Edicioni i dhjetë i sezonit ndërkombëtar përfshin edhe "Krijimin"
Edicioni i dhjetë i sezonit ndërkombëtar të koncerteve "Klasik" nisi dje me koncertin e kuartetit italian "Archimede". Pjetër Guralumi, një prej organizatorëve u shpreh se një nga projektet më ambicioze që do të realizohet në këtë edicion do të jetë realizimi i një produksioni të "Krijimit" (Die Schöpfung) e kompozitorit të njohur gjerman, Joseph Haydn. Dy shoqatat kulturore shqiptare, "Syri Blu" dhe "Miqtë e Muzikës", të cilat organizojnë dhe mbështesin sezonin koncertor "Klasik", kanë marrë përsipër të realizojnë këtë projekt në kuadër të 200-vjetorit të vdekjes së kompozitorit të madh. "Ky produksion do të jetë edhe elementi më domethënës i organizimit të Edicionit të Dhjetë të Sezonit Ndërkombëtar të Koncerteve Klasik, pasi në të ndërthuren jo vetëm vlerat artistike të veprës më të rëndësishme të Haydn-it, por edhe niveli i lartë i bashkëpunimit dhe komunikimit artistik të artistëve ndërkombëtarë", tha ai. Këtë vit, në jubileun e tij sezoni koncertor "Klasik" do të ofrojë për publikun e kryeqytetit, si dhe të qendrave të tjera të kulturës shqiptare, si Shkodra, Korça, Elbasani, Durrësi e Fieri një larmi jo vetëm të artistëve pjesëmarrës që do të vijnë nga Italia, Gjermania, Franca, Zvicra, Kroacia, Shqipëria e Holanda, por edhe të repertorëve që do të ekzekutohen për publikun tonë.