E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjoleka, Abazi dhe Anagnosti

Filmin e ri të Anagnostit "Gjoleka, djali i Abazit" e ndoqa me një ndjenjë të fortë pasigurie. Nuk dëshiroja të zhgënjehesha prej punës më të re të një autori me personalitet të padiskutueshëm krijues. Të njëjtën ndjenjë mëdyshjeje kam përjetuar edhe kur shkova të shoh në kinema, shumë vite më parë, "Kthimi i ushtrisë së vdekur". Atëherë mosbesimi se "a do të shikoj diçka të re", vinte për shkak të stërnjohjes së materialit letrar, romani aq me popullaritet i Kadaresë "Gjenerali...". Sa për rastin më të fundit, ishin dy kufizime të tjera: xhirimi në një zonë të shfrytëzuar gjerësisht edhe më parë prej Anagnostit, dhe, e dyta, sistemi i krahasimit të vlerave dhe fuqisë artistike tashmë përmban edhe dimensionin gati të papërballueshëm për shtatin e filmit shqiptar, që vjen nga njohja prej publikut e kinemasë së zgjedhur botërore.
Filmi i Anagnostit "Gjoleka..." rindërton një periudhë të fiksuar në kohë, periudhën e mbretërisë së Zogut të Parë, jetën në një fshat të Bregut, në Jug të Shqipërisë, e cila ka privilegjin të jetë bregdet turistik mesdhetar dhe malësi e ashpër shkëmbore njëkohësisht. Portreti i Mbretit Zog në mur, kryekomunari i emëruar, ardhur, sipas dialektit që përdorte, nga krahina e Lartmadhërisë, si dhe mjetet primitive të jetesës së bregasve në një të tretën e parë të shekullit të njëzet, janë tregues koncizë dhe lakonikë të gjendjes komplekse sociale. Përtej anestezisë së përgjithshme të mjerimit kolektiv, Abazi pret shpëtimin vetjak. Ankthi i tij për t'u rimëkëmbur si familje numerikisht e ekonomikisht duket se merr fund kur bëhet me djalë. Festa për lindjen e Gjolekës, qerasjet në pijetore, këngët polifonike të Labërisë zënë vend të gjerë në rrëfimin filmik. Po kështu, tabloja rozë e një emigranti për jetën boheme në ShBA, është një horizont i ri që u propozohet fshatarëve të varfër. Ky qiell iluzionesh nxihet kur po ai emigrant bohem, euforik, vjen pas disa vitesh me shenjat dhe kursimet e një bashkëfshatari të vrarë aksidentalisht në punë, në Amerikën e realizimit të ëndrrave. Bregasit kanë kërkuar mbijetesë te ngastrat e pakta të tokës, midis gurëve masivë që mbizotërojnë "skenën" ku luhet fati i tyre, si dhe te blegtoria e pakët që ka secili. Shpirtërisht, ideologjitë fetare si petka të vjetëruara shtrohen të pamjaftueshme njëra mbi tjetrën: hoxha shikon një sy shenjtori ortodoks nga suvaja e rënë e xhamisë së tij. Gjoleka rritet midis përpjekjeve torturuese të të atit dhe ndëshkimeve të tij didaktike(?!) për ta burrëruar para kohe, për ta trimëruar jashtë mase, për ta shndërruar fëmijën e brishtë në një sfidues krenar të varfërisë dhe të ashpërsisë së zymtë të zonës. Personazhet ekzistojnë në vetvete, nuk komentojnë vetveten, por realizohen gradalisht sipas situatave; pamjet e natyrës kontrastojnë me fytyrat njerëzore ose ndriçojnë më tej lirizmin e tyre të fshehur, thelbin metaforik të episodit përkatës. Ndodhitë e vogla, gjuha e gjallë dialoguese, e zhveshur nga letrarizmat dhe artificet kompromentuese e përforcojnë forcën shprehëse e realiste të rrëfimit filmik. Mund të themi pa mëdyshje se ky film na kujton dhe na sjell njëkohësisht në ekranin e madh atë që tradicionalisht i ka munguar dhe i mungon filmit shqiptar: jetën shqiptare, karakteret burimore, natyrshmërinë, magjinë e gjetjeve artistike.
Në dallim nga steriliteti estetik dhe bufonadat karikatureske manieriste ku është mbytur pjesa më e madhe e më pompoze e kineastëve tanë, Anagnosti i shmang me sukses platformat tendencioze pseudo-ideore, të përdorura rëndom si kopjime prej axhaminjsh mondanë të artit tonë kinematografik. Si një nga gjetjet e tij më të jashtëzakonshme mund të veçonim episodet e tre-katër minutave të fundit të filmit. Gjoleka i kërcënuar nga Abazi për dy dele të humbura, i tmerruar nëpër shkurre e shkëmbinj natën me mjegull, var në një degë litarin vetëvrasës. Babai i penduar për teprinë e ndëshkimit dhe kushtin e llahtarshëm: "Mbytu po nuk i gjete delet!", e thërret në kupë të qiellit duke e kërkuar gjithandej: Gjolekë, Gjolekë! Drita e pakët e fenerit i zbulon babait djalin e varur atje tej, ndërsa neve, kuja e tij rrëqethëse na zbulon dashurinë e madhe që ky burrë i ashpër ka pasur për të birin. Në këtë rast, autori e tejzgjat fjalën vajtuese të Abazit karshi djalit të varur, duke shkarë qëllimshëm në patetikë. Dhe me të drejtë: Abazi afrohet në vendngjarje, e rrotullon gunën e varur duke e kthyer nga vetja dhe shikon se ajo është bosh, djali, "maskarai" ia ka hedhur, ka ikur. Situata ndriçohet nga një e qeshur njerëzore, e brendshme, e gëzueshme që lind te secili shikues prej lajmit të mirë se djali i vogël është gjallë. Ndërkohë, në episodin pasardhës, në epilog, kuja e Abazit jepet me një fiksim disa sekondësh të portretit të tij të shfytyruar prej gjëmës: ka në duar letrën e djalit, zarfi vjen nga Amerika. Logjika e shëndoshë e veprës na e ka dhënë qysh më parë emigrimin jo si shprehje të lirisë së lëvizjes së njerëzve, por si tregues të varfërisë mbytëse në vendin e tyre. Kështu, gëzimi për djaloshin e mitur që qënka i gjallë mbetet përkohësisht gëzim, ai pllakoset rrufeshëm nga fundi tragjik. Gjoleka ka ikur duke rrënuar familjen e tij, duke goditur pa mëshirë krenarinë e babait dhe shpresat e motrave më të vogla. Ka gjithashtu një shpërpjestim gjenial të kohës në të cilën jepet gëzimi dhe festimet për ardhjen e djalit në jetë, e cila tregohet nga autori në disa episode, për shumë minuta, dhe, nga ana tjetër, koha e dhimbjes për humbjen fatale, përfundimtare: gjithsej dy-tre sekonda shpërthyese, një britmë që s'arrin të dalë nga gjoksi burrëror. Mbetet në ekranin e madh vetëm fytyra e babait, shtangur nga pikëllimi i padurueshëm....dhe... predja bie. Filmi i një mjeshtri pushon së shfaquri dhe fillon të flasë pambarimisht për secilin prej nesh, për secilin njeri të vendit tonë, të ditëve tona.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›