E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Një këngë për ty"

Spektakël, show i madh muzikor dhe një garë për të fituar. Ka startuar mbrëmjen e djeshme, prodhimi më i ri në "Top Channel", "Një këngë për ty". Protagonistët e vërtetë janë fëmijët. Ata që e adhurojnë muzikën, por edhe kanë talent për ta kënduar. Mbrëmë publiku ka ndjekur natën e parë të spektaklit, që për 13 javë do të transmetohet çdo të premte, ora 20.05 në ekranin e televizionit "Top Channel". Është dashur një kohë e gjatë përgatitjesh, një punë intensive e stafit realizues për të sjellë të parin emision në këtë zhanër. Në konkurrim do të jenë 18 fëmijë solo ose në grupe. Aty ku ka fëmijë ka edhe emocione të mëdha. Nata e parë e vërtetoi më së miri këtë, ndërsa javët në vazhdim do të jenë të mbushura me plot surpriza të tjera. Autorja e programit, Alessia Grieco Vessichio, shprehet se shqiptarët do të shohin një spektakël të ri muzikor, ku do të ketë atmosferë, por edhe garë. "Fëmijët janë qendra e këtij prodhimi të ri. Do t‘i shohim në një garë talentesh, do t‘i dëgjojmë të këndojnë muzikë shqiptare dhe botërore", shprehet ajo. Këngëtari i njohur italian, Luca Dirisio, ka qenë surpriza e natës së parë. Ka udhëtuar posaçërisht nga Italia për të qenë pjesë e spektaklit, madje duke kënduar edhe në duet me konkurruesin këngët e tij. Edhe publiku shqiptar e njeh atë me hitin e tij të parë "Calma e sangue Freddo", një këngë e vitit 2004 që i dha famë të menjëhershme. Në javët në vazhdim, të tjerë të ftuar specialë nga bota shqiptare e artit, por edhe të huaj do të jenë të pranishëm në studion e këtij emisioni. E njohur tashmë si vajzë e ekranit, Hueyda El Saied ka marrë përsipër prezantimin e këtij emisioni të ri. Shprehet entuziaste dhe e kënaqur për këtë përvojë të re. "Është një eksperiencë unike për mua. Të punosh me fëmijë dhe veçanërisht me fëmijë të talentuar është shumë bukur. Ata e kanë pasion këngën. Më bën përshtypje çiltërsia e tyre dhe liria për të prekur ëndrrat", shprehet Hueyda. Përkrah saj në prezantim qëndron një tjetër personazh i njohur, Arjon Muça, djaloshi që publiku e njeh si banori i reality show "Big Brother 2". Duket se djaloshit simpatik i përshtatet ky format. "Jam i mësuar me fëmijët, sepse kam punuar edhe më parë me ta në Itali. Fëmijët shqiptarë janë akoma edhe më të dashur, sepse më ndiejnë të tyrin. Por kjo është një garë dhe ata janë shumë të talentuar, të edukuar dhe seriozë në atë që duan të bëjnë", tregon Arjoni që do të vazhdojë për disa javë të qëndrojë me këta fëmijë. I ngjashëm me formate të huaja televizive, për realizimin e këtij spektakli është punuar një kohë të gjatë. "Ka pasur shumë prurje. Para se ne të përzgjidhnim, kemi bërë audicione në të gjitha trevat shqiptare për të mbërritur në 18 konkurrues", shprehet Rudina Haxhia, producente e emisionit "Një këngë për ty".
Gara
Spektakli sapo ka nisur. Gara po ashtu. Për më shumë se tre muaj është punuar me 18 fëmijët apo grupet e përzgjedhura dhe tashmë ata ngjiten në skenë për të kënduar. Secili prej tyre në javët në vazhdim do të interpretojë tri këngë: një shqiptare, një amerikane dhe një italiane. Për çdo javë, i ftuari special, që në këtë rast do të gjykojë edhe interpretimin e fëmijëve do të japë një çmim, i quajtur "VIP" që do të shoqërohet me një kupë simbolike. Deri në javën e gjashtë fëmijët me talentin e tyre do të përpiqen të fitojnë simpatinë e publikut, i cili përmes votave nga shtëpia do të përzgjedhë më të mirët. Që nga java e gjashtë, një fëmijë do të skualifikohet për të mbërritur në finale vetëm dy prej tyre. Një natë e madhe, ku emocionet do të jenë të forta do të zgjedhë më të mirin. Për të do të shkojë çmimi i parë, me një vlerë të konsiderueshme. Ndërkohë që pas përfundimit të këtij spektakli një natë, "Best of" do t‘u kushtohet puntatave më të mira. I pari prodhim i këtij lloji në "Top Channel", kushtuar tërësisht fëmijëve, do të zbulojë talente të reja në këngë që në të ardhmen mund të bëhen edhe zëra të fuqishëm të skenës shqiptare. Deri në finale, spektakël, surpriza dhe atmosferë e madhe premtohet për publikun.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›