E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një jetë me drejtësinë!

Luarasi, më shumë se një emër fshati! Pas kësaj “ikone” po të klikosh me “kursorin” e historisë, të zbulohet sa kqq mrekullia, kontributet dhe antropologjia e kësaj treve që dha dhe morri në një mënyrë të begatë nga fati, kultura, shkenca dhe arsyeja njerëzore. Ca plumba mbi një gjoks shqiptari Aleks-plakut dhe emri i tij i ripërtërirë tek nipi i tij. Ky kujtim për atin, rritja e birit me ndershmëri dhe me tregimin oral të "Iliadës" dhe "Odisesë" e sillte kalvarin e jetës në një detyrim dinjiteti dhe drejtësie ku mëkohej dashuria për jetën, ku vaditej memoria me historinë, ku ushtrohej vullneti për një udhëtim pa kthim përball sfidave. Ku tek e fundit, ushtrohej arti i vjetër i oratorisë që do të këndohej si këngë e jetës, e që vjen gjithnjë ushqyer nga arsyeja. Ky djalë i Luarasit, Aleks Luarasi do të duhej të bëhej njeriu i drejtësisë, sepse përball varfërisë kishte provuar se shpëtimi vinte nga dinjiteti. Në kushtet kur në moshën dhjetëvjeçare mbeti pa baba, amaneti i tij dhe kujdesi mëmësor e mësuan të shihte nga e ardhmja, drejt një bote që duhej dhe mund të rregullohej nga mirësia dhe humanizmi. Emri të atit të tij, Ilia-lartësi, duket sikur kishte parathënë në sensin kuptimor idenë e lartësisë vendimmarrëse (ky është një nga dy emrat e Trojës dhe kështu quhet edhe Gjykata e Lartë në Greqi, emri është pellazgjik). Sot e shohim profesor Dr. Aleks Luarasin një njeri të kompletuar dhe të realizuar. Me punë dhe vepra të arrira, si jurist, si pedagogë, si akademik, si botues, si drejtues të një institucioni elitar të arsimit të lartë në fushën e jurisprudencës. Dhe është e natyrshme të pyesim, si mundi? Ku ndodheshin të gjitha këto realizime dje në atë botën e tij të brendshme, atje ku dëshirat dhe ëndërrimet shtyhen të shfaqen e të ngrenë krye e të krijojnë "tingullin" tënd të brendshëm, atë që përcakton përroin e jetës, identifikimin autentik në mënyrë që, të mos ndodhi gabimisht të nisësh si rrugëtim të punës dhe investim jetësor atë që nuk është i yti, e nuk është për ty, duke humbur orientimin dhe duke u bërë në jetë ai që nuk do të duhej të bëheshe! Aleks Luarasi është sot 70 vjet. E dëgjon kur flet dhe të mbërthen me seriozitetin e fjalës, me sinqeritetin e shprehjes, me thjeshtësinë e komunikimit, me drejtpeshimin e argumentit, me pastërtinë e arsyetimit kur në asnjë rast dhe rrethanë nuk del jashtë qendrës fokale të humanizmit-njeriut me univeraslitetin e tij. Dhe nuk habitesh sot, po të mendosh se ishte 10 vjeç kur mbi gomar udhëtonte nga Kolonja për në Korçë sepse nëna e kishte kuptuar se e ardhmja vjen e begatë nga qyteti. Djaloshi mbante në gji, në atë udhëtim fati, as kulaçin e ngrohtë, as ndonjë kafshë që do t'i kujtonte fshatin dhe peizazhin baritor të atij shpati piktoresk. Ai mbante në gji disa libra. Ishte përcaktuar fati. Ai do të vinte nga dija, nga faqet e librave. Luarasi po ja dorëzonte filizin Korçës-këtij Parisi të vogël shqiptar, ku ai u formua në kopsht e shkollë. Ish-liceu francez i Korçës aso kohe kishte ndërruar vetëm emrin, ende gjendej në inercinë e vet institucionale sepse kishte mësuese e mësues që kishin studiuar në Francë. Deri vonë profesor Aleks Luarasi ka mbajtur letër-këmbim me ish-mësuesin e tij të letërsisë Dhimitra Gjini, e cila i plazmoi atij