E Diel, 1 Nëntor 2026

Një historik që shpjegon mercenarizmin e sotëm të disa ish-të përndjekurve të rënë nga vakti

14-10-2012 / Nga Eden Babani

Le ta them qysh në fillim, që të jem i qetë: Së largu, e mbështes shpirtërisht grevën e urisë të disa ish-të përndjekurve politikë, por jo përtej kufirit të sensibilizimit të opinionit publik për nevojat ekonomike urgjente që ka kjo shtresë e shoqërisë sonë të sotme. Përtej këtij caku, ndahem prej saj në mënyrë kategorike. Sa për vetësakrifikimin duke u djegur me benzinë, as që bëhet fjalë. Madje, me arsyetimin e thjeshtë se jeta e njeriut nuk vlerësohet me para, ngul këmbë se po përjetojmë një lloj sakrifice tejskajshëm të panevojshme. Në këtë kontekst uroj të mos dëgjojmë më këtej e tutje për veprime të tilla çnjerëzore, ndërsa të lënguarve u dëshiroj shërim të shpejtë, që ta jetojnë jetën siç e ka dhënë I Madhi Zot. Për të tjerat, bashkohem pa rezervë me gjithçka kanë shkruar përpara meje bashkëvuajtësit Lekë Mirakaj, Sejdi Peka etj. Nuk i heq asnjë presje artikullit të zotit Rexhep Shahu: “Sa kushton një jan pallah”. Them kështu, pasi ku Lezha, ku Zharri!... Ku qëllimi i Jan Palach, ku i atij që demonstron përpara kamerave televizive se si do të marrë flakë, qoftë ky shqiptar, çek, polak, kinez a eskimez. Madje, për një bashkatdhetar, ndjej dhimbje të thellë në shpirt, aq më tepër kur mendoj se është keqpërdorur prej politikës, siç po qartësohet përherë më shumë prej mediave. Nga ky këndvështrim, sipas meje, është absurde t’i japësh fund jetës për disa miliona lekë, edhe se ato të takojnë pa pikë dyshimi. Ka plot rrugë të tjera mirëkuptimi për t’ia arritur qëllimit: përmes ballafaqimesh, dialogësh, përmes padive të ligjshme etj. Në fund të fundit, edhe përmes grevash, ama brenda kuadrit ligjor, siç ndodh në të gjitha vendet demokratike.
Gjesti i vetësakrifikimit është i papranueshëm botërisht si nga pikëpamja humane, ashtu si edhe nga ajo fetare. Do të përjashtoja vetësakrifikimin për çështje madhore siç është, fjala vjen liria. Me të drejtë, poeti i famshëm hungarez shkruante: “Për dashuri, fal jetën. Për liri, fal dashurinë”. Që të tria – jeta, dashuria dhe liria – janë kategori sublime. Dhe, nëse njeriu sakrifikon për vlera të tilla, emrin e tij, do ta shkruajë historia.
Gjysma e dytë shekullit të kaluar, shënoi disa raste vetësakrifikimi me djegie në vendet e Europës Lindore, ku sunduan regjimet komuniste. Përmend profesorin polak Ryszard Siwiec, i cili në shtator të 1968-s, i vuri flakën vetes për të protestuar kundër pushtimit të Çekosllovakisë prej trupave të Traktatit të Varshavës. Për të njëjtin qëllim, u vetësakrifikuan studentë çekë Jan Palach (janar, 1969) dhe Jan Zajic (shkurt, 1969), pasi që tanket sovjetike patën marshuar mbi Pragë në gusht 1968. Gjatë viteve ‘70, lituanezi Romas Kalanta dhe disidenti ukrainas Oleksa Hirnyk u vetëdogjën për të protestuar kundër dhunës dhe abuzimeve të autoriteteve sovjetike ndaj gjuhës dhe kulturës së vendit të tyre.
Rastet që solla, flasin qartë për vetësakrifikim në emër të diçka sublimeje, e cila qëndron përmbi interesat e individëve të veçantë ose të një grupi individësh. Nuk përjashtohet që gjesti i tyre demonstrativ, tronditi mbarë botën komuniste, duke bërë, ndoshta, që protestat në rritje kundër regjimeve pro-sovjetike të përshpejtonin rënien e Murit të Berlinit. Ideja për t’u vetëdjegur e dy grevistëve të Tiranës në emër të shtresës të ish të përndjekurve politikë, nuk rezulton e pranueshme, përderisa nuk është arritur ende mbështetja e tyre unanime për vetë grevën. Njëzet grevistë dhe një grusht mbështetësish ekstremistë, janë shumë pak në krahasim me dhjetëra-mijërat e tyre. Sipas meje shkaqet e vërteta të grevës, si edhe pasojat, duhen kërkuar jashtë saj. Po t’i rikthehemi historisë së këtyre 20-22 vjetëve të fundit, do të konstatojmë se një pjesë e spektrit tonë politik ka mbetur ende tepër e varfër me nocionet e demokracisë, ndonëse shumë e zhdërvjelltë për të keqpërdorur njerëzit në nevojë. Opozita jonë e majtë, s’ka ditur të bëjë kurrë një mea-culpa, për të njohur krimet ndaj ish të përndjekurve politikë prej paraardhësve, të cilëve u trashëgoi jo vetëm anësinë politike, jo vetëm ADN-në, por edhe zakonet komuniste që burojnë nga krimi. Nga ky këndvështrim, grevistët dhe ata që tentuan të vetëdigjeshin duhen konsideruar ose viktima të makinës propagandistike të së majtës, ose, më keq akoma, njerëz pa personalitet që janë gati t’ia shesin veten kujtdo.
