E Diel, 1 Nëntor 2026

Një javë me kombëtaren kuqezi

Nga Dritan Ikonomi

Reportazh nga Hamburgu, ku lojtarët e Shqipërisë u grumbulluan te mikpritësi Xhelil Musa. Ditët e Minskut dhe premiera e kualifikueseve europiane

Pyll pa fund, gjelbërim i këndshëm në cdo pjesë toke të pambuluar nga asfalti i pastër, mot i paqëndrueshëm me shi e diell që alternoheshin orë e cast dhe një bashkësi racash njerëzore nga të katër anët e globit. Ky ishte përgjithësisht imazhi i Hamburgut, qytetit të madh të Gjermanisë veriore, port në brigjet e Detit të Veriut dhe të lumit Elba, i cili për katër ditë u bë shtëpia e kombëtares së Shqipërisë. Në përgatitje për ndeshjen kundër Bjellorusisë, më 2 shtator, kuqezinjtë u grumbulluan, ashtu si disa herë të tjera, te mikpritësi i tyre në Gjermani, biznesmeni kosovar Xhelil Musa. Të nisur nga aeroporti i Rinasit në mëngjesin e freskët e me shi të 28 gushtit, lojtarët e kampionatit shqiptar dhe stafi i trajnerit Oto Baric, së bashku me gazetarët shoqërues, zbritën në aeroportin e Hamburgut të përshëndetur nga një diell i ngrohtë pothuajse mesdhetar, ndryshe nga mjegulla e Ljubjanës dhe qielli me re i Frankfurtit, ku ishte bërë ndërrimi i avionëve, ndërkohë që në këtë të fundit me grupin u bashkua edhe sulmuesi Edmond Kapllani, i ardhur me tren nga Karlsruhe. U duk se koha vetëm sa donte të përshëndeste bujarisht vizitorët nga Shqipëria, sepse vetëm pak minuta më pas rrodhi një shi i rrëmbyer dhe temperatura ra. E megjithatë e ngrohtë mbeti pritja nga dy të dërguarit e Musës, të gatshëm për të ndihmuar në përpunimin e bagazheve e për të nisur më pas udhëtimin 20-minutësh drejt "Musa's Grüne Tanne", hotel-restoranti piktoresk në periferi, i cili për katër ditë u bë rezidenca e kuqezinjve të Shqipërisë, e delegacionit zyrtar nga FSHF dhe e përfaqësuesve të medias. * * * "Komandant" Xhelili Të gjithë e thërrisnin "Shef", përfshirë edhe dy djemtë e tij, Adriani e Samiu, por në të vërtetë do t'i përshtatej më së miri sikur ta thërrisnin "Komandant". I pakët në trup, por me një energji të pashtershme, Xhelil Musa kishte mobilizuar një "ushtri" të tërë, ekskluzivisht në shërbim të të ardhurve nga Shqipëria, që nga mëngjesi herët, deri pas mesnate, edhe pse orari zyrtar ishte 11:00 deri në 23:00. Me sytë ku gjallëria ishte përherë e pranishme, megjithë orët pa gjumë, Xhelili ishte qiri në këmbë, stoik në përkushtimin e tij: "Për aq ditë sa kombëtarja do të jetë këtu, nuk ka gjumë, as për mua dhe as për familjen time". E kishte pritur edhe herë të tjera kombëtaren A dhe U-21, por mobilizimi, entuziazmi e krenaria ishin po ashtu si herën e parë. "Jemi shumë të lumtur që kemi mysafire skuadrën kombëtare këtu. Duam të bëjmë më të mirën që djemtë të jenë të gjithë të kënaqur, të stërviten sa më mirë e pastaj të shpresojmë se do të na nderojnë në lojë", thoshte Xhelili, duke dhënë gjithmonë të njëjtën përgjigje sa herë dikush e pyeste seriozisht apo qoftë edhe për ta ngacmuar, sidomos nga lojtarët, nëse ndjehej i lodhur: "Jo' c'është ajo fjalë? Ku ka lodhje?", pa harruar të mbante përherë buzën në gaz. I gatshëm t'u plotësonte cdo dëshirë apo tekë miqve nga Shqipëria, i gatshëm për të sajdisur edhe klientët gjermanë që bujtnin në restorantin e tij, kureshtarë, por aspak të shqetësuar nga rrëmuja mbizotëruese për shkak të një grupi aq të madh futbollistësh. "Ushtria" mikpritëse Shqiptarë ose jo, të punësuar ose vullnetarë, të gjithë në funksion të lojtarëve të kombëtares. Xhelil Musa, me gjithë zemrën e tij të madhe, nuk do të mund të bënte asgjë pa atë grup bashkëpunëtorësh, të gatshëm të linin cdo punë të tyren, me kujdesin e madh për t'i shërbyer më së miri skuadrës së kombit të tyre. Një ushtri i vërtetë, e