E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjinushi siguron Ramën: Po bojkotit të Kuvendit

Edhe pse nuk fitoi asnjë mandat deputeti për në parlament, PSD e përkrah vendimin e PS për bojkot të palamentit. Ky vendim u bë i ditur pasi Gjinushi zhvilloi sot paradite një takim mbi një orësh me Ramen 

TIRANE –Partia Socialiste siguroi sot përkrahjen e aleatit të saj, Partisë Socialdemokrate për mosnjohjen e zgjedhjeve dhe si rrjedhim bojkotin e parlamentit.
Kryetari i Partisë Socialdemokratike Skënder Gjinushi ka zhvilluar sot paradite një takim me kreun socialist në detyrë Edi Rama.
Takimi i zhvilluar në ambientet e Partisë Socialiste zgjati një orë e 30 minuta, ku çështja e bojkotit të Parlamentit, ka qënë një nga arsyet e takimit.

Pas daljes nga selia rozë, Gjinushi theksoi për mediat se zgjedhjet parlamentare të 28 Qershorit nuk përmbushën standardet dhe se partia e tij mbështeste vendimin për bojkot të Parlamentit nga ana e deputetëve socialist. "Zgjedhjet e parakohshme do të ishin një zgjidhje për të kthyer vendin në normalitet. Unë mbështes bojkotin e opozitës për të mos hyrë në parlament", u shpreh Gjinushi.

Vendimi për mosnjohjen e zgjedhjeve dhe bojkotit të parlamentit u mor gjatë Kongresit të Jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste me anë të një votimi nga anëtarësia socialiste.
Gjinushi, kreu I PSD garoi në zgjedhjet e 28 Qershorit përkrah Partisë Socialiste. PSD nuk fitoi asnjë mandate për deputet për në parlament.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›