Tashmë, grevat e urisë të ish-të përndjekurve politikë nga regjimi komunist, kanë historikun e tyre. Greva e parë, ajo e fillimit të viteve ‘90, pati burra që ishin përballuar me burgjet komuniste për prirjet e tyre të mirëfillte politike, jo për agjitacion e propagandë, jo për tentativa arratisjeje ose, edhe më keq, jo për të fshehur skandale familjare a farefisnore, me një nen politik. Në këtë kontekst, edhe greva e urisë e të ndjerit Pjetër Arbnori. Ajo nuk ishte kolektive, por individuale dhe dinjitoze. Ish-i burgosuri i diktaturës komuniste, nuk vuri kushte parash, por qëllimesh. Sot jemi të gjithë dëshmitarë se ai do të fikej për t’u vetëflijuar, ama kurrë për t’u vetëdjegur përpara një takëmi kamerash që mezi presin të regjistrojnë një viktimë, kurban të Edi Ramës, siç bënë 21 janarin e 2011-s, me synimin që t’i hapin rrugë rikthimit në pushtet të pasardhësve të Bllokut.
Po të veçoja këto dy greva, të tjerat kanë qenë më tepër farsa, sesa greva urie në kuptimin e vërtetë të fjalës. Sjell në kujtesë grevën e përgjithshme të urisë të verës 1994, sidomos fillimin e saj në Tiranë, si dëshmitar i atyre ngjarjeve, në detyrën e kryeredaktorit të gazetës “Liria”. I joshur nga ëndja për poste të larta zyrtare, Kurt Kola, asohere kryetar, e përbuzi dialogun, megjithëse, përpara grevës, qeveria pranoi 90% të kërkesave jo politike të Shoqatës. Madje, ai dhe një grusht njerëzish që e ndiqnin besnikërisht, futën kë mundën në mjediset e Selisë së Shoqatës, në Rrugën e Elbasanit, mjaft që edicionet e lajmeve të orës 20.00 të shpallnin se greva e urisë e ish-të përndjekurve politikë kishte filluar. Një pjesë e tyre, u largua qysh atë mbrëmje, pasi nuk i lidhte gjë me grevën, përveç anëtarësisë në Shoqatë, ani se të nesërmen erdhën të tjerë. Madje, kjo hyrje-dalje grevistësh vazhdoi gjatë gjithë kohës. Vazhduan të hynin e të dilnin edhe pako me ushqime. Mbaj mend të ndjerin Mehmet Tepelena dhe, nëmos gaboj, një ish-prift katolik pranë tij, qê të dy idealistë të vërtetë, të cilit numëroheshin ndër të pakëtit e sallës ku ishin vendosur grevistët, që s’vunë gjë në gojë, përveç ujë dhe shumë rrallë pak sheqer.
Kësisoj, në Tiranë greva erdhi duke u degjeneruar drejt një greve me synime politike, ndërsa Kurt Kola jepte intervista në zyrën e tij, me anën e të cilave bënte thirrje për të rrëzuar Qeverinë Demokratike. Se si përfundoi farsa politike e Kolës dihet, tashmë. Dihet edhe sesi ai, pinjolli i një familjeje fisnike e antikomuniste me emër, një nga ata që pati sfiduar burrërisht burgjet e diktaturës, ua shiti veten për hiç gjë pasardhësve të atyre që dorëzuan të atin e të vëllezërit te UDB-a jugosllave. Dihet, më në fund, sa ai dhe ata që lyen fasadën e ‘97 me ngjyrën e ish-të përndjekurve politikë, sot janë bërë pjesë e konglomeratit antiberishian, për të lëpirë ndonjë kockë nga mbeturinat e tryezës së miliarderëve rreth Edi Ramës.
Mesa duket, edhe greva e sotme e urisë, ka hyrë në të njëjtën spirale, por me dukuri më agresive e me pasoja më të këqija sa ato të grevës së ‘94-s, e cila solli përçarjen e ish-të përndjekurve politikë, së pari në dy shoqata, pastaj në plot të tjera. Konteksti i sotëm politik, në prag të zgjedhjeve të 2013-s, është më i frytshëm se atëherë. S’do mend edhe ëndrrat janë më të guximshme. Skënder Tufa e di fare mirë se tashti nuk pretendohet ndarja e një thesi me sheqer, për të cilin i mbeti në derë të ndjerit, Ylli Liço, ish ekonomist i Shoqatës së atëhershme.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›