E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një jetë me jazz

Elina Duni është shqiptarja që po mahnit artdashësit e Zvicrës, madje të tërë Europës. Ajo është zëri i fuqishëm i xhazit, kësaj muzike që njeh mirë shpirtin që vuan, që është më tepër një shtrydhje e tërë atyre ndjenjave të shtresuara të mallit e të vuajtjes.

Teksa pushton skenën, Elina Duni, kjo vajzë e brishtë dhe elegante, është objekt adhurimi i mijëra artdashësve të regjur europianë si dhe objekt mburrjeje e mirënjohjeje për bashkëkombësit e vet shqiptarë. Ajo beson thellësisht se muzika, arti në përgjithësi, ka magjinë t’i zbusë mëritë e paragjykimet aq sa racizmin, urrejtjen e mosdurimin t’i bëjë ta marrin arratinë nga vendi ku sundon ajo, muzika e vërtetë jokomerciale.

“Më bën të lumtur fakti që muzika ime pëlqehet edhe nga kritika edhe nga publiku. Është një mirënjohje që më sjell frymëzim për projektet e mëtejshme”, ka thënë ajo në një intervistë që ka dhënë për një portal.

Këngëtarja ka thënë se suksesin e saj ia dedikon familjes së saj, veçanërisht nënës e cila është shkrimtare, Besa Myftiu.

“Kam pasur fatin të jetoj një fëmijëri të jashtëzakonshme, të mbushur me dashuri dhe diell. Në një vend ku si fëmijë nuk kishe shumë, por gjithçka që kishe e doje jashtëzakonisht. Mungesa materiale transformonte çdo send në një thesar dhe rrugët ishin bosh dhe na takonin ne, fëmijëve dhe lodrave tona. Në një mënyrë paradoksale, Shqipëria komuniste për mua si fëmijë ka qenë e bukur. Sot ajo ka ndryshuar shumë”.

Këngëtarja thotë se Shqipëria edhe pse e vogël, ka ditur që të nxjerrë emra të mëdhenj të muzikës në Evropë. Ndërkaq, e cilëson fat të jetosh në Zvicër.

“Unë kam pasur fatin në Zvicër të jetoj në një mes artistësh dhe intelektualësh, ku asnjëherë nuk më është dashur ta fsheh që jam shqiptare, madje ka qenë gjithmonë një krenari sepse më dukej vetja ekzotike dhe e veçantë.

Në shoqërinë ku unë jam rritur në Zvicër nuk e kam hasur asnjëherë racizmin dhe ky fakt më ka ndihmuar më pas ta shpreh gjithmonë përkatësinë time kombëtare pa frikë a komplekse dhe tashmë të këndoj në shqip dhe ta bëj të njohur kulturën shqiptare kudo nëpër Evropë”, thotë ajo.

Ndryshe, Duni është cilësuar e veçantë nga kritika e xhazit në Evropë, ku është cilësuar si "surpriza më e bukur muzikore e shekullit XXI".

Kur kishte lexuar për këtë gjë, normalisht këngëtares i ishte bërë qejfi.

“”Ka qenë fjala për surprizën më të bukur në Zvicër dhe jo në botë! Sot mendoj që duhet të kalojnë dhe disa vite për të parë a ka diçka të vërtetë kjo fjali”.

Tutje, këngëtarja në këtë intervistë ka folur edhe për jetën e saj private. Ajo ka thënë se edhe pse është e lindur në Tiranë, veten e ndjen si një qytetare të botës.

Ajo pëlqen diellin, njerëzit e mirë dhe monumentet historike. Nëpërmes muzikës të saj shpreson t’i ngjallë emocion, ndjenjë dhe bukuri publikut.

Për momentin këngëtarja është duke e përpunuar diskun e tretë të saj, që do ta editojë në vjeshtë. “Është një album homazh për këngën shqiptare. Ka vetëm këngë në shqip të krahinave të ndryshme dhe kohërave të ndryshme, ashtu si dhe disa poezi të vëna në muzikë nga unë”.

Duni thotë se xhazi është forma që “unë di dhe njoh dhe mbi të gjitha një muzikë akustike e cila i ngjan tingullit folklorik dhe mendoj se improvizimi i cili është i pranishëm në këngën popullore, është një urë midis saj dhe xhazit”.

“Ruajtja e esencës ka qenë gjithmonë synimi im. Atë e ndihmon tingulli akustik siç e thashë më parë, mirëkuptimi i poezisë së këngës dhe talenti i muzikantëve që e çojnë këngën nëpër sfera të tjera muzikore, por që ngelin të vërteta dhe poetike”.

Por, kur pyetet për atë se sa çmohet ajo tek bashkatdhetarët shqiptarë në Zvicër, Elina Duni thotë se kjo për të ka një rëndësi të veçantë. “Është shumë e rëndësishme, jo vetëm për kënaqësinë time, por për publikun shqiptar, i cili ka nevojë të jetë në kontakt me një muzikë të një lloji tjetër sesa tallava ose muzikë pop. Një alternativë, një rrymë që nuk i përket komercit”, thotë ajo.

Ajo në këtë intervistë të gjatë ka folur edhe për këngëtarët që i pëlqejnë në Shqipëri, si Vaçe Zela, pastaj Parashqevi Simaku, Eli Fara, Irma Libohova. “Si adoleshente grupi Ritfolk dhe sot më pëlqen Rona Nishliu”, thotë ajo

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›