formuar nga familjarë, të afërm, lidhje krushqie dhe të punësuarit e restorantit. "Musa's Grüne Tanne" ishte vetëm rezidenca kryesore, aty ku lojtarët ishin akomoduar, por stërvitja dhe hotelet e akomodimit të zyrtarëve e gazetarëve ishin kilometra larg. Prandaj edhe një numër makinash, vec autobuzit të skuadrës, ishin në cdo sekondë në dispozicion për lëvizjen e atyre që kishin nevojë. Mjaftonte t'i thoshe Xhelilit se dëshiroje të shkoje diku dhe menjëherë jepej urdhëri. "Po shef", ishte përgjigjja dhe udhëtimi fillonte, pa përtesë e bezdi, cka të linte plotësisht të cliruar nga cdo ndjenjë sikleti për "rënien më qafë" atyre njerëzve aq të gjindur, që edhe me aq sa bënin brenda restorantit kishin dhënë mjaft. Zyra e talenteve Xhelil Musa është shefi i zyrës së talenteve për Gjermaninë dhe thotë se është i lumtur sikur të kontribuojë sadopak në furnizimin e kombëtares me lojtarë të rinj. Në restorantin e Xhelilit ishte mik sulmuesi Besart Berisha, i thirrur për të biseduar me trajnerin Oto Baric dhe shefin e Sektorit të Ekipeve Kombëtare në FSHF, Besnik Cela, lidhur me mundësinë e veshjes kuqezi. Kosovari i ri la mënjanë cdo mëdyshje pas bisedës me trajnerin e Celën, por sidomos pas pritjes së ngrohtë që i rezervuan lojtarët e tjerë, cka e bëri të deklaronte solemnisht se e ardhmja e tij do të jetë vecse kuqezi, me shpresë që në ndeshjen e ardhshme, kundër Holandës. Kompleksi fantastik "Musa's Grüne Tanne" gjendet në periferi të Hamburgut, në një zonë larg rrëmujës së metropolit të madh të veriut. E rrethuar nga pylli, rezidenca e kuqezinjve ofronte kushte ideale për të pushuar pas stërvitjes. Përgatitjet e skuadrës bëheshin në kompleksin sportiv Sportzentrum Bassental në Neu Wulmstorf. Një kompleks fantastik, cka deri diku të ndihmonte edhe për t'i dhënë përgjigje pyetjes së mikpritësve se përse Shqipëria nuk arrin kurrë të kualifikohet në fazën finale të një botërori apo evropiani: "Në Shqipëri nuk sheh kurrë një kompleks si ky, më i mirë edhe se "Qemal Stafa". Dhe është vetëm një fushë periferie". Një fushë të cilën e vlerësoi edhe Baric, si të shkëlqyer, me dëshirën për t'u kthyer prapë atje. Baric dhe Musa Kroatit dhe shqiptarit duket se u ngjiti shpejt me njëri-tjetrin dhe u bënë menjëherë miq. Bisedonin në kroatisht, ndërkohë që Xhelili gjeti një rast të ankohej me humor te gazetarët: "I dhashë syzet Baricit, po iku dhe m'i mori. Harroi të m'i kthente. Mirë që kam të tjera". Të dy u ulën përballë njëri-tjetrit në një sfidë shahu, të cilën e pagëzuan si ndeshje Shqipëri-Kroaci, e mbyllur me fitoren e trajnerit. "Një gabim të vogël bëra", tha i hidhëruar Xhelili. "Por ishallah është shenjë e mirë, që të ketë fat edhe në Bjellorusi e të marrim pikë". Të paktën rezultoi profetik, ndërkohë që haku në shah u mor nga djali i madh, Adriani, i cili sfidoi dhe mundi kroatin, duke kthyer në vend "nderin" e restorantit të tij. -------------------------- Atmosferë kuqezi në "Musa's Grüne Tanne" Altin Lala Si përherë alegro Altin Lala, i cili ishte edhe një nga "ngacmuesit" e Musës. Ndërsa po jepte një intervistë të përbashkët me ""Sport Ekspres"" dhe "Gazeta Shqiptare", thërret me të madhe Xhelilin, i cili në atë kohë ishte i zënë me një ekip televizioni nga Kosova. "Xhelil, hajde shpejt këtu", thërriti Lala, ndërkohë që tjetri vjen thuajse me vrap dhe e pyet se cfarë kishte. "Po flas edhe për ty në intervistë", i thotë Lala, duke shkaktuar të qeshura, ndërkohë që i zoti i shtëpisë ulet në karrige, duke fshirë djersët e shkaktuara nga nxitimi. * * * Ervin Skela Një arsye më vete për të festuar kontrata e Ervin Skelës me Askolin, pas një fluturimi rrufe drejt Romës. Pasi qerasi gazetarët që ishin në një tavolinë me të, fantazisti