E Diel, 1 Nëntor 2026

Një hulumtim mbi lutjet e sotme që njeriu i Kosovës i drejton Perëndisë

23-09-2012 / Nga Skënder Mulliqi

Njerëzit i lutën Zotit gjithkund dhe kudo. Njeriu i lutet Zotit që të ketë shëndet në familje, i lutet Zotit t’i falë të mira materiale, i lutet Zotit që populli të këtë punë, kombi shëndet  etj. Në këtë Kosovën tonë të vogël, shumica sot po i luten Zotit që të kenë bukë më shumë për t’i mbajtur familjet, sepse skamja dhe mjerimi gjithnjë e më shumë po troket në dyert e shumë familjeve shqiptare. E më së shumti po i lutën Zotit që këta pushtetarë ta lëshojnë pushtetin, sepse ata janë bërë fajtorët kryesorë për gjendjen e rëndë të rrjedhave sociale dhe ekonomike në Kosovë.
Kurse në anën tjetër pushtetarët po luten që sa më shumë të kenë xhipa të zi dhe të shtrenjtë, luten që sa më shumë të ketë tendera, lutën që sa më shumë t’u zgjatë kontrabanda, luten që sa më shumë atyre t’u zgjatë pushteti. Panoramë e zymtë për shumëkënd, por për garniturën politike në pushtet Kosova është bërë parajsë e vërtetë. Nëse shumica sot në Kosovë po kërkon më ngulm rrugë për ta braktisur vendin nga pa perspektiva e krijuar, njerëzit e politikës luten që të pasurohen në pafundësi. Dhe njëherë është duke u ecur puna mirë, së nuk  po ua  prish terezinë askush. Edhe pse pa rreshtuar  po kritikohen në media për bëmat e tyre të pista , kjo  këtyre pak ose aspak nuk u bënë përshtypje. Çdo ditë abuzojnë më shtetin dhe as që u shkon mendja së duhet të largohen nga pushteti. Zaten nga njerëzit që janë zhytur deri në fyt në korrupsion edhe nuk pritet që të kenë ndërgjegje. Nuk ka vend demokratik sot në botë që do të kishte duruar  të bëhen kaq keqpërdorime të mëdha siç po ndodh kjo punë tek ne. Nuk po kalon shumë  kohë e po arrestohet ndonjëri nga zyrtarët e lartë  për korrupsion e kurrgja kurrkujt?! Edhe për padrejtësinë më të vogël në vendet demokratike shkon komplet qeveria, por edhe reagimi i popullit është i menjëhershëm. Ky popull i përvuajtuar historikisht nga okupatori serbomadh, edhe tash po duron. Por është fakt së zullumi këputet prej së trashi. Dhe një ditë të gjithë ata të cilët po e keqpërdorin pozitën edhe do të përgjigjen para popullit. Kjo klasë politike dhe këta pushtetarë të sotëm pak kanë lidhje me demokraci. Këta janë njerëz të cilët qëllimisht po e përdorin logjikën e shekullit të kaluar. Çdo elitë në një shoqëri në sistemin pluralist bazohet në normat demokratike të sjellës. Ndërsa  pushtetarët tanë e mohojnë frymën demokratike ose atë e përdorin për t’i arritur objektivat e tyre karrieriste. Ata qëllimisht janë harruesit e të kaluarës historike, dhe mu për atë e ardhmja duket pak në horizont. Këta pushtetarë  pak janë duke punuar për  ndërtimin e shtetit ligjor dhe funksional. Këta pushtetarë janë bërë brenga më e madhe e popullit. Pa politikë të përgjegjshme dhe vizionare duke u bazuar në vullnetin historik të popullit zor së e ardhmja do të jetë e ndritur. Ata pushtetarë të cilët nuk frymojnë bashkë me popullin nuk  mund ta arrijnë edhe qëllimin. Synimi i shqiptarëve është Evropa e bashkuar. Të gjithë ata të cilët bëhen pengesë e këtij rrugëtimi , do të duhej të largohen sa më shpejt që është e mundur nga pushteti. Shqiptarët historikisht kanë qenë me orientime properëndimore dhe pro amerikane. Në gjirin e popullit ka plot njerëz të cilët kanë vullnet dhe gjallëri, të cilët mbështetën në vlerat sublime të kulturës së kombit duke shfletuar faqet e ndritshme të të ardhmes tonë. Koha nuk na pret. Ndryshimet shihet edhe nga qielli së duhet  të ndodhin në Kosovë. Është koha për t’u liruar nga të gjithë keqbërësit politik të cilët janë bërë pengesë e madhe në ecjen tonë përpara. Forca jonë janë të rinjtë tanë të cilët edhe do të duhet shpejtë të bëhen bartësit kryesor të proceseve demokratike. Forcat retrograde nuk e kanë vendin në shoqërinë tonë të re. Këto forca tashmë janë të tejkaluara për këtë fillim shekull. Në kohën e diktaturës u krijua kultura e partisë shtet. Kjo praktikë është duke u zbatuar edhe sot, por në formë dhe përmbajtje më ndryshe. Ata të cilët e kanë pushtetin e anashkalojnë pjesën tjetër të popullit, duke  punësuar vetëm sipas ideologjisë partiake. Kjo logjikë përjashtuese do të duhej të ndalej gjithëkah, në çdo vend dhe përgjithmonë …

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›