në vetëdije dhe në dëshirë pasionin për letërsinë botërore të vjetër dhe të re, si dhe për letërsinë shqipe. Mësuesia që luante tenis me kostum sportiv dhe recitonte Danten e Shekspirin e ndriçoi thellë shpirtin djaloshar të këtij njeriu të "drejtësisë". Vraponin të rinjtë aso kohe të shihnin në kinema filmin "Vagabondi", por djaloshit Aleks Luarasi, përpos anës aventureske, i ishte fiksuar diçka tjetër. Marrëdhënia e gjykatësit me djalin e tij që kishte rënë preh e rrugës dhe duke shkelur ligjin vinte e gjykohej nga i ati, i cili përball ligjit dhe dashurisë prindërore duhej të zgjidhte ligjin si autoritet. Pas viteve 90-të të shekullit të kaluar kur prof. Dr. Aleks Luarasi si përfaqësuesi i parë i Shqipërisë pranë "Komisionit të Venecias" dhe si proaktiv në mënyrë institucionale në ndryshimet e mëdha demokratike, ishte i angazhuar në takime dhe bisedime më jurist të huaj europianë dhe amerikanë. Pyetjes së këtyre të fundit përse ai ishte bërë jurist, ç'e lidhte me këtë profesion, Ai u përgjigjej me disa detaje të rinisë së hershme. I zhytur i tëri tek libri me dy vëllime i Teodor Drajzer ,"Një tragjedi amerikane", atje ai i kishte marrë nxitjet. Dhe ai fillonte t'u citonte pjesë nga libri(edhe sot me një kujtesë dhe ndjesi brilante e bën po aq i frymëzuar): "Roberta futi dorën në ujë dhe pyeti se ku do të mund të gjente zambakë uji dhe lule fushash dhe thotë me habi; zambakë uji dhe lule fushash, asgjëkund, as zë as tym. "Ajo tablo kur Klajdi e kishte marrë për ta mbytur dhe ky krim që, më vonë juristi Aleks Luarasi, do ta mësonte se cilësohej "vrasje me dashje eventuale", i yshtur nga dashuria për një vajzë tjetër vetëm se ishte e pasur, e pati tronditur thellë Aleksin djaloshar. Pasuria materiale e zhbëkërka njeriun deri në asgjësimin e vlerave shpirtërore dhe ndërrimin e jetës me vdekjen si pa të keq. E lexonte dhe rilexonte librin ky gjimnazistë dhe në vetëdijen e tij u shkruajtë për të mos u fikur:"Njeriu mund të jetë i varfër por duhet të jetë i drejtë". Peshorja e brendshme u vu në ekuilibër si simboli që anticiponte profesionin e ardhshëm të jetës. Ky ishte një betim që nuk do të shkelej. Në mbarim të shkollës së mesme iu dha bursë për të studiuar në Bullgari për inxhinier bonifikimi. I ati kishte qenë murator, dhe ai profesion i bukur që lidhet me ndërtimin, me shpresën dhe ekuilibrin që, themelet të mos bien, mund të kishin shërbyer si një motivacion bindës. Por djaloshi që e shihte të drejtën dhe njerëzit që përplaseshin me të në sallën e gjykatës si një dramacitet njerëzor që duhesh studiuar deri në kapilarë, habiti kur pas dy javësh kthehet në Shqipëri duke refuzuar të studionte në një fushë ku nuk ndjehej vetvetja. "Dua të bëhem jurist", dhe këto fjalë bindën autoritet e kohës. Vjen në auditorët e Universitetit të Tiranës ky djalosh me dëshirën pasionin dhe vullnetin, por edhe me rezultate shumë të lartë në shkollën e mesme, një veçori kjo e rrallë për atë fakultet, pasi duke u menduar si degë studimi e "lehtë", atje bëheshin tolerime në pranime. E nëse sot kemi një autoritet në fushën e drejtësisë prof. Dr. Aleks Luarasin, do të duhet të sjellim në kujtesë dhe të gjejmë argumentet bindëse tek ata që zhvillonin mësim aso kohe në auditorët e "Fakultetit të Drejtësisë". Personalitete që kishin studiuar si në perëndim dhe në vendet e ish-lindjes. Ishin