Një javë para zgjedhjeve, nuk janë dhënë leje për të dënuarit
Akuzat e kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama për lejet e të dënuarve që janë dhënë për fushatën zgjedhore si dhe gjatë ditëve të votimit kanë marrë përgjigje edhe nga drejtori i përgjithshëm i burgjeve Gazmend Dibra. Por duket se këtij zërit i shtohet edhe një tjetër. Burime të sigurta nga burgjet bënë të ditur për "Ora News" se javën e fundit para ditës së votimit drejtoria e burgjeve i ka pezulluar të gjitha lejet për të dënuarit. Pikërisht arsyeja e pezullimit të këtyre lejeve sipas burimeve është që këta të dënuar mos të ndikonin në votim. Kështu akuzave që drejtoria e burgjeve u ka dhënë leje të dënuarëve për fushatë dhe këta të dënuar kanë ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve duket se po bien poshtë nga fakte dhe informacione të reja që po dalin çdo ditë. Ndërkohë që në një intervistë ekskluzive për "Ora News", drejtori i përgjithshëm i burgjeve Gazment Dibra ka shpjeguar se çdo i dënuar ka marrë leje konform të gjitha rregullave si dhe ligjeve që janë në fuqi. Ku dosja e çdo të dënuari ka kaluar në komision dhe ai ka vendosur nëse duhet të lërë disa ditë të lirë këta të burgosur apo jo.