E Diel, 1 Nëntor 2026

Një këndvështrim politik në fillim të 2007-ës

Jemi në fillim të vitit 2007, vit gjatë të cilit Kosova do të kaloj nëpër sfida të rëndësishme të zhvillimeve aktuale politike . Në përgjithësi këto zhvillime mund të klasifikohen në 4 etapa kryesore:

1.- Gjendja aktuale politike në Kosovë karakterizohet me zhvillimet e fundit që kanë trazuar LDK-në si parti politike më e madhe në Kosovë edhe pas përfundimit të punimeve të kuvendit zgjedhor. Edhe pse në shikim të parë përçarja që ndodhi në LDK-në u komentua nga analistët e shumtë politik, si konflikt i dy ideve apo fraksioneve të kundërta brenda partisë, ai i krahut të Nexhat Dacit si vazhdimësi e politikës postrugoviane në njërën anë, si dhe krahu i Fatmir Sejdiut si reformues i politikës postrugoviane. Këto zhvillime aktuale brenda LDK-së kanë një karakter tjetër kundërthënës politik brenda vet subjektit politik.. Zhvillimet në LDK duhen parë si konflikt apo përballje të dy blloqeve brenda LDK-së me konotacion më të gjerë ndërkombëtar. Krahu i Dacit prezantohet si vazhdimësi e politikës ballkaniko-europiane, që si promotor dhe ideator i kësaj ka qenë udhëheqësi i ndjerë i LDK-së Ibrahim Rugova, si dhe krahu i Sejdiut prezantohet si ndjekës i kursit të ri politik brenda LDK-së, atij bllokut ballkaniko-amerikan , një koncept i ri reformues brenda LDK-së.

SHBA-ja në prag të përcaktimit të statusit politik të Kosovës do që edhe partinë politike më të madhe të Kosovë, LDK-në, ta ketë nën ombrellën e saj, krahas partive opozitare PDK-së dhe ORËS.

Krahu i Dacit do të duhej të ishte shumë i kujdesshëm dhe i matur gjatë veprimit të mëtejshëm të tij politik, për të, më mirë do të kishte qenë të vazhdojë së vepruari si fraksion brenda LDK-së, se sa të formonte partinë e re –Lidhjen Demokratike. Me këtë e përgjysmoi LDK-në e cila mund të vë në rrezik edhe qeverinë. Përmbysja eventuale e qeverisë aktuale nga ana e Dacit, i jep gjasa reale formimit të qeverisë së re të koalicionit të mundshëm LDK-PDK-ORA apo edhe më e skajshmja , formimin e qeverisë teknike në prag të përcaktimit të statusit politik të Kosovës, e cila këtyre ditëve përflitet si një opsion i ri i mundshëm në Kosovë, dhe në krye të së cilës do të vij një kryeministër jopartiak, dhe sipas të gjitha gjasave ky do të jetë rektori aktual i Universitetit të Prishtinës dr. Enver Hasani, që përflitet në te kuluaren politike. Këto lëvizje eventuale të mundshme politike mund të sjellin”tërmet” në skenën politike kosovare si dhe prishjen eventuale të gjendjes së sigurisë dhe stabilitetin e brishtë politik në Kosovë në prag të pritjes së shpalosjes së planit të presidentit Ahtisari për statusin Kosovës pas 21 janarit 2007.

2.- Në zhvillimet e ardhshme politike në Kosovë rol kyç në përcaktimin e statusit të Kosovës do të luajë superfuqia aktuale botërore, SHBA-ja, në drejtim të përcaktimit të kaheve të zhvillimeve politike në Kosovë. Presioni amerikan ndaj aleatëve të vet brenda NATO-së, bëri, që Serbia së bashku me BeH dhe Malin e Zi të pranohen pa kurrfarë procedure të mëtejme në Partneritetin për Paqe. A thua e bëri këtë SHBA-ja për t’i shpërblyer ato subjekte politike me programe të avancimit demokratik të Serbisë drejt integrimeve euroatlantike të saj, karshi pranimit të pavarësisë së Kosovës, apo që të ngrihen ato forca konservatore dhe radikale që janë kundër pavarësisë së Kosovës në Serbi, në prag të zgjidhjeve parlamentare që do të mbahen me 21 janar 2006 në Serbi.