kuqezi porositi t'u conin verë nga më e mira anëtarëve të delegacionit të FSHF-së, të cilët darkonin në një sallë tjetër. "Nuk duam verë, na i jep lekë", thërrisnin nga salla tjetër, me të qeshurave të mëdha dhe urimeve për lojtarin. * * * Oto Baric Një tip më vete trajneri i kombëtares. Sa herë që i flisje, me qëllimin për t'u ulur e për ta intervistuar, ngrinte sytë nga tavani e vërshëllente kushedi se cilën melodi të preferuar. Një natë para largimit nga Hamburgu, kur u kap mat dhe s'kishte ku të shkonte, pyeti: "Tani u kujtuat juve? Keni katër ditë këtu me ne dhe më kërkoni intervistë tani që po më pret një grua e bukur te dera". Më pas u ul dhe u përgjigj për cdo gjë, shpeshherë duke bërë humor. I pyetur nëse e kishte problem nëse gazetarët merrnin një birrë, u përgjigj duke porositur një birrë edhe për vete, ndërkohë që i thotë Dritan Baholli, i cili përkthente: "Përderisa ti po ha mollë dhe ky tjetri po pi coca-cola, ne pse të mos pimë nga një birrë"? * * * Minsk, imazhe të harruara nga koha Një zvarritje dyorëshe për gazetarët (ndërkohë që lojtarët kishin kaluar), një korridor i zymtë e pa gjallëri, ca fytyra të ngrysura zyrtarësh përballë teje brenda xhamit të trashë, të krijonin në cast një bezdi të madhe e përfytyrim të gabuar për Minskun, kryeqytetin e Bjellorusisë, ku Shqipëria luajti ndeshjen e parë të kualifikueseve. Në të vërtetë, Minsku ishte një qytet fantastik, i madh e imponues, tepër i bukur e i pastër, me rrugë të gjera e parqe të bukura. "Kam qenë në 70 vende dhe ky është një nga qytetet më të bukur që kam parë", u shpreh fizioterapisti i kombëtares, Asllan Kasa. Vërtet, kryeqyteti bjellorus shkëlqente me fasadën e tij plot drita dhe rrugët plot gjallëri, ku vajzat e bukura nuk ua ndanin sytë të huajve që kalonin, një pjesë e mirë e të cilëve me bluzat apo xhaketat ku shkruhej "Albania". Por mjaftonte të hyje në brendësi të ndërtesave, për të parë menjëherë një pamje krejt të ndryshme, një pamje që në Shqipëri koha e ka mbuluar me pluhurin e harresës. Kush ka qenë në moshë madhore gjatë sistemit të para viteve '90, përjetonte menjëherë rikthimin e imazheve të harruar. Rrugët me emrin e Leninit, librat e shumtë për ose me autorë katër klasikët e marksizëm-leninizmit, portretet e presidenti Lukashenko, me ballin lart e plot mendim, shoqëruar me një buzëqeshje serioze, pozë tipike e udhëheqësve të dikurshëm. Njerëz babaxhan që nuk flisnin në gjuhë të huaj, por që në gjuhën e tyre të drejtoheshin "tavarish", ndërkohë që plot prej tyre mbanin mbi gjoks, të qepur në xhaketë, shiritat që tregojnë medaljet e marra. Të rinj që rrinin grumbull në bordura, duke pirë pije freskuese ose birrë pa alkool, të sjellshëm e të gatshëm për të sqaruar se ku doje të shkoje, edhe pse fatkeqësisht me gjeste, për shkak të anglishtes tepër të cunguar. "Pse, në Tiranë dinë anglisht", pyeti me një lloj habie njëri nga gazetarët bjellorusë, duke marrë në cast një përgjigje të vrullshme, me fjalë e mimikë: "Në Tiraaanë?! Atje të gjithë flasin italisht, anglisht ose frëngjisht". Komunikimi ishte vërtet problem, aq sa kur shqiptari u takua me anglezin në një banak, duke blerë vodka si suvenir, të dy u lumturuan, a thua se secili takoi bashkatdhetarin e tij. Dollari preferohej para euros, megjithatë me asnjë prej tyre nuk mund të bëje pazar, duke qenë i detyruar t'i ktheje në rubla, tepër ngatërruese me ato zerot e shumta. Atmosfera e ndeshjes nuk ndjehej, megjithë banderolat e shumta në cdo rrugë. Në stadium megjithatë gjithcka ishte e ndezur, por gjithmonë brenda një etike gjithashtu të harruar, ndërkohë që ishte vërtet befasuese heshtja dominuese në kohën e ekzekutimit të himnit të Shqipërisë. Asnjë zhurmë, asnjë fishkëllimë, gjë