Një kartolinë urimi nga Burreli për deputetët
Zotërinj deputetë të majtë e të djathtë! Ju dëgjojmë në foltoren e Kuvendit. Të themi të drejtën, kënaqemi kur diskutoni për korrupsionin. Por realiteti është ndryshe dhe desha t'ju pyes, këto diskutime janë përgatitur nga ju apo nga sekretaret tuaja? Dyshoj se është e dyta, se po të ishin tuajat do të ishte ndryshe. Kapeni tek rruga që do jetë e vetmja në llojin e saj. Unë si qytetar i zonës 18 në Burrel nuk shoh asnjë ndryshim, shoh urën që e ndërton Italia dhe që z.Minxhozi e z.Shponi dhanë premtime se do ta ndryshojnë, por asgjë s'u bë. Vetëm po shkatërrohet përditë nga trolet e kromit. Punësimi nuk diskutohet sepse kush ka mikun në parti e ka siguruar, të tjerët presin ndihmën ekonomike për të marrë bukë, dritat e ujin. Presin. Do desha t'ju uroj Gëzuar Vitin e Ri me sytë nga qielli, me tavolinën bosh fëmijëve t'u sjellë bukën, të tjerat ia lëmë bosave dhe Bashkisë, Kryetari dhe Nënkryetarit ta festojnë në Burrel, tek Pali. Ka familje që mbledhin kanaçe për t'i shitur për bukë. Zotërinjtë deputetë shqetësohen për interesat e tyre, koncesionet, marrëveshjet e bëra me italianët, serbët e të tjerë. Zotërinj deputetë të zonës, qyteti i Burrelit nuk është qendra deri tek Pali, por është nga Varrezat e Dëshmorëve deri në afërsi të Zemishtit. Desha t'i pyes Zotërinjtë e zonës, sa herë kanë qenë dhe i kanë parë dhe sa lekë janë dhënë për Unazën e Poshtme dhe që është për turp? Ku kanë shkuar fondet? Sa është fondi për zbukurimin e qytetit? Një bredh 700.000 leke, të tjerat nuk dihet ku vajtën. Ndihma ekonomike është 5 veta = 53.000 lekë. T'ju pyes zotërinj: Sa herë hyn 53 tek 5-sa dhe a mjaftojnë këto për dritat, ujin dhe bukën e përditshme, kur një familje me fëmijë të vogël i duhen 20.000 lekë vetëm sapun e detergjent? Zoti i ndihmoftë Shqiptarët se deputetët dhe Bashkia janë vetëm për vete. I lutem "Shekullit", emrin të mos ma vejë të plotë se në qytetin e Burrelit, po kritikove Bashkinë dhe Deputetët, duhet të ikësh.