3.- Faktori tjetër i rëndësishëm dhe me peshë shumë të madhe në zhvillimet e mëtejme politike të Kosovës pa dyshim që është edhe blloku ruso-europian. Rusia në krye me presidentin e saj karizmatik Putin, përveç zhvillimit ekonomik megaloman të saj, duke falënderuar rritje enorme të çmimeve të naftës dhe të gazit, si furnizues kryesor i Evropës dhe Azisë, e cila në kohën e fundit falë çmimit të lartë në bursa botërore të naftës dhe gazit, arriti të shlyej të gjitha borxhet ndaj kreditorëve të jashtëm ndërkombëtar, falë shumës prej afro 200-250 miliard dollar të ardhurave vjetore vetëm nga eksporti i naftës dhe gazit rus.

Rusia dëshiron që të riktheje përsëri pozitën e vet të saj të mëkëmbur në arenën politike globale botërore. Ajo haptas doli kundër pavarësisë së Kosovës, duke u kërcënuar me veto në Këshillin e Sigurimit, në rast se nuk arrihet një kompromis i pranueshëm për të dyja palët, si për Beogradin ashtu edhe për Prishtinën. Përball Rusisë asnjë shtet tjetër akoma nuk doli me qëndrim të hapur pro pavarësisë së plotë të Kosovës, përveç Zvicrës,e cila është për pavarësinë e plotë të Kosovës. Këtu nuk duhet harruar edhe shtetet tjera evropiane në Grupin e Kontaktit dhe në Unionin Evropian, sikurse janë Franca, Italia, Spanja, Greqia, Qiproja, Sllovakia, Rumania, te cilat janë të lëkundur në pozitat e veta, apo janë kundër pavarësisë së Kosovës.

4.- Faktori tjetër i rëndësishëm por jo edhe me peshë aq të madhe, në zhvillimet politike të Kosovës, është edhe Kina, si anëtare fuqiplotë dhe me të drejt vetoje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Kina mund të shprehet kundër pavarësisë së Kosovës, edhe pse gjer më tani akoma nuk e kemi të shprehur ndonjë opsion të saj pro apo kundër pavarësisë së Kosovës, por duke marrë parasysh për bazë ishullin e vet të ndarë Tajvanin de facto, por de jure i papranuar në Kombet e Bashkuara, që pa dyshim mund të sjell Kosovën në pozitën e tillë ndaj Serbisë, sikurse që është Tajvani ndaj Kinës, një gjë e tillë mund të jetë e pritshme dhe reale nga ana e saj. Edhe pse nuk mund të bëjmë kurrfarë krahasimi në mes Kinës dhe Tajvanit në njërën anë, si dhe Serbisë e Kosovës në tjetrën anë, duke marrë parasysh se Kina dhe Tajvani janë të banuar nga i njëjti popull kinez autokton, të ndarë ne mes vete në vitin 1949, pas fitores së revolucionit kinez, si dhe kemi të bëjmë me të njëjtën gjuhë, fe dhe kulturë. I vetmi ndryshim në mes tyre janë sistemet aktuale politike që janë prezent në Kinë dhe Tajvan. Në anën tjetër dallimet në mes Serbisë dhe Kosovës janë aq të mëdha dhe se pothuaj kurrgjë nuk e kemi të përbashkët përveç se sistemit aktual politik që është në fuqi. Populli shqiptar dhe serb dallohen si për nga përkatësia kombëtare, në njërën anë kombi serbe është me prejardhje sllave, në anën tjetër kombi shqiptar është me prejardhje ilire, në njërën anë është gjuha serbe, përball saj është gjuha shqipe, në njërën anë është feja krishtere(riti ortodoks), në anën tjera është feja islame si shumicë e përkatësisë shqiptare në Kosovë, në njërën anë Serbia gjatë gjithë kohës së ekzistimit të saj, plani nacional i saj ka qenë zgjerimi dhe pushtimi i trojeve të huaja, përball jemi ne shqiptarët gjatë gjithë kohës së ekzistimit të strukur dhe të ngushtuar në trojet e veta etnike.
Në fund të kësaj mund të thuhet që për ne në Kosovë do të jetë jetike përcaktimi i SHBA-ve ndaj statusit përfundimtar të Kosovës. A thua SHBA-ja do të njohë pavarësinë e Kosovës dhe do të sakrifikojë partneritetin e vet, në politikën aktuale globale botërore, përball Rusisë dhe Kinës, për hir të 2 milionë shqiptarëve të Kosovës, mbetet të besojmë dhe të shpresojmë në vitin 2007, vit i cili në dashtë Zoti do të duhej të shënohej me shkronja të arta në historinë më të re të shqiptarëve në përgjithësi e të Kosovës në veçanti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›