që për hir të së vërtetës nuk shihet rëndom sot, përfshirë edhe në stadiumin tonë kombëtar "Qemal Stafa". Ditët e bukura të Minskut u kurorëzuan më së miri me ndeshjen e 2 shtatorit. Shqipëria barazoi pas një loje të shkëlqyer në pjesën e dytë. Misioni bjellorus u krye. Hidhërimi rumun do të vinte më pas… --------------------------------- Ylli belg i Hamburgut, tifoz me Shqipërinë Kompani: Hasi, vëllai im i madh Është një nga lojtarët më të mirë të brezit të ri në nivel ndërkombëtar. Falë shkëlqimit me Anderlehtin, Vinsent Kompani ishte "gjahu" i ndjekur për shumë kohë nga të mëdhenjtë e kontinentit, Barcelona, Inter, Celsi e Bajern i Munihit, por në mënyrë disi befasuese përfundoi në Hamburg, ndoshta edhe për shkak të një dëmtimi që i bëri të mëdhenjtë të tërhiqeshin. Grumbullimi i kombëtares shqiptare në Hamburg ishte një rast i mirë për mbrojtësin e kombëtares belge që të takonte mikun e tij të ngushtë, Besnik Hasi, me të cilin ka luajtur në radhët e Anderlehtit. Në restorantin ku hante darkë kombëtarja, Kompani e dy miq të tij bisedonin shtruar me Hasin, i cili i përcolli edhe ftesën për një intervistë me gazetarët shqiptarë. Me shumë përzemërsi, djaloshi belg pranoi të fliste për miqtë e tij, Hasi e Berisha, si dhe për kombëtaren shqiptare, me të cilën do të jetë tifoz edhe kur të luajë kundër Holandës, skuadra e miqve të tjerë të tij. - Vinsent, e njihni kombëtaren shqiptare? - Po, mendoj se e njoh mirë, nga rezultatet dhe lojtarët. E di që ka bërë përparim të ndjeshëm në këto vitet e fundit, falë lojtarëve të kalibrit të lartë europian, si Cana, Lala, Skela, Bogdani, Hasi e të tjerë. - Duket se Besnik Hasi është një mik për ju. Si do ta cilësonit si lojtar? - Me Besnik Hasin kam luajtur për herë të parë kur isha 16 vjec. Në atë kohë luaja me skuadrën rezervë të Anderlehtit. Aty ishte edhe Hasi, i cili sapo ishte kthyer nga një dëmtim i gjatë dhe luante me ne për të fituar formën sportive. Ai është një lojtar i shkëlqyer, por që nuk bie shumë në sy të tifozëve, për shkak të rolit që ka. Punon shkëlqyeshëm dhe megjithëse është nga ata lojtarë që shpallen si më i miri i ndeshjes, jep një kontribut shumë të madh për skuadrën. Por unë Besnikun nuk e vlerësoj thjesht si lojtar. E vlerësoj së tepërmi në aspektin njerëzor, është tepër i sinqertë. E kam si vëlla të madh (Hasi ndërkohë buzëqesh me dashamirësi). E falënderoj nga zemra për këshillat e vazhdueshme qe më ka dhënë, duke më ndihmuar së tepërmi në debutimin tim si futbollist profesionit. - Në kombëtaren shqiptare së shpejti do të jetë një tjetër shok skuadre i juaji, Besart Berisha… - Me Besartin na bashkon mosha. Është djalë shumë i mirë e i edukuar, aspak mendjemadh, edhe pse luan me një skuadër me emër, si Hamburgu. Kemi vetëm një muaj që jemi bashkë në një skuadër, por tashmë Besarti është bërë një nga miqtë e mi më të mirë. Besoj se kombëtarja shqiptare do të përfitojë shumë prej tij, sepse ai do të bëhet një sulmues i madh në të ardhmen. Ka shumë potencial dhe do të ketë sukses, për këtë jam i bindur. - Përvec shqiptarëve, ju keni edhe shokë skuadre nga Holanda, si Van der Vaart, De Jong, Mathijsen. Cilën nga skuadrat do të përkrahni kur Holanda të presë Shqipërinë, në tetor? - (me një ton të vendosur) Padyshim Shqipërinë! Nuk e di pse, por gjithmonë kam pasur marrëdhënie të mira me lojtarët shqiptarë. Jemi shumë miq, pastaj ju thashë që Besnikun e kam si vëlla të madh. Nuk do ta harroj kurrë ndihmën e tij kur kam qenë shumë i ri dhe sigurisht që jam përherë me të kur luan Shqipëria. Natyrisht që me Holandën do të jetë tepër e vështirë për juve, megjithatë unë jam me ju dhe uroj që të keni sa më shumë fat!

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›