë të konsiderueshme të ndërtesës, ndërsa forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë menjëherë për vënien nën kontroll të situatës.
Burime bëjnë me dije se në QSUT është shpallur gatishmëri në repartin e urgjencës dhe atë të djegie-plastikës. Deri më tani, 11 persona janë paraqitur për ndihmë mjekësore.
Ende nuk dihen shkaqet e rënies së zjarrit, ndërsa nuk ka një bilanc zyrtar për dëmet materiale apo për persona të lënduar rëndë.
Autoritetet vijojnë operacionin për shuarjen e plotë të flakëve dhe po monitorojnë situatën për evakuimin e mundshëm të banorëve. Ndërkohë, pritet një reagim zyrtar që do të hedhë më shumë dritë mbi rrethanat e ngjarjes.
/rtsh.al/