E Diel, 1 Nëntor 2026

Përbërja e fetare e Shqipërisë: rezultatet e tre sondazheve

Që pas rënies së sistemit monist dhe vendosjes së pluralizimit politik në Shqipëri një nga çështjet që është diskutuar vazhdimisht ka qenë edhe ajo rreth përbërjes fetare së vendit tonë. Duke pasur parasysh faktin që regjistrimi i fundit zyrtar mbi përkatësinë fetare të popullit tonë është bërë vetëm në vitin 1936, ndjekur nga një periudhë 50 vjeçare ku fillimisht praktimi i fesë iu nënshtrua një trysnie dhe shtypjeje të rëndë dhe më pas u ndalua plotësisht nga regjimi komunist, një debat i tillë ishte mjaft i natyrshëm që të ndodhte. Ky debat është ushqyer edhe mungesa e regjistrimeve të popullsisë pas vitit 1991, me përjashtim të regjistrimit zyrtar të vitit 2001, ku gjithsesi nuk u pyet përkatësia etnike dhe fetare e popullsisë rezidente në vendin tonë.

Në këto kushte, të vetmet burime qe mbeten per të vlerësuar përkatësinë fetare të Shqipërisë mbeten sondazhet dhe anketat e opinionit publik, të cilat janë kryer më së shumti nga organizata dhe institucione të huaja. Në këtë kontekst, një burim mjaft të mirë në lidhje me këtë çështje e përbëjnë tre sondazhe të kryera nga kompania Globic LLC si pjesë e një projekti afatgjatë për studimin e opinionit publik në Shqipëri. Globic LLC është një kompani për studime akademike të opinionit publik dhe të sjelljes elektorale, me qendër në Karolinën e Veriut, SHBA. Duhet theksuar fakti që këto sondazhe kanë pasur për qëllim studimin e opinionit publik dhe matjen e sjelljes zgjedhore në Shqipëri në tre periudha të ndryshme pas zgjedhjeve të 3 korrikut. Pyetja rreth përkatësisë fetare ka qenë vetëm një nga pyetjet e shumta të sondazhit.

Fakti që këto sondazhe janë bërë në hapësira të ndryshme të Shqipërisë e bën edhe më interesant studimin e përkatësisë fetare të këtyre hapësirave. Sondazhi i parë është kryer në periudhën 4-20 korrik 2005 në një kampion prej 1500 familjesh, përfaqësues të popullsisë së gjithë vendit tonë. Sondazhi i dytë është bërë në periudhën 20-28 dhjetor 2005 me 910 shtetas shqiptarë mbi 18 vjeç të përzgjedhur krejt rastësisht, banues në rrethet Tiran-Durrës, ndërkohë që sondazhi i tretë është kryer në periudhën 5-11 qershor 2006 në një kampion përfaqësues prej 1200 rezidentëve në Tiranë.

Kështu, në sondazhin e parë, kur janë pyetur rreth përkatësisë së tyre fetare, 62.7 për qind e të intervistuarve janë deklaruar si muslimanë, 14.7 për qind si ortodoksë dhe 13.2 për qind si katolikë. Vetëm 1.9 për qind e të intervistuarve janë deklaruar si të pafe ose pjesëtarë të feve të tjera.

Kur janë pyetur se sa shpesh shkojnë në xhami/kishë/teqe, 46.4 për qind janë shprehur “asnjëherë”, 14 për qind “shumë rrallë”, 25 për qind “ndonjëherë” , 5.1 për qind “shpesh” dhe 9.5 për qind “shumë shpesh”.

Ndërkohë, në sondazhin e dytë, i cili është zhvilluar në Tiranë dhe Durrës, 66.1 për qind e të intervistuarve janë deklaruar si muslimanë, 13.3 për qind si ortodoksë dhe 6.3 për qind si katolikë. 1.6 për qind e të intervistuarve janë deklaruar si të një feje tjetër dhe 6 për qind si të pafe.

Në lidhje me praktikimin e fesë nëpërmjet vajtjes në xhami/kishë/teqe, 63 për qind janë shprehur “asnjëherë”, 11 për qind “një herë në vit”, 17 për qind “disa herë në vit”, 3 për qind “një herë në muaj”, 2 për qind “dy herë në muaj ose më shpesh” dhe 4 për qind “çdo javë”.

Në sondazhin e tretë, i zhvilluar vetëm në Tiranë, 62 për qind e të intervistuarve janë deklaruar si muslimanë, 14 për qind si ortodoksë dhe 6.7 për qind si katolikë. 1.7 për qind e të intervistuarve janë deklaruar si të një feje tjetër dhe 4.9 për qind si të pafe.

