"Loja" për Faruk Begollin
Në qarkullim numri i dytë i revistës kosovare për teatrin e cila i kushtohet aktorit të shquar i ndarë nga jeta vitin që shkoi
Në ditën e fundit të vitit që lamë pas u hodh në qarkullim numri i dytë i revistës teatrore "Loja" e cila del në Prishtinë. Sado pak larg nesh, një revistë si kjo është ngjarje për teatrin, po të marrim parasysh se në territorin e Shqipërisë nuk ekziston asnjë revistë për artet skenike. Numri i ri i "Lojës", me 163 faqe dhe 14 rubrika, në pjesën më të madhe i kushtohet aktorit Faruk Begolli. Madje edhe editoriali i kryeredaktorit Bekim Lumi, me titullin "Zogjtë e qiejve" merr shkas nga ky përkushtim për Begollin, për t'iu bërë homazh gjithë artistëve të teatrit që u ndanë nga jeta në vitin 2007. Është për t'u vlerësuar fakti që "Loja" e Kosovës nderon aktorët shqiptarë si Kadri Roshi, Sulejman Pitarka, Violeta Manushi dhe Serafin Fanko, të ikur në 2007. Këtyre artistëve u është kushtuar rubrika "In memoriam" e pajisur me biografitë përkatëse të aktorëve.
Në përmbajtjen e këtij numri janë për t'u veçuar shkrime si "Nuk ka fshehtësi" i regjisorit Peter Brook, "Parimet e regjisorit" i Jerzy Grotoëski, parime që përfaqësojnë bazamentin e punës dhe të metodologjisë së tij krijuese me aktorët.
Në kuadër të rubrikës "Teatri & Antropologjia", me dy shkrime të veçanta të natyrës studimore dhe analitike, paraqiten regjisorët dhe antropologët Richard Schechner, Eugenio Barba dhe Nicola Savarese; një shkrim analitik i Tvrtko Kulenovic-it mbi "Ndikimet aziatike në teatrin perëndimor" dhe një ese e Bekim Lumit "Teatri Lalish – zëri që shihet" i cili bën një prezantim të këtij teatri laboratorik dhe etnologjik. Në kuadër të vazhdimësisë së rubrikës "Avangarda amerikane", shkruar nga Ileana Cosic e cila bën një prezantim historik të atij që botërisht u njoh si "The Living Theatre".
Rubrika "Portrait Memory" përmban nëntë shkrime të ndryshme për Faruk Begollin, që kanë për autorë Jeton Nezirajn, Melehate Qenën, Isa Qosjen, Agim Sopin, Boris Davidoviqin, Vladimir Milcin-in etj.
Në kuadrin e rubrikës "Shekspirologji", botohet shkrimi studimor-analitik i Hugo Klajn-it "Zonja e mirë Makbeth apo kryeshtriga". Në rubrikën "Antiteza" janë tri analiza me aspekt problematikën e teatrit në fillim të shekullit 20. Në rubrikën "Teatri i kukullave" botohet shkrimi i Stephen Kaplin-it "Trungu gjenealogjik i kukullave", i cili është një përshkrim i detajuar i shumësisë së kukullave dhe i mënyrave të ndryshme të përdorimit dhe funksionit të tyre në teatër. Revista mbyllet me rubrikën "Drama", me botimin për herë të parë të përkthimit në shqip të dramës së autores angleze Sarah Kane-it, "Gjakim", përkthim i Doruntina Bashës.
Botimi i revistës "Loja" është mbështetur nga Zyra Franceze e Ndërlidhjes në Prishtinë, nga Teatri Dodona dhe nga Qendra e Arteve Vizuale "Multimedia". Është në shitje në dy libraritë kryesore të Prishtinës, "Dukagjini" dhe "Toena" në Institutin Albanologjik.