Andrea Nathanaili, Vangjel Meksi, Andon Sallabanda, Kristo Çevi, Dhimo Dhima, Nonda Papuli,Arben Puto, Luan Omari. Profesor Omari e parandjeu i pari se ky student do të bënte përpara. Linte përshtypje pozitive, serioziteti, argumentimet, pasioni dhe vullneti i tij për punë, por edhe formimi mjaftë i mirë kulturor. Nga ato gjenerata studentësh dolën si më të spikaturit disa që vërtetë bënë karrierë dhe u formuan si personalitete të jurisprudencës,si Kleanthi Koçi, Stavri Çeço, Gjergj Sauli, Aleks Luarasi. Tema e kursit me titull "Bashkëjetesa e ndaluar" duket sikur paralajmëronte jo rastësisht pasionin dhe përkushtimin e mëvonshëm për të "Drejtën Zakonore Shqiptare" që sot është e materializuar në punime serioze të botuara e që kanë vlerën e studimeve fondamentale në disa lëmijë të këtij universi, brenda të cilit veç aspektit të mirëfilltë të drejtësisë dhe institucioneve të saj; gjen dukshëm edhe aspekte të albanologjisë, historisë, antropologjisë dhe veçori të tipologjisë së sjelljes shqiptare të konservuar primitivisht në shekuj por që të ndihmojnë natyrshëm që të kuptosh lidhjet me civilizimet e hershme pellazgjike-greko-romake. Nga auditorët e universitetit në aulat e gjykatës. Fillimisht në Korçë.Qyteti që e formoi, priste frutin e vet, djaloshin kolonjarë, filizin e Luarasit-këtë Vinçi shqiptar. Ata vite pune si gjyqtarë atje, e më tej edhe në Tiranë. Proceset, dosjet gjyqësore, ngjarjet civile dhe ato penale, galeria njerëzore, realiteti i kohës, problematikat,motivet, shkaqet, rrethanat, skarcitet njerëzore dhe krimet ndaj jetës, i gjithë ky universalitet sa profesional aq edhe social e juridik, i shërbyen si një "universitet i ri"! Tronditjet dhe përjetimet gatuan brenda tij edhe një lloj frymëzimi për t'i transkriptuar në një formë tjetër komunikimi, përmes një medium me të gjerë, letërsisë. Shumë nga këto problematika Aleks Luarsi i ktheu në tregime dhe i botoi duke lënë mbresa dhe gjurmë, madje edhe duke tronditur thellë, deri një ndjeshmëri dashurore, shoqen e tij të ardhshme të jetës, e cila pasi lexoi tregimin,"Seanca me dyer të hapura" të frymëzuar jetësisht nga ngjarje gjyqësore, përjetoi se "ylli i saj i fatit" ishte mbas atyre rreshtave tronditës. Tregimi për goricarët, fshatarët që ishin në gjyq me beun që donte t'u rrëmbente tokën, e kishte zgjuar kërshërinë e Aleksit qysh kur pedagogu iu a kishte sjell si shembull në auditor. Ai e kishte përthithur thellë atë ngjarje derisa e shndërroi në një tregim mjaft të goditur. Për një hop u mendua se po vinte një shkrimtar, madje i madh, por vetëm kaq. Kënga e jetës ishte parathënë! Do të ishte drejtësia. Ndoshta të gjitha ato tregime ishin si një shpërblim mirënjohjeje për tregimet e hershme të të atit si dhe një respekt me testament letrarë ndaj leximeve të ethshme në rini."Komedia njerëzore" e Balzakut ky korpus universal ku historia dhe njeriu mësohen më mirë se në librat e historisë, kishin mbjellur farën e frymëzimit dhe ai duhej të derdhej në faqet e librave. Shkrimet vazhdojnë më vonë sepse, si pa u ndjerë të gjitha rrethanat në atë sistem gjyqësor ku suksesi nuk kishte munguar dhe humanizmi kishte triumfuar mbi shpagimet ligjore radikale që nuk mungonin tek gjyqtarë të tjerë, e kishin orientuar tashmë drejt një tjetër kahje, drejt jetës akademike. Rikthehet sërish në Universitet po në atë