Të pyetur rreth shpeshtësisë së vajtjes në xhami/kishë/teqe, 55 për qind janë shprehur “asnjëherë”, 12.5 për qind “një herë në vit”, 20.3 për qind “disa herë në vit” , 3.4 për qind “një herë në muaj”, 4.4 për qind “dy herë në muaj ose më shpesh” dhe 4.4 për qind “çdo javë”.

Në këtë sondazh është bërë edhe një ndarje e praktikimit fetar sipas grupmoshave. Kështu përqindja e çdo grupmoshe në kategorinë “praktikim i pakët” është e tillë: 18-29 vjeç (63%), 30-39 vjeç (65%), 40-49 vjeç (68%), 50-59 vjeç (75%), më shumë se 60 vjeç (70%).

Në kategorinë “praktikim mesatar” shpërndarja është e tillë: 18-29 vjeç (27%), 30-39 vjeç (27%), 40-49 vjeç (23%), 50-59 vjeç (21%), më shumë se 60 vjeç (18%), ndërkohë që në kategorinë “praktikim i lartë” kjo shpërndarje është: 18-29 vjeç (11%), 30-39 vjeç (8%), 40-49 vjeç (10%), 50-59 vjeç (1%), më shumë se 60 vjeç (11%).

Nga këto rezultate lehtësisht mund të nxirren këto përfundime:

1. Megjithë shtypjen dhe ndalimin 50 vjeçar të institucioneve dhe praktikës fetare, pjesa dërrmuese e popullsisë shqiptare vazhdon të indentifikohet me një nga tre komunitetet e mëdha tradicionale në vend. Në fakt, krahasuar me rezultatet e regjistrimit të popullsisë në vitin 1936, megjithë ndryshimet e mëdha politike, ideologjike, sociale, ekonomike dhe kulturore që kanë ndodhur gjatë këtyre 70 vjetëve, nuk ka ndonjë ndryshim në përqindjen e komunitetetit musliman në Shqipëri, i cili vërtitet në shifrat 70 për qind, ashtu si në regjistrimin e viti 1936. Nga ana tjetër, vihet re një rënie jo e vogël e përqindjes së ortodoksëve, të cilët aktualisht përbëjnë rreth 15 për qind të popullsisë krahasuar me 20 për qind në vitin 1936 si dhe një rritje e përqindjes së katolikëve, të cilët aktualisht përbëjnë pak më shumë se 13 për qind të popullsisë krahasuar me 10 për qind në vitin 1936.

2. Megjithë propagandën e egër anti-fetare të ushtruar nga regjimi komunist, vetëm një përqindje mjaft e vogël e popullsisë në rang vendi (pak më shumë se 1 për qind) deklarohet si “e pafe”. Kjo përqindje rritet në 5-6 për qind në Tiranë dhe Durrës, një fakt i kuptueshëm ky po të kihet parasysh se kryeqyteti dhe zonat përreth tij kanë qenë më të ekspozuara ndaj ndryshimeve politike, ideologjike, social-ekonomike dhe kulturore gjatë këtyre viteve.

3. Një përqindje mjaft e vogël e të pyeturve identifikohen me një fe të ndryshme nga ato tradicionale, duke konfirmuar faktin që veprimtaritë e sekteve të ndryshme fetare që mësynë Shqipërinë pas vitit 1991 nuk kanë qenë të suksesshme në realizimin e një ndryshimi rrënjësor në strukturën fetare të popullsisë.

4. Ndërkohë që pjesa dërrmuese e të intervistuarve identifikohen me një komunitet fetar, pjesa më e madhe e popullsisë deklarohet se nuk shkon asnjëherë në objektet e kultit (46.4 për qind në rang vendi, 63 për qind në rajonin Tiranë-Durrës) dhe një përqindje tjetër e konsiderueshme shprehet se i frekuenton rradhë ose shumë rradhë objektet e kultit. Përqindja e praktikantëve të rregullt të fesë është mjaft e vogël.

5. Vihet re se grupmoshat 18-29 vjeç dhe 30-39 vjeç e praktiktojnë relativisht më shumë fenë se gruposhat më të mëdha. Grupmosha më pak praktikante është ajo 50-59 vjeç, e cila i korrespondon të lindurve në vitete 1947-1956, të cilët janë lindur, edukuar dhe formuar gjatë periudhës së regjimit komunist në vendin tonë. Këto përfundime konfirmojnë faktin që grupmoshat e rritura dhe formuara në një mjedis anti-fetar të diktuar nga regjimi komunist janë më pak praktikante sesa grupmoshat e reja të cilat nuk janë lindur dhe rritur në një mjedis të tillë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›