fakultet, tani si një aspirant i ri mes ish profesorëve të tij duke u përfshirë në "Qendrën e Kërkimit Shkencorë" dhe duke lektruar e u formuar hap pas hapi si një autoritet në "Filozofinë e së Drejtës" dhe në "Historinë e Shtetit dhe së Drejtës në Shqipëri"! Godina e karrierës me themele të forta, tani po hidhte shtat me katet e sipërme. E fortë, solide dhe pa asnjë firo. Gjithçka që ishte investuar në jetë kishte qenë me "bukë". Hallkat ishin nyjëzuar si në strukturë, në përmbajte dhe funksione! "Binjakëzimi" me drejtësinë po njihte lartësi të reja. Studimi i tij i jetës që e gradon si personalitet shkencor, i dedikohet "Shtetit dhe së Drejtës në epokën e Skënderbeut. Udhëheqës shkencor ishte Profesor Aleks Buda! "Aleksi i Madh", Kryetari i "Akademisë së Shkencave" nga dinozaurët e fundit të plejadës së Joklit, Hanit, e Nopçes, kishte marrë siguri nga profesorët Omari e Puto. Tani ishte radha dhe sfida e Aleks Luarasit. Ai realizoi punimin e tij serioz që i rezistoi kohës. Sot kur botime të shumta për heroin tonë kombëtar, aq sa intensifikojnë dritën mbi të po aq edhe kanë shtuar turbullirën e keqinterpretimeve, tregojnë direkt dhe indirekt, se vepra shkencore serioze si punimi i profesor Aleks Luarasit për Skënderbeun, mbeten pika referimi ku gjendet argumenti shkencor, faktologjia e pa diskutueshme, dhe objektiviteti i provuar me dokumente autentike!
* * *
30 vjet si pedagogë në Universitetin e Tiranës, një përvojë e gjatë. Disa breza juristësh që sot drejtojnë organe të larta në sistemin e drejtësisë, janë fryti i punës! Por ecja nuk ndalet,Ai themelon të parin fakultet juridik si një Institucion Privat të Arsimit të Lartë, Fakultetin "Luarasi".Kjo gjurmë e bukur e gjenezës, historisë dhe identifikimit, kjo pikë reference për shumë personalitete, ky emër që në kohën kur bëhesh shteti shqiptar fillim shekulli XX-t i ishte vënë një shtëpie botuese që krijoi memorien dokumentare me botimet e saja, tani po njihte një gradim të ri. Një universitet mbante këtë emër, një veneracion për të gjithë historinë dhe kontributin e njerëzve të shquar të LUARASIT që, sfidonte në një treg ku emrat e shkollave të larta private vinin të tillë si dekoracione marketingu tek të cilët, veç histori dhe përmbajtje kuptimore nuk gjen! Pranë këtij universiteti edhe shtëpia botuese "Luarasi" sërish dhe librat e para që botohen janë, "Fryma e Ligjeve" e Monteskies dhe "Kontrata Sociale" e Rusoit. Një jetë me drejtësi, për drejtësinë dhe në emër të drejtësisë, nuk mund të mos kurorëzohej me këta testamente të së drejtës dhe dinjitetit njerëzor .Ato vijnë në shqip nga Aleks Luarasi, që me hap të sigurt, pa u nxituar, vijon të eci ashtu si dikur djalosh me librat në gji! Breza të tërë studentësh të Universitetit "Luarasi" të graduar, largohen me një mësim të vyer në përmbyllje të studimeve. "Atje nuk morëm thjesht një diplomë, atje ndryshuam pozitivisht jetën"! Sot në të 70-jetët e tija Prof. Dr Aleks Luarasi është i realizuar dhe si vizionar nuk sheh nga sot për nesër, por se orientohet nga e tashmja drejt horizontit. Vitet janë thjesht moshë, ndërsa mosha është pjekuri dhe vlera që vijojnë të japin produkt pa u ndalur! Një jetë me drejtësi nuk ka gjë më fisnike! Urime dhe të faleminderit profesor! Jeta e matur me sukses është